Marrëzia e një udhëzimi - 37 milionë euro penalitete për 100 tonë sheqer pa faturë!

Postuar në 01 Dhjetor, 2015 14:23

Ministria e Financave po përgatit udhëzimin “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË UDHËZIMIN NR. 24 DATË 02.09.2008 “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” I NDRYSHUAR, i cili do të shërbejë si bazë për zbatimin e ndryshimit të ligjit të procedurave, që hyri në fuqi në 12 nëntor dhe që parashikon ashpërsim të ndjeshëm të gjobave dhe penaliteteve ndaj bizneseve me shkelje.
Një ndër penalitetet më të larta, që parashikohet nga ndryshimet e fundit të ligjit të procedurave dhe që ka ngjallur kundërshtime te biznesi është ai i gjobës në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore për tatimpaguesi, që shet mallra me shumicë, që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore.
Në draftin ende paraprak të financave (që disponohet nga Monitor), parashikohet se si do të procedohet konkretisht me këtë masë, duke dhënë dhe shembuj konkretë.

Në shembullin e dhënë në draft, penalitetet në formën e gjobës dhe dhe detyrimit për TVSH e tatim fitimin, që lindin si rrjedhojë e rivlerësimit tatimor për një periudhë 6 mujore, për një biznes që i gjenden 100 ton sheqer, arrijnë deri në 5.2 miliardë lekë, apo 37 milionë euro (sipas shembullit 1, që e gjeni të plotë më poshtë biznesi ngarkohet me: Gjobë 10 milionë lekë; rivlerësim TVSH-jë 2.94 miliardë lekë dhe detyrim tatim fitimi 2.2 miliardë lekë, që arrijnë në total rreth 5.2 miliardë lekë).
Për krahasim, në bazë të listës kompanive më të mëdha, sipas xhiros, sipërmarrja më e madhe tregtare në vend, që ndër artikuj të tjerë importon dhe përpunon sheqer kishte një qarkullim vjetor prej 22 milionë eurosh në vitin 2014!

Udhëzimi
Në kuptim të kësaj pike, tatimpagues që shet me shumicë është çdo person i tatueshëm, në kuptim të nenit 59 të ligjit dhe pikës 59 të këtij Udhëzimi, i cili kryen veprimtari tregtare të furnizimit të mallit me shumicë, pavarësisht nga fakti nëse është person i tatueshëm, subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar e te tatimit mbi fitimin apo, persona te tatueshëm, tatimpagues i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël.
Kjo dispozitë nuk zbatohet për tatimpagues (prodhues, importues) që tregtojnë me shumicë për tatimpagues të tjerë të regjistruar, por njëkohësisht kanë si pjesë të biznesit të tyre edhe njësitë e tregtimit me pakicë për publikun (rrjet dyqanesh) të pajisura me NIPT-e sekondare dhe pajisje fiskale. Automjete e pajisur me NIPT-e sekondare, të cilat përdoren për shitjet me shumicë “derë më derë”, nuk konsiderohen njësi të tregtimit me shumicë.
Përjashtimit, për të gjithë tatimpaguesit, të cilët me vullnetin e tyre bëjnë vetdeklarimin e mallit që kanë gjendje pa dokumente tatimore, me anë të një fature të përgatitur nga blerësi, sipas nenit 53, të këtij ligji, brenda datës 31.12.2015, nuk do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në nenin 121 të ligjit të procedurave.

Shembull 1:
Në datën 5 dhjetor 2015, një tatimpagues X është duke u kontrolluar nga administrata tatimore, e cila konstaton se ky subjekt ka në magazinën e tij 100 ton sheqer të pajustifikuar me dokumentin e faturës me tvsh të blerjes së këtij malli. Në këtë rast,
tatimpaguesi X ngarkohet me këto penalitete:
1. Gjobë në masën 10 000 000 lekë për konstatimin;
2. Konfiskim i gjithë sasisë së sheqerit. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall.
3. Rivlerësim i të ardhrave tatimore të 6 muajve të mëparshëm, me shumën 100 ton sheqer x cmimi i shitjes me pakicë të sheqerit, pa TVSH, prej 100 ton x 80 lek/kg = 8,000,000 lek.
Të ardhurat ditore të 6 muajve të mëparshëm nga data 5 qershor -5 dhjetor 2015 rivlerësohen me 8,000,000 lek për cdo ditë. Në total të ardhurat që rivlerësohen janë: 8,000,000 lek * 184ditë= 14,720,000,000 lek për 6 muaj*.
Mbi shumën 14,720,000,000 lek zbatohet tvsh në masën 20%, dhe detyrimi për tvsh është i barabartë me 2,944,000,000 lek, si dhe 100% e detyrimit të tvsh prej 2,944,000,000 lek.
Mbi shumën 14,720,000,000 lek zbatohet tatimi mbi fitimin prej 15%, dhe detyrimi për tatimin mbi fitimin është i barabartë me 2,208,000,000 lek.
Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mbajë në ruajtje, të përdorë apo të transportojë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, konsiderohet evazion tatimor, sipas nenit 116 të ligjit dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin.

Shembull 2:

Referuar shembullit 1, në rast se tatimpaguesi, me vullnetin e tij të lirë, zgjedh të bëjë vetdeklarimin e sasisë 100 ton sheqer, të cilën e ka në ruajtje pa dokument tatimor, procedura që duhet të zbatojë është si më poshtë vijon.
Tatimpaguesi zgjedh të bëjë vetdeklarimin e mallit që e ka pa fature në datën 20 nëntor 2015. Për këtë arsye, tatimpaguesi përdor Faturën e përgatitur nga blerësi, përcaktuar sipas nenit 53 të ligjit të proecdurave . Në këtë faturë, tatimpaguesi shënon tek. Tek kjo faturë, tatimpaguesi është i detyruar që të shënojë në faturën e përgatitur për veten e tij edhe numrin e tij te identifikimit.
Kjo faturë paraqitet pranë administratës tatimore për efekt të vetdeklarimit të mallrave gjendje, por kjo faturë nuk është dokument që justifikon shpenzimet e zbritshme të tatimpaguesit për efekt te llogaritjes se tatimit mbi fitimin.

"Monitor"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.