Heqje taksash, ofertë për anëtarësime masive në PS

Postuar në 06 Dhjetor, 2015 17:00

Kryeministri Edi Rama ka qenë dje në Kukës ku ka zhvilluar disa takime me banorë dhe ka folur për situatën ekonomike në vend. Edi Rama ka deklaruar se kjo që po ndërmerr qeveria është një kurs i vështirë reformash, të cilat do të japin efekt pozitiv ndryshues për 20 vitet e ardhshme. Energjia, taksat, formalizimi, edhe ai i bujqësisë, janë sipas tij hapa të domosdoshëm për t’u quajtur shtet normal, por edhe për të çliruar energji në ekonomi. Formalizimi në bujqësi lidhet me akordimin e fondeve dhe në këtë kuptim, nisma e qeverisë nuk pse t’i trembë fermerët. Më tej, Edi Rama, ka folur edhe për buxhetin e ti, të uljes së taksave dhe hapjes së vendeve të punës, duke mbajtur këtu parasysh vendimin për heqej të taksave për biznesin e vogël. Me këto premisa, merr një tjetër kuptim dhe përfton tjetër natyrë politika e hapjes së PS-së që ai dhe ekipi i tij kanë ndërmarrë së fundmi. Tha kryeministri: “Është shumë e rëndësishme që edhe procesi që po bëjmë brenda Partisë Socialiste, riorganizimi i Partisë Socialiste, zgjedhjet në Partinë Socialiste, hapja dhe rritja e anëtarësisë në Partinë Socialiste të mos shikohet e të mos përjetohet si e shkëputur nga ky proces. Ne na duhet një Parti Socialiste shumë më e gatshme për t’u hapur ndaj shoqërisë. Ne na duhet të ndryshojmë strukturën sociale të organizatës së Partisë Socialiste. Organizata e Partisë Socialiste nuk mund të jetë vendi ku e vetmja temë që flitet është “jam në punë, apo nuk jam në punë”, “u fute ti në punë, pse nuk u futa unë në punë”. Dhe gjithmonë bëhet fjalë për punë në shtet. Organizata e Partisë Socialiste duhet të jetë vendi ku janë të përfaqësuar të gjithë. Edhe ata që janë pa punë, edhe ata që janë në punë; Edhe ata që janë në privat, edhe ata që janë në fushat prodhuese në fshat; edhe ata që janë të rinj në shkollë, edhe ata që janë të rinj pa shkollë. Të gjithë duhet të ndjehen në shtëpinë e tyre në Partinë Socialiste. Kjo është detyra jonë, që ta hapim dhe fuqizojmë Partinë Socialiste, për të fuqizuar edhe më shumë energjinë reformuese të Partisë Socialiste, si një nga dy forcat e një koalicioni ku Partia Socialiste ka përgjegjësinë më të madhe, sepse është forca më e madhe”. Një mesazh që ka ngjyrime të qarta që kanë të bëjnë me LSI-në dhe aftësinë e saj për të akapruar çdo gjë, sikurse përkundrejt ofertës “me lekë në dorë” që kjo parti flitet se aplikon në zgjedhje, kryeministri ka ofertën e gjerë të heqjes së taksave dhe lehtësive të tjera. Aspekti pozitiv i kësaj politike është se për herë të parë një kryeministër po bën të qartë dhe po e heq barrën e detyrimeve për të konvertuar militimin partiak me vende pune në shtet. Por po kështu, nisma e tij për heqje taksash për atë biznes që kryesisht është familjar, në thelb ka edhe natyrë elektorale, sikurse ishte një masë e diktuar nga dështimi spektakolar i aksionit kundër informalitetit. Oferta e sotme për anëtarësime orientohet pikërisht ndaj kësaj kategorie që ka si përfitim këtë politikë çliruese që vjen dy vjet para zgjedhjeve parlamentare si një politikë e majtë, por edhe si një investim partiak.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.