“Iraku ishte një gabim i jashtëzakonshëm, por kundër ISIS duhet ndërhyrje tokësore”

Postuar në 29 Nëntor, 2015 21:51

"Lufta e Irakut ishte një gabim shumë i madh dhe me pasoja. Largimi brutal i Muhamer Gedafit ishte një gabim që e ktheu Libinë në një shtet të falimentuar...".

Tanimë nuk është më e re: aksioni kryesor amerikan i pas Luftës së Ftohtë, ndërhyrja e armatosur në Irak në vitin 2003 dhe hapja e procesit tragjik të zëvendësimit të liderëve nacionalistë aravë me parti fetare, po rezulton një politikë fatale, të cilën e paguan edhe autorja: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tony Blair e pohoi para disa javësh në një intervistë për CNN, për t’u përforcuar si ide dhe bindje me deklarimet e ish-kreut të Shërbimit Sekret Ushtarak të SHBA-ve, Michel Flynn. Përmes një interviste për revistën gjermane “Spiegel”, Flynn pohon se ajo që ndodhi me Irakun dhe Sadam Husseinin ishte gabim i jashtëzakonshëm: “Kur ndodhi 11 shtatori, emocionet mbizotëruan dhe përgjigja jonë ishte: “Nga vijnë këta maskarenj? Shkojmë dhe i vrasim. Në vend që të pyesnim veten tonë se përse na sulmuan, ne pyesnin se nga vinin ata. Pastaj ne ecëm në një kurs të gabuar strategjik. Së pari shkuam në Afganistan, ku kishte qendrën Al-Qaeda. Pastaj shkuam në Irak. Në vend që të pyesnim veten se përse dukuria e terrorizmit po ndodhte, ne kërkonim vendndodhjet. Ky është një mësim shumë i madh që ne duhet ta mësojmë në mënyrë që të mos bëjmë të njëjtat gabime sërish. Lufta e Irakut ishte një gabim i jashtëzakonshëm. Sado brutal të ishte Sadam Hussein, ishte gabim eliminimi i tij. E njëjta vlen edhe për Moammar Gadhai dhe për Libinë, që tani është një shtet i dështuar. Mësimi historik është se ndërhyrja në Irak ishte një dështim strategjik. Historia nuk do të jetë dhe nuk duhet të jetë e mirënjohëse për këtë lloj vendimi”, thotë Flynn. A përbën kjo qasje një pendesë të vërtetë në SHBA, e tillë sa të kufizojë sërish emocionalisht dhe të kushtëzojë strategjitë e reagimit përballë sfidave të reja në botë? Nuk dihet, por dilemat e administratës Obama pasqyrojnë vetëfrenimin e SHBA-së pas dështimit në Irak. Flynn shton se Perëndimi nuk duhet të shohë nga ermat: Al Bagdadi është më i zgjuar dhe efektiv sesa Bin Laden dhe Zawahiri, të cilët edhe kur shfaqeshin publikisht, kërkonin të dukeshin luftëtarë.

ISIS: Një organizatë me strukturë kohezive

Si një ish-drejtues i shërbimit sekret ushtarak, Flynn jep disa hollësi për Shtetin Islamik që nxjerrin në sipërfaqe një strukturë të aftë organizative. Raqqa, kryeqyteti i tij, është i ndarë në sektorë, sipas gjuhës së përdorur. Ka madje edhe një sektor australian. Nga ana tjetër ISIS ka ditur shumë mirë të kapitalizojë median dhe të jetë tepër rigoroz në dokumentin e procesit të rekrutimit. Një nga aftësitë më të mëdha të Al Baghdatit ka qenë rekrutimi në masë të madhe nga vende të tjera: 1 500 çdo muaj, krahasuar me 150 çdo muaj që arrinte Zarqawi, duke provuar kështu aftësi në përpunimin politik, por edhe në organizim ushtarak(http://www.spiegel.de/international/world/former-us-intelligence-chief-d...).

Ndërhyrja tokësore dhe karta izraelite

Ndaj kësaj sfide e cila ka sjellë në Siri dhe Irak angazhimin direkt të disa fuqive dhe sidomos Iranit dhe Rusisë, Flynn propozon një aksion: ndërhyrjen tokësore, duke paralajmëruar se “do të duhet një bashkëpunim konstruktiv me Rusinë”. “Është e trishtueshme, por ne duhet të çojmë trupa në terren. Nuk do t’ia dalim dot vetëm me sulme ajrore. Por strategjia e përgjithshme do të duhet të çojë në rimarrjen e territorit që sot kontrollohet nga ISIS, vendosja e sigurisë dhe stabilitetit për të lehtësuar rikthimin e refugjatëve. Së pari ne do të duhet të shkatërrojmë dhe eliminojmë tërësisht kupolën e ISIS, të asgjësojmë rrjetin e tyre, ndalojmë operacionet financuese dhe të qëndrojmë derisa një ndjesi normaliteti të jetë vendosur. Do të kërkojë vite. Shihni modelin e Ballkanit”, shprehet Flynn. Dhe në fakt një arysye që SHBA-të të ndërhyjnë me trupa po jepet nga Izraeli. Sot gazeta “Haaretz” publikon një analizë ku që në titull ngre alarmin se ISIS po planifikon të sulmojë Izraelin. Gazeta referon disa burime të sigurisë sipas të cilave janë dy arsyet përse besohet se ISIS do të godasë: afrimi i forcave të konsiderueshme të organizatës vetëm 80 km nga kufiri siriano-izraelit në Lartëisë Golan dhe rritja e numrit të palestinezëve që kërkojnë të identifikohen me ISIS. Por në shkrimin në fjalë, vihet në dukje se Shteti Islamik nuk konsiderohet edhe aq kërcënues për forcat ushtarake izraelite: “Forcat e ISIS deri më tani kanë shmangur konfrontimin me Hezbollahun dhe kur janë përballur me kurdët peshmerga janë tërhequr. ISIS ka sukses zakonisht kur operon në vakumin e krijuar nga shtete të dobëta, apo siç pamë dy javë më parë në Paris, kur shfrytëzon lëvizjen e lirë dhe kufijtë e hapur...”, thuhet në shkrim. Një përfshirje e Izraelit, edhe pse trajtohet si me pak gjasa për momentin, do të hapte një front të ri për sigurinë e mbarë rajonit, por edhe të Mesdheut.  Ndërsa ISIS konsiderohet nga “Haartez” si ende jo kërcënim kryesor, palestinezët kanë nisur të kërkojnë identifikimin me të, çka do të thotë se organizata tradicionale, Hamas, mund të përballet me sfida të brendshme. Ngjan po kështu shumë e papritur që teksa bombat ruse, franceze e britanike, bashkë me trupat e Assadit dhe iraniane e amerikane, janë mbi Shtetin Islamik, ky i fundit sërish lexohet si një organizatë që ka mundësitë dhe kapacitetin të sulmojë një tjetër shtet(http://www.haaretz.com/israel-news/.premium-1.688949?utm_campaign=Echobox&utm_medium=Social&utm_source=Facebook). 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.