Arrestimet në Prishtinë dhe “arrestimet” në Tiranë

Postuar në 30 Nëntor, 2015 01:56

Arrestimi i Albin Kurtit po detonon një tërbim propagandistik në Kosovë i shërbyer si kauzë përcaktuese e lirisë dhe demokracisë. Rexhep Qosja flet madje për një Bastijë, duke invokuar një revolucion eventual në një shtet që s’ka as 8 vjet ymër. “Ata që e urdhëruan dërgimin e Albin Kurtit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz – në Bastijën e Kosovës: Isa Mustafa e Hashim Thaçi, nuk e kanë mësuar historinë: ata s’dinë se Bastija e Francës është rrënuar prej atyre që rrëzuan tiraninë mbretërore dhe krijuan Republikën e Francës”, shkruan Qosja në një stil nolian(http://koha.net/?id=27&l=86607). Nuk dihet ku qëndron problemi tamam në këtë rast, pasi askush nuk jep një zgjidhje. E qartë është se nuk mund të vazhdohej më me bomba lotsjëllëse në seancat plenare, sikurse nuk mund të besohet shumë një opozitë që bërtet për krim e korrupsionin, kur vetëm nja dy vite më parë desh u bë vëllam me Isa Mustafën. Nëse fjala është se teknikisht, arrestimi i Albin Kurtit ishte brutal, a se ndonjë polic mund t’i ketë prishur kaçurrelat gjatë ndalimit, kjo është çështje që del jashtë spektrit të shqyrtimit politik. Nëse e shohim situatën në të dy aspektet, do përmendur edhe ekspozeja e policisë së Kosovës, e cila vë theksin se “Mjetet të cilat janë konfiskuar nga Policia e Kosovës janë mjete që disa prej tyre hynë në kategorinë A të armëve të zjarrit, dhe janë mjete mjaft të rrezikshme duke përfshirë edhe pajisjet tjera që janë konfiskuar si dëshmi dhe si prova materiale”(http://koha.net/?id=27&l=86559). Nuk ka gjasë që këto të jenë stisje alla UDB, ndaj e mira e punës e do që të pritet gjykimi. Le të mendohet për një çast sesi do të duhej të veprohej në një shtet normal nëse ndaj Kurti një deputet do të bënte kallëzim penal për cenim sigurie gjatë seancës plenare. Kurti do të dalë, por me një barrë penale në kurriz, çka e kufizon marshin e manovrës, pasi një parti si VV-ja, nuk mund t’i lejojë vetes që të zhvendosë të gjithë aksionin në rrugë. Përndryshe jemi para një krize kapitale. Por arrestimi, fiton një tjetër vlerë kur shihet nga perspektiva e Shqipërisë: ndonëse akt delikat për pushtetin e Prishtinës, ai dëshmon që aty të paktën është dikush që merr vendime, pavarësisht vlerës së tyre. Shikoni njëherë se çfarë ndodh në Republikën e Shqipërisë, këtë pallavër 103 vjeçare. Shikoni sesi sillen deputetë të caktuar me forcat e policisë dhe secili le të bëjë krahasimin dhe të nxjerrë përfundimin. Fundja Kurti do lirohet, madje me aureolë heroi. Çështja e tij nuk është burgosja, por konfrontimi, i cili është simetrik, qoftë edhe duke e parë nga detyrimi shtetëror, qoftë nga retorika e tij nihilizuese. Në Shqipëri edhe përmes këtyre "akteve", askush nuk kupton se kush drejton teatrin dhe kush vendos:

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

Me gjithe respektin qe I kam borxh si leaderve te VV ashtu edhe cdo njeriu tjeter... te pakte jane njerezit qe ne nje shtet ligjor kudo qe te jete ne cilindo kontinent, do ta kishte bere burgun me shume hak sesa z. Kurti.
Sulmi me boje te kuqe/veze/gaz lotsjelles etj etj jane kryerrugaceri qe edhe nje qytetar shqiptr si puna ime qe I kane pare syte lloj-lloj palacolleqesh nuk e pranon dot. Perdorimi I forces denohet me burg dhe mire ti behet. Shpresoj qe mos te degjojme me rrugaclleqe te tilla nga Prishtina pas kesaj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.