Ligji apo parrulla “Lironi vëllezërit tanë”?

Postuar në 07 Dhjetor, 2015 15:45

Opozita kosovare i ka nisur sot një letër Presidentes së vendit Atifete Jahjaga përmes së cilës sugjeron zgjidhjen e vet për daljen e vendit nga kriza. Sipas “Koha Ditore” kërkesat janë:
“1. Anulimi i Marrëveshjeve me Serbinë për themelimin e Zajednicës, dhe Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, në linjë edhe me kërkesat e 205 mijë qytetarëve nënshkrues të peticionit kundër këtyre marrëveshjeve. Duhet të lirohen menjëherë të gjithë të burgosurit politik (deputet dhe aktivistë të Opozitës).
Në rast se marrëveshjet nuk anulohen atëherë:
- Marrëveshjet t’i nënshtrohen votës popullore përmes referendumit.
Nëse jo atëherë:
- Vendi të shkojë në zgjedhje të përgjithshme”. Mund të pyetet menjëherë: këto janë propozime për zgjidhje, negociata, apo ultimatum? Një opozitë që vetëautorizohet se mbart kredencialet morale të një shoqërie kërkon një gjykim të ftohtë dhe të mençur. Janë lëvizje që kërkojnë karikimin emocional të shoqërisë, të cilat Shqipëria i ka provuar disa herë. Këta që sot dalin me letra dhe kërkesa janë asgjë më shumë sesa njerëz të pushtetit që kërkojnë vetëm pushtetin. Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dihet kush janë. Shpend Ahmeti i Prishtinës u akuzua nga mediat kosovare se ka flirtuar me klerikë të ndryshëm dhe ka afilacione islamike për të fituar pushtetin në komunën kryesore të vendit. Sa për Albin Kurtin ai u pa në një tavolinë me Isa Mustafën që sot e ka futur në burg. Një koniunkturë e ndërlikuar njerëzish që duan karrige. Situata të sjell në mendje Shqipërinë e viteve ’20 kur Ahmed Zogu akuzohej se fali Shën Naumin e burgoste kundërshtarët. Koha provoi se ai ishte më racional se ata që e kundërshtonin. Sot opozita, sidomos Vetëvendosja, flet për tradhëti dhe hajni, por nuk ka asnjë alternativë sesi Kosova do të ecë përpara dhe do të shmangë gangrenën e korrupsionit dhe të krimit. Koalicioni larman që përfaqëson sot opozitën nuk është taktik: numrat e bëjnë atë një bllok të pashqitshëm. Këresat mandej janë edhe më problematike. Vitet ikin dhe politika kërkon rregullosht shkeljen e ligjit me parrullën: “Lironi vëllezërit tanë”. Albin Kurti ka shkelur ligjin dhe ndaj tij ka një vendim gjykate që e dënon me burg. Dhe këtë vendim nuk mundet ta zhbëjnë këto lloj thirrjesh që bashkë me peticione gjoja intelektualësh nga Shqipëria thjesht konfirmojnë se ne e koncpetojmë shtetin dhe ligjin si letër higjenike. Kurti është në burg dhe duhet të bëjë burgun. Nëse këtë do të dijë ta kalitalizojë për politikë atehërë urimet më të mira. Përndryshe, jemi në kushtet mjerane mendore kur si në Tiranë, politikanë gjithfarëllojësh, që bredhin me torba, apo fërshëllejnë në Parlament me urdhër të të tretëve, vizitojnë në qeli një të arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe zvarriten duke marrë formën e shqiponjës. Dhe këtë e quajnë politikë.
Për t’u kthyer te Kosova: apeli i opozitës është ultimatum dhe asgjë më tepër. Dhe pse është i tillë ai duhet hedhur poshtë pas asnjë lloj hezitimi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.