Projektbuxheti 2016/Kërkesa për ndryshime nga shoqatat e biznesit dhe profesionet e lira

Postuar në 04 Dhjetor, 2015 18:21

Diskutimi për projektbuxhetin 2016 është një ngjarje me rëndësi, pasi për një vit aty përcakohen politika që prekin gjithkënd. Aq më shumë merr rëndësi kjo, në kontekstin e një viti të vështirë si ky 2015, ku edhe qytetarët, por edhe qeveria hasën në jo pak probleme. Qeveria u detyrua të rishikonte disa herë planin e të ardhurave dhe në muajin shtator-tetor ndryshoi radikalisht qasjen, nga represion ndaj informalitetit në luftë ndaj tij me mjete më të zgjuara siç është një politikë e re fiskale e zerimit të taksës për biznesin e vogël. Mirëpo në kuadër të diskutimeve për projektbuxhetin e ri 2016, shoqata të biznesit kanë vërejtje, pasi sipas tyre nuk ka një konsultim për taksat që do të aplikohen. P.sh sot përfaqësues të tyre kanë bërë të njohur kërkesat për ulje të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, Tatim Fitimit dhe dividentit dhe taksës së pronës në bujqësi, turizëm, transport dhe në industrinë e veshje-këpucëve. Sipërmarrjet kërkojnë të shtohen edhe disa kategori të tjera biznesi, si fermë apo shoqëri holding, të cilat ndahen edhe për nga niveli i taksave. Gjithnjë me argumentin se kjo politikë do të përmirësonte klimën dhe do të bënte produktet shqiptare më konkurese, bashkë me rritjen në aftësinë blerëse të qytetarëve.

Nga ana tjetër, po sot Asambleja e Profesioneve të Lira(Avokatia, arkitektët, inxhinierët, noterët, Urdhri i Mjekut, i Farmacistit, i Infermierit, i Stomatologut) ka përpiluar një Memo drejtuar Parlamentit përmes së cilës kërkoghet rishikim i “ndryshimev ligjore të propozuara nga Këshilli i Ministrave për ndryshimin e ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, si dhe në ligjet e tjera të paketës fiskale, të cilat janë aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë, si ndryshime ligjore që cënojnë ndjeshëm ushtrimin e profesionit të profesionistëve te ndryshëm në mungesën e plotë të konsultimit me grupet e interesit”. Çfarë do të thotë kjo shpjegohet nga vetë të interesuarit: Qeveria ka bërë këtë shtesë në ligjin e sipërcituar: “Për kategori të veçanta personash, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale, përfshirë edhe punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, profesionet, paga për efekt të llogaritjes të kontributeve si dhe kriteret e përcaktimit të saj, deri në nivelin e pagës maksimale, caktohen nga Këshilli iMinistrave.” Në Memo thuhet se “...nuk përjashtohet mundësia e caktimit të nivelit të pagave për profesionistët e lirë,në kufirin e pagës maksimale, si bazë për të cilën llogariten kontributet e sigurimeve në përqindje të caktuar nga ligji”. Nëse do të ndodhë kjo atëherë nuk përjashtohet mundësia që disa biznese të tilla të falimentojnë, pasi sipas Asamblesë në fjalë “detyrimet që parashikohen nga një veprim i tillë, arijnë në nivelin mbi 5 herë më të larta se niveli aktual i detyrimeve që ata paguajnë”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.