Gërryerja morale dhe humbja e kuptimit të festave të Nëntorit

Postuar në 29 Nëntor, 2015 15:15

28 dhe 29 kujtohen të ndara. Nga “e djathta” kujtohet vetëm 28-a, kurse nga “e majta” të dyja. Pretendimi është identik: të dyja grupimet, banda hajdutësh, pretendojnë se kështu i përkasin dhe respektojnë një trashëgimi të caktuar historike. Kuptohet për 29-ën do ketë edhe ca vite inerci, derisa brezi i fundit i veteranëve të ketë vdekur e të mos ketë më vlerën elektorale që ka tani për parti të mykura si PS-ja, apo parti qokash si LSI. Në vijim mund të mendohet se festat historike që lidhen me Luftën Nacionalçlirimitare do të vijnë drejt degradimit ceremonial, alla Natë e Bardhë, ku të gjithë mblidhen, hanë dhe gjuhen me njëri-tjetrin, por vështirë se kjo lidhet diçka me atë për të cilën janë mbledhur.

Festat duhen mbajtur gjallë se janë tubime që qoftë edhe pa vetëdije nxisin idenë e përkatësisë. Por ata që sot thirren si provë materiale historike, pra dëshmorët, vështirë të besohet se do kenë luftuar për zënkën 28 apo 29, apo që pasardhësit e tyre të lëshohen në të ngrënë e në të pirë, rrëpirave të Pezës, apo shesheve libertine të Tiranës. Me gjasë një pjesë e tyre as që e dinin për çfarë bëhej lufta në të vërtetë. Në fazën e tanishme ka një rëndësi të vetën zhveshja përfundimtare e lëkurës së respektit dhe nderimit formal që politika hedh krahëve sa herë ka ndonjë adet tillë, e ku gjen rastin të flasë njëherë një fjalë që ngjit në popull. P.sh lexoni se çfarë thotë Luan Rama i LSI-së, një parti që para dy vjetësh u përfol se sponsorizonte njerëz që të ngrinin lart fotografi të Enver Hoxhës:

“...është shenja tipike e pafytyrësisë politike dhe e sjelljes hipokrite. Raste të tilla nxjerrin lakuriq në sytë e popullit ata që vijnë këtu dhe e bëjnë homazhin për hipokrizi. Janë ata që i kanë rivrarë dëshmorët me qëndrimin e tyre. Nderimi për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për ata që sakrifikuan jetën për çlirimin e atdheut, është detyrim i brezave dhe betimi ynë për ta patur ëndrrën e tyre busull orientimi për të bërë më të mirën për Shqipërinë evropiane”.

Ta kesh përballë me siguri nuk përmbahesh dot dhe të vjen ta përqafosh me lot në sy Luanin e ëndrrës atdhetare dhe angazhimit lësëist. Por Luani mbase e percepton se fakti që politika bën këtë lojë nuk i hyn më njeriu në sy, përveçse atyre që mbushin xhepin me mexhitet e turkoshakëve që dominojnë jetën e këtij vendi. Po kështu, vështirë se beson më njeri se Ilir Meta dhe Luani që i shkon nga pas, na qenkan të ndarë me “tradhtarin” Sali Berisha për çështjen e...Datës. Dhe ca më keq se Ilir Meta na përfaqësoka ëndrrën atdhetare! Të paktën atë që dimë nga librat, se ndoshta Iliri ka lexuar tekstet apokrife. Pasi, nëse ka një përvojë që të gjithë e kemi tani si pasuri të përbashkët është se nëse njerëzit nuk ndahen për lekë, nuk ndahen për asgjë. Dhe Iliri me Berishën nuk u ndanë për lekë. Si vallë do na u ndakan për një datë? Sa për PS-në dhe kryeministrin, një njeri i iluminuar herët, kur që në vitet ’90 fliste për gjakun e dëshmorëve me përbuzje dhe përçmim, për këta nuk besohet se kanë ndonjë festë a ceremoni, përveç takimeve në restorante luksozë ku kalojnë kohën duke marrë nëpër gojë dynjanë, apo duke tallur njëri-tjetrin.

Datat përkujtohen jo vetëm për sakrificat dhe kontributet, por edhe për të vlerësuar atë që është arritur përmes tyre. Teksa shohim Ilirin në ballë të moralit, Edi Komikun, që i rri nga pas me përgjërim dhe Saliun nga ana tjetër, njeriu ka të drejtë të pyesë: po pse këtë arritëm e për këtë festojmë?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.