Robert Hand: Ku e shoh problemin e vërtetë me Shqipërinë

Postuar në 06 Dhjetor, 2015 09:13

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari politik i Komisionit të Helsinkit, Robert Hand i cili ishte një nga organizatorët e vizitës së parë të delegacionit të senatorëve amerikanë që vizituan Shqipërinë në vitin 1990 thotë se megjithë përparimin e shënuar, Shqipëria duhet të kishte ecur përpara me ritme më të shpejta.
"Duhet të flasësh më drejtpërdrejt me njerëzit dhe të kuptosh se cilat janë shqetësimet e tyre. Ata mund të kenë votuar për ty por ndoshta arsyeja është thjesht se kundërshtari yt është më i keq dhe jo sepse mbështesin atë që bën ti. Dhe kur je në pushtet ke përgjegjësinë t’u shërbesh këtyre njerëzve. Dhe nuk besoj se kjo është bërë mjaftueshëm në Shqipëri. Ekziston ideja që kush fiton, duhet të marrë të gjitha përfitimet dhe nuk mban edhe përgjegjësitë që vijnë me fitoren. Kjo është kombinuar mendoj me faktin që gjatë viteve, në Shqipëri – dhe e përforcuar në masë të konsiderueshme nga fakti që ishte pranë ish-Jugosllavisë, me shërbërjen dhe dhunën që ka ndodhur atje – krimi i organizuar, korrupsioni mes zyrtarëve ka qenë i pranishëm gjithnjë e më shumë, gjë që ndikon negativisht tek efektiviteti i qeverisë përsa i takon shërbimit ndaj njerëzve. Njerëzit janë mësuar që sapo merr një punë në qeveri, siguron gjithë ato përfitime e megjithatë nuk jam i sigurt që politikanët kanë arritur ta kuptojnë se cilat janë përgjegjësitë ndaj popullit si qeveritarë. Këtu e shoh problemin e vërtetë me Shqipërinë deri tani"-shprehet Hand.
Ai sugjeron ndjekje penale në radhë të parë të funksionarëve në pushtet që shkelin ligjin
"Kur populli voton që të mos jesh më në qeveri, kjo do të thotë që je i ekspozuar ndaj ndjekjes penale dhe kjo e bën më të vështirë kur mbahen zgjedhjet për këdo që është në pushtet që të ngrejë një sistem në lirë dhe të drejtë sepse si çështje praktike ata duan të qëndrojnë në pushtet për të mbrojtur veten. Dhe mendoj se kjo është intensifikuar me kalimin e viteve. Ajo që do të doja të shihja të ndodhte më shumë sot, është që nëse ka zyrtarë të përfshirë në praktika korruptive, praktika të paligjshme, nuk duhet të pritet derisa të ikin nga pushteti, që të lihet ana tjetër që të hakmerret ndaj tyre, duke i ndjekur penalisht etj. Duhet të ketë përgjegjësi nga udhëheqja që është në fuqi që të marrë masa për të kontrolluar ata që janë në radhët e saj dhe ta bëjë të qartë se një lloj i tillë qeverisjeje nuk është mënyra e duhur se si duhet të qeveriset Shqipëria dhe sigurisht që do ta pengojë integrimin në Bashkimin Evropian, mes të tjerash"-thekson Hand.
Këshilltari politik i Komisionit të Helsinkit është i rezervuar kur flet për të ardhmen e Shqipërisë nisur nga premisat e demokracisë që ka krijuar klasa politike në 25 vite tranzicion dhe sidomos dekadën e fundit.
"Gjatë dekadës së parë mund ta pranoja atë argument, por në dekadën e fundit ose edhe më gjatë se aq, nuk jam edhe aq i bindur dhe është më shumë çështja nëse ekziston vullneti për të ndërmarrë hapat e mëtejshme për të lëvizur drejt demokracisë. Nuk mundemi thjesht të kërkojmë falje për mungesën e demokracisë dhe t’ia vëmë fajin së kaluarës. Vjen një moment, gjërat duhet të ndryshojnë. Për të mirën e vendit, duhet ecur përpara dhe jo të vazhdojmë të justifikohemi. Ndoshta për këtë arsye kam filluar të shihem si kritik i gjendjes aktuale. Dhe besoj apo të paktën shpresoj që këto qëndrime i kam mbajtur pa pasur parasysh nëse ka qenë një qeveri socaliste apo demokratike në pushtet"-deklaron Hand në intervistën për Zërin e Amerikës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.