Autochthonous Albin

Postuar në 29 Nëntor, 2015 00:24

Albin Kurti u shfaq ditën e 28 Nëntorit në manifestimin e opozitës së bashkuar kosovare për të shpëtuar Republikën nga korrupsioni, vasaliteti apo “tradhëtia” kombëtare. Jo e rastësishme një protestë e tillë në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, çka e vërtetoi edhe vetë fjalimi i Albin Kurtit që deklaroi publikisht dhe politikisht se nuk njeh flamurin lara lara të Kosovës, por atë me shkabë dykrenare.Zyrtarisht nga sheshi qëndror i Prishtinës opozita artikuloi një kërkesë politike që zhbën gjithçka është arritur deri më tani në Kosovë me ndihmën e faktorit ndërkombëtar.

Albin Kurti në një farë mënyrë u shfaq si prijës i bashkimit kombëtar, por  te arrestimi i tij opozita kosovare sheh vetëm fytyrën e regjimit të Isa Mustafës megjithë pikëpyetjet që ngre ky përcaktim dhe jo heroin apo aspiratën e kauzës kombëtare. Dhe kjo konsideratë vijnë nga një ish-luftëtar I UÇK-së si Fatmir Limaj, që përkon të jetë edhe pjesë e opozitës së bashkuar. “Ky regjim me masa represive dhunon zyre, shtyp zërin opozitar, ky regjim burgos deputetë. Kjo është demokracia e Isës e Hashimit, kjo është fytyra e vërtetë e tyre” shkruan Limaj në rrjetet sociale.

Pra veç Albin Kurtit pjesa tjetër e opozitës duket e shkarkuar nga tonet nacionaliste dhe gjithçka ndodhi në Prishtinë e lidh me luftën e saj për demokraci.Nga faktori politik shqiptar në Maqedoni nuk pati ndonjë reagim për zhvillimet në Kosovë përveç atij të shkrimtarit Kim Mehmetit që përcolli më shumë një koment sentimental mbi lirinë e munguar të shqiptarëve edhe pas epokës së Millosheviçit. “Kush mund ta paramendonte se Prishtina ku u shënua kalendari i rezistencës dhe i krenarisë shqiptare, këtë 28 Nëntor do e kremtojë si në kohën e Millosheviqit – me rrugë të bllokuara nga policia, me seli partiake të pushtuara nga forcat policore, me arrestime provokuese!?”-shkruan Mehmeti.

Në të njëjtën gjatësi vale ka qenë edhe reagimi i shkrimtarit Rexhep Qose që flet për një politikë represioni të qeverisë mbi opozitën kosovare “Mënyrat e dhunës dhe terrorit të Sllobës nuk kanë vdekur: ato, ja, po përsëriten në Kosovë! Po i përsërisin ata që i kanë shërbyer regjimit të Millosheviqit, e fati i zi i Kosovës ka bërë që sot ata të sundojnë në Kosovë”

Ndërsa nga Shqipëria ka reaguar zyrtarisht PDIU e çamëve të Shpëtim Idrizit dhe analisti Koço Danaj në televizionin Neës 24. Këta të fundit nëese mund t’i quajmë përfaqësues të Tiranës bënë thirrje për qetësi dhe maturi përballë provokimeve të çdo lloji. Koço Danaj i njohur për tezat e tij kombëtariste e sheh problemin po ashtu te qeveria e Kosovës që sipas tij është e gatshme të arrestojë gjithë lidershipin e opozitës për të përmbushur interesat e tyre dhe të Serbisë.

Në manifestimin e 28 Nëntorit  në Prishtinë u pa edhe bezja e stampuar me mbishkrimin Autochthonous që u ngrit mbi stadiumin e Beogradit, për të cilin ka marrë autorësinë Ballist Morina. Edhe kërkesat e tij nuk ndryshojnë nga ato që artikuloi sot Albin Kurti me të cilin tashmë ndajnë të njëjtin persekutim nga politika që ata e quajnë antikombëtare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.