Parlamenti dhe qeveria: Përkatësisht mbushur me kriminelë dhe organizatë kriminale

Postuar në 26 Nëntor, 2015 15:15

Parlamenti shqiptar ka hyrë me sa duket në fazën e autodenoncimit, pasi akuzat për përfshirje të kriminelëve në të apo edhe në qeverise, e tejkalon pafajësinë e një opozite. Në fund të fundit, kriminelët në Parlament janë përgjegjësi e përbashkët. Deputeti socialist Ben Blushi tha sot gjatë fjalës së tij se kjo që ndodh me Parlamentin e Shqipërisë është e paprecedentë dhe e ka çuar shoqërinë drejt shkatërrimit moral. “Për fat të keq jemi sot parlamenti më i shëmtuar në Europë, që pranon se këtu ka kriminelë. Të mos ishte për presionin ndërkombëtar, ky ligj nuk do miratohej as sot, as mot. Kush i futi ata në parlament, kjo është çështja? Unë besoj se sot është dita, që të gjithë ne që pranuam të bashkëjetojmë me krimin në parlament, të kërkojmë ndjesë, sepse ata na u imponuan. Kjo damkë nuk do i ndahet këtij Kuvendi për shumë dekada. Përgjegjësia nuk është kolektive, është e atyre që i sollën në Kuvend, i parfumosën, u bënë makijazh. Dëmi që i është bërë këtij parlamenti është shumë më i vogël se dëmi që i është bërë shoqërisë shqiptare. Këta njerëz u kthyen në model për shoqërinë: të jesh i fortë dhe i paprekshëm është në modë në Shqipëri. Njerëzit po ikin nga Shqipëria edhe për shkak të këtij modeli. Çfarë u themi ne të rinjve të Shqipërisë? Mos përdorni mendjen, por përdorni muskujt. Mos shkoni në shkollë, por vrisni, vidhni, trafikoni, shisni njerëz, shisni drogë pasi kjo është mënyra më efikase për të marrë një post publik. Çfarë i thotë ky parlament një fëmije në provincë? Parlamenti i thotë shit drogë, vrit. Kemi krijuar një model, që sot duhet ta ndëshkojmë me votë. Ne kemi degraduar sistemin arsimor, kemi prishur sistemin e meritës, kemi shkatërruar sistemin e karrierës, duke ndërtuar klasën e atyre që nuk ndëshkohen. Një qeveri ndoshta nuk ka mundësi të bëjë shumë, por e edukon një shoqëri, i jep modele asaj. Ky model do rezistojë për shumë vjet, edhe kur ne të mos jemi këtu. Ky ligj do jetë i paplotë dhe i pazbatueshëm për sa kohë që burimet e kësaj shoqërie nuk ndryshojnë. Nëse përrenjtë janë pis, lumi është pis. A e dini kush janë përrenjtë e këtij parlamenti? Partitë tona. Nuk është shoqëria, janë partitë politike”, tha Blushi. Duart që shtrënguan krimin para zgjedhjeve apo rrahën shpatullat e tij dihet se kush janë dhe propozimi i ndonjë deputeti-lodër që të hiqet fjala dekriminalizim, është thjesht një shërbim tjetër në vazhdën e shërbimeve që tanimë nuk kanë asnjë vlerë dhe nuk rregullojnë asnjë imazh. Kriminelët në litar, thërriste dikur populli. Mirëpo cilët, sepse po t’u besojmë vetë deputetëve, paska shumë. Ish-kryeministri Sali Berisha shpalli edhe njëherë sot se qeveria e Shqipërisë është thjesht një organizatë kriminale. “A e keni vënë re që 80% e deputetëve të këtyre nuk e çelin gojën? Po pse? Sepse hanxharët e krimit këtu në sallë I kërcënojnë dhe i tmerrojnë. Fillojnë që këtu, pax criminalis, paqja me krimin. Sepse kjo qeveri që qëndron pas meje nxin nga krimi. Kjo është një organizatë e mirëfilltë kriminale. Le të më thotë kush të dojë JO”, tha Berisha. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.