Dualizmi në qeverisje: LSI, si zëri i arsyes!!!

Postuar në 28 Nëntor, 2015 18:22

Ilir Meta, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëherazi kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka nisur ditët e fundit një lloj turi diplomatik që konsiston në disa takime në Itali dhe në Gjermani. Nuk ka ndonjë gjë të qartë se ku synon ky tur, por për me siguri mund të thuhet se ai do vendosur në kontekstin e një përpjekjeje të Metës për të rikapur disa pika vlerësimi në imazhin e vet në arenën ndërkombëtare. Imazh i dëmtuar rëndë nga skandalet e bujshme mediatike të kohëve të fundit, por edhe nga njohja e tij si politikan i aferave të errëta. Gjithsesi ka rëndësi dhe tërheq vëmendjen deklarata e tij në Gjermani, ku ai ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e Ditëve të nëntorit shqiptar në Dyserldorf. “Fakti që ende të rinjtë largohen nga vendi ynë tregon që kemi shumë rrugë për të bërë, ndaj edhe reformat që kemi ndërmarrë janë mjaft të rëndësishme për të kthyer akoma më shumë besimin tek qytetarët tanë, sidomos tek të rinjtë, për ta parë të ardhmen në vendin e tyre”, ka thënë Meta. Ky konstatim realist dhe që i bën jehonë një problemi strategjik për Shqipërinë, siç është boshatisja e saj dhe ikja masive, bie ndesh me tezën zyrtare të qeverisë shqiptare sipas së cilës shumica e shqiptarëve që ikin ë Gjermani janë emigrantë në Greqi. Del këtu një zë i arsyeshëm i mazhorancës, i cili qëllimisht nuk fshihet pas demagogjisë të shpëlarë të adoptuar nga kryeministri dhe ushtarët e tij ministra. Një zë që kërkon në mënyrë të kalkuluar shqetësimin e njerëzve me nevojënpër përfaqësim, të ciln propaganda e qeverisë nuk e mundëson. Nga ana tjetër, kjo qasje, përpos disa kundërvënieve për tema të tjera, si reforma në drejtësi, apo ligje të caktuara, krijojnë një panoramë të dualizmit në qeverisje. Pse ka rëndësi kjo tani? Po të kthehemi pas në kohë, para zgjedhjeve lokale, mund të kujtojmë sesi Ylli Manjani, aktualisht ministër i Drejtësisë, deklarohej shpesh “për një bashkëpunim afatagjatë me PS-në”, deri edhe në idenë e një Federate. Kjo kohë ka kaluar dhe tani jemi në kushtet kur Meta po kërkon të diferencojë perceptimet mbi qeverisjen, kur përkundrejt një PS-jë që ul kokën e dëgjon pallavrosjet e kryeministrit dhe ministrave, LSI-ja dhe Ilir Meta po vendosin “hapjen” e financave online, të veprimit ndaj korrupsionit, apo edhe ca më tej, të paralelizimit të alternativave brenda vetë qeverisë. Ky operacion që lidhet me zgjedhjet parlamentare nuk do të mund të zhvillohej nëse Meta nuk do të ndjente se e ka mposhtur Edi Ramën në përballjen disamujore që e vuri kreun e LSI-së në qendër të akuzave të rënda. E ka mposhtur vetëm me presionin e mbajtjes në pushtet dhe me hapjen e kanalit të komunikimit me Berishën. Ndërkohë që gërryerja e imazhit të qeverisë, apo leximi i përditshëm i marrëzive dhe paaftësisë së saj po i faturohet kryesisht kryeministrit, opinioni po familjarizohet me idenë e zgjedhjeve të parakohshme, në paradhënie të të cilave hyn edhe ky ndryshim kursi i LSI-së. Askush nuk do të kishte imagjinuar që kjo përmbysje të ndodhte, të paktën kaq shpejt. Një qeveri dhe një ekip që nuk arrijnë të vënë vendin në shina zhvillimi dhe pune, do të duhej, për zgjuarësi politike, të mos asgjësonte mjetet tradicionale të përfaqësimit. Përndryshe një elektorat i harruar rrugëve dhe një biznes i goditur, janë të detyruar të rikthehen aty ku e lanë. Sepse si i thonë një fjale: “Ai që vjen është më keq nga ai që ikën”. Këtu faji dhe përgjegjësia nuk është më as e Saliut dhe as e Ilir Metës, ndonëse të dy e kanë vendin diku tjetër.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.