Gjashtë fuqi të angazhuara në Siri. A janë të gjithë kundër ISIS?

Postuar në 28 Nëntor, 2015 22:28

Kriza siriane po kthehet me shpejtësi në një krizë ruso-turke që me gjasë mund të përfshijë edhe aktorë të tjerë. Në themel të përballjes duket se qëndron cenimi i interesave të mëdha të Turqisë dhe Erdoganit nga njëra anë, që kanë investuar shumë, pa sukese deri më tani në goditjen e regjimit shiit të Bashar Al-Assadit dhe nga ana tjetër qëndron irritimi dhe shqetësimi i fuqive krysore perëndimore, SHBA-Britani për suksesin e ndërhyrjes ruse. Parë në këtë aspekt kriza siriane po merr formën e një subversioni të dyanshëm që e çon edhe më larg zgjidhjen e vërtetë. Më urgjente është mënyra sesi do të qetësohen raportet ruso-turke, të cilat po kapin pika kritike. Kështu presidenti rus, Vladimir Putin ka miratuar masa të reja ndaj Turqisë: nga 1 janari 2016 asnjë shërbim turistik, asnjë paketë turstike nga Rusia nuk do të ketë si destinacion Turqinë. Dhe kjo është me të vërtetë një goditje shumë e fortë. Mjafton të përmendet këtu se nga 37 milionë turistë që vizituan Turqinë në vitin 2014, 4.5 milionë ishin nga Rusia(http://www.todayszaman.com/monday-talk_tourism-sectors-gur-zero-problems-with-neighbors-turned-into-complete-problems-with-neighbors_397285.html).

Nuk dihet nëse Putin do të ecë më tej duke bërë lojëra me gazin, si në rastin e Ukrainës, por tensioni i krijuar nxitet edhe nga fakti se rrëzimi i avionit rus, po mbingarkohet edhe nga cenimi i krenarisë dhe prestigjit. Dhe këto të dyja vlejnë për vende të mëdha. Një luftë e madhe po zhvillohet edhe përmes propagandës: zëdhënësi i Kremlinit tha se Moska ka informacione se djali i presidentit turk, Erdogan, ka interesa të mëdha në trafikun e naftës me militantët në Siri. “Ka të dhëna që provojnë se djali i Erdoganit ka interesa në tregti nafte me militantët”, tha zëdhënësi Peskov. E njëjta deklaratë u përsërit nga ministri sirian i Informacionit, Omran al-Zoubi, duke tentuar kështu ta kthejnë leximin e krizës më të re në një axhendë personale të familjes Erdogan(http://www.presstv.com/Detail/2015/11/28/439487/Russia-Turkey-Erdogan-son-oil-trade).

Të gjitha këto zhvillime erdhën ndërkohë që Perëndimi dhe Rusia arritën një marrëveshje në Zvicër për Sirinë, që parashikonte zgjedhje parlamentare, ndryshim të Kushtetutës dhe të drejtën që një pjesëtar i familjes së Assad, por jo presidenti aktual, të merrte pjesë në to. Diçka që nuk i ka pëlqyer dikujt në Perëndim, përderisa pak ditë më vonë, ndodhi rrëzimi i avionit, i cili për Kremlinin është operacion i drejtuar nga amerikanët. Lajmet që vijnë nga mediat ruse flasin “për sulme me mortaja nga brenda territorit turk drejt trupave qeveritare siriane”(http://sputniknews.com/middleeast/20151128/1030923106/syrian-army-mortars.html), informacione që i hedhin benzinë zjarrit dhe thjesht përgatitin opinionin për kundërpërgjigjen ruse. E cila po kërkon një sebep që të shpagojë atë që ndodhi me avionin Su 24. Duhet thënë se nëse nga analistët rusë prej disa muajsh flitej për të ardhmen e Sirisë si pjesë e strategjisë ruse në Mesdhe, por asnjëherë pa miratimin e Perëndimit, aktualisht në Perëndim ka nisur të hidhet ideja e një shteti sunit, që do të legjitimonte territoret e kapura nga ISIS. Dhe kjo, ndonëse suksesi i fushatës ruse është i dukshëm, përderisa këto ditë ISIS po bëhet gati të braktisë edhe Halepin, që ishte një pikë e fortë. Të kujtojmë se Kremlini në idetë më minimaliste fliste për një ndarje të Sirisë, por pa lejuar që çdo njësi politike me bërthamë terroriste të legjitimohej. Meqenëse militantët e ISIS nuk po duken të aftë të përballojnë sulmet nga ajri, e për pasojë janë aktualisht një rrezik minimal për armikun kryesor të Perëndimit, Bashar Al Assad, SHBA kanë menduar që të hedhin trupat e veta në terren, ndonëse kjo masë nuk është shoqëruar me ndonjë objektiv të qartë. Madje disa gazeta kryesore në SHBA kritikojnë duke thënë se kjo nuk do të zgjidhë ndonjë gjë. E vërteta është se trupat në terren ndoshta janë aty për të frenuar çdo përparim tërësor të Assadit dhe trupave të tij, me ndihmën e Rusisë, ndërkohë që SHBA në Siri po përballet edhe me Iranin. Sot “Washington Post” i bënte jehonë lajmeve se trupa iraniane po luftojnë në Siri duke nënvizuar se “Irani kërkon ta demonstrojë këtë gjë”. SHBA i ka duart të lidhura për fushatë ajrore ndaj Assadit, qëkurse Rusia bëri të njohur instalimin e sistmit S 400 në Latakia, një mesazh i qartë se luftës do t’i shkohet deri në fund. Siç shihet bota ndodhet përballë një krize që ka përfshirë në aksione direkte të paktën 6 fuqi të mëdha, pa përmendur këtu fuqi rajonale si Arabia Saudite. Si mund të veprohet nëse incidentet do të përballin drejtpërdrejt Rusinë dhe Turqinë? Këtë askush nuk e thotë, por veprimet në terren flasin se një skenar i tillë është marrë tanimë me mend prej të gjithëve. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.