Fryma e protestës ekziston

Postuar në 08 Dhjetor, 2015 23:08

Përfaqësues të pushtetit u ndjenë të neveritur nga dhuna që sipas tyre përcolli protesta e opozitës. Për ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri protesta ishte një shfaqje e shëmtuar e fytyrës së vërtetë të shkatërrimtareve, ndërsa për deputetin e Librazhdit, Taulant Balla guri që u gjet në zyrën e ish-ministrit të Transporteve nuk e shpëton Lulzim Bashën nga mëkatet që ka kryer.

8 vitet e vështira të opozitës socialiste me greva urie dhe me protesta që nga ato të dhunshmet e deri në ato homazh duket sikur nuk kanë lënë asnjë shenjë tek ata që ishin protagonistë të kacafytjeve me pushtetin e djeshëm. Protestës së opozitës nuk i munguan paradokset që lidhen me antikomunizmin si demarsh të Sali Berishës apo Arben Imamit edhe pas 25 vitesh nga koha kur ata fituan pushtetin me dy gishtat lart dhe thirrjet liri-demokraci.

Megjithatë kjo nuk e zhbën  ndjesinë që përcolli dinamika e protestës dhe reagimi i njerëzve përballë një godine si selia e qeverisë dhe bunkeri.

Kryeministria u qëllua me vezë, gurë dhe bojë dhe jo me bomba molotov siç ndodh në kryeqytete të tjera europiane që janë afër dhe larg nesh. Sado absurd të duket hakërrimi me leva ndaj bunkerit pranë ministrisë së Brendshme, përpjekja e njerëzve për ta shkatërruar me tuba të rastësishëm të marrë nga skela ngjitur atë këpurdhë betoni është shenjë e një revolte dëshpëruese ndaj qeverisjes.

Pushteti ndihet i dhunuar, por dhuna e njerëzve të dëshpëruar ndaj një bunkeri betoni është shumë herë më pak e dëmshme nga dhuna e betonit me leje ndërtimi që pushteti ka ngritur për 25 vjet.

Zv/kryeministri Niko Peleshi tha se është dhunuar një vepër arti. Në fakt vetëm qeveria mund ta shohë një bunker të tillë si frymëzim artistik. Shpresëpakët dhe shpresëhumburit që u përleshën me kokëfortësinë e bunkerit e kanë betejën e nderit me gurin e pushtetit që rëndon në përditshmërinë e tyre.

Nëse në protestën 8 dhjetorit u  shpërfytyrua një bunker dhe u bë pis fasada e kryeministrisë, në 21 Janar protestëuesit e paqtë të opozitës së atëhershme i vunë flakën automjeteve të parkuara në bulevard, dëme për të cilat kryetari i atëhershëm i opozitës u kërcënua me jetë.

U vranë dhe 4 protestues për të cilët kjo qeveri ka marrë përsipër të bëjë drejtësi, premtim që ka mbetur në xhepat e pardesysë së Edi Ramës që prej kohës kur zhvilloi protestën homazh në nderim  të tyre. Pavarësisht se kush e përfaqëson krahun e revoltës apo protestës kundër qeverisë së sotme, shenjat u dhanë se fryma e protestës ekziston.

Amerikanët e kanë në kushtetutë se mbrojta ndaj lirive dhe të drejtave mund bëhet edhe me përdorimin e armëve dhe është rasti kur qëllimi legjitimon dhunën. Problemi nuk janë protestuesit dhe dhuna ndaj një vepre arti, problemi është Qeveria.

l.m

Comments

Submitted by Zapbone (not verified) on

Ne kishen e Maries ne Lübeck nga bombardimet jane coptuar dhe shkrire kembanat dhe, i kane lene ashtu sic i kane gjetur; te coptuara e te thyera. Jane si nje veper arti dhe artefakt historik per kohen e bombardimeve. Ne Berlin eshte po nje kishe ne mes te Berlinit e thyer ne mes dhe qendron po ashtu dhe sot e kesaj dite si deshmi e bombardimeve te aleateve... Dhe ky Bunker duhet te qendroje ne kete gjendje si artefakt i kohes qe jetojme dhe jo i nje diktature qe jetuam - Tani ka vlere dhe eshte veper arti se frymezon per revolte.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.