Shënim: Kritika apo sulm mbi Lulzim Bashën? (Video)

Postuar në 25 Nëntor, 2015 19:28

Pas Genc Rulit dhe Mesila Dodës, kjo e fundit me një axhendë politike personale, kritikat ndaj mënyrës sesi Lulzim Basha po drejton Partinë Demokratike vijnë publikisht edhe nga një zë tjetër. Deputeti Eduart Selami ka deklaruar sot në një intervistë për “Zëri i Amerikës” se: “Qeveria Rama-Meta është me e keqja e viteve të fundit, mirëpo opozita akoma nuk ofron alternativë dhe nuk ngjall shpresë. Kjo për shkak të lidershipit të PD-së. Ai nuk ngjall shpresë, ndaj edhe kjo qeveri rri në këmbë në një kohë kur shqiptarët lartohen për azil ekonomik në vendet e BE-së. Lidershipi i PD-së më ka zhgënjyer mua dhe një pjesë të mirë të demokratëve”. Kjo është një kritikë konstatim, pasi dobësitë e Lulzim Bashës, të paktën në frymëzimin e një shprese sado të vagullt, janë të dukshme. Basha është dominuar nga mungesa e fantazisë, nga një politikë pritëse, udhëhequr nga lodra të vockla diversive me koalicionin qeverisës, por pa një vizion të qartë në drejtim dhe në platformë. Oferta e tij e taksave të ulëta nuk është asgjë më shumë sesa rikonfirmim i modelit të qeverisjes së PD-së në 8 vitete e shkuara. Dhe aq më tepër theksohen këto dobësi po të merret në konsideratë se në përgjithësi media e ka lënë të qetë, qoftë edhe për të ndihmuar në shkëputjen e tij nga ndikimi i Sali Berishës. Një ndihmë i ka ardhur zotërisë edhe nga ndërkombëtarët, teksa vizitat e shpeshta të ambasadorit amerikan në selinë e PD-së, janë një kredi në imazh. PD-ja mori një fitore me dekriminalizimin, por sa mund t’i faturohet ajo Bashës, kur opozitarizmi parlamentar përgjithësisht është konstituuar nga zhurma e Sali Berishës në Parlament dhe në Facebook? Duke parë nga jashtë atë që ndodh në PD mbetet ende e pashpjegueshme plotësisht nëse pas këtyre kritikave qëndron Sali Berisha, i cili flet përditë për një revolucion demokratik. Një term që Basha e konverton në protesta masive. Si mund të ndodhë një revolucion, kur nga brenda opozitës ka zëra që ngrenë dyshime mbi kapacitetin drejtues të saj? Ky dualizëm në analizën e situatës mund të shpjegohet me dy qasje: ose zëvendësimi i Bashës është opsion real që PD-ja të mos dalë në vend të tretë, ose një grup në PD po bën presion që ai t’i përshtatet dhe të zyrtarizojë axhendën e opozitarizmit të fortë. Vlen këtu të sillet në kujtesë fakti, se para disa ,uajsh aktorë të LSI-së folën për një pakt mes Bashës dhe Ramës, çka duket se ngjiti në PD. Por nëse ka një leksion që PD-ja e ka marrë përgjatë viteve është se me diversione dhe pazare rritet pozita negociuese dhe politike, mund të mbrohet deri diku ekipi nga goditjet e kundërshtarit, por pushteti merret me një mënyrë: program, shpresë dhe “t’u biesh këmbëve” siç thotë një fjalë. Varianti tjetër është disi konspirativ, por nuk ka pse të përjashtohet a priori: dakordësia e Bashës për reformën në Drejtësi është problematike, pasi ajo hap rrugën që shumë zullume të qeverisjes së shkuar të rihapen. Dhe kjo do të thotë dënim politik me vdekje për shumëkënd që sot ka gjetur strehë në atë parti.

Eduard Selami by trelosjermatis

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.