Refleskion/Shkëlqimi i Hirit

Postuar në 25 Nëntor, 2015 21:41
Msc.Dorina Hoxha

Nën ritmet e ‘pionerit dj', gjithë gjërat përreth ngriheshin dhe binin nën ritmin e dj-it shqiptar që po praktikonte zanatin e tij të preferuar, ndër të shumtët që disponon. Ai është dj, kamarier, banakier, barist, punonjës i shërbimit civil, shef shtëpie, baba, shok i mirë; ja pra ka nga këto persona që ngihen në mëngjes me ritme të forta aq sa edhe të vdekurin thonë e ngre nga varri. Pozitiviteti vjen si energji e jashtme dhe ndikon gjendjen shpirtërore pavarësisht kontekstit.

Gota e ujit u derdh mbi fletë aq e fortë ishte zhurma. Gjithë fuqitë e mia fizike u fokusuan për të mos lejuar më tutje depërtimin e ujit tek objektet e tjera; uji mendova, sa shpejt të përmbyt mendimet, të gjithë forcën menduese ta çon në një pikë dhe të përhumb. Nuk është hall një gotë, as një shishe, as një fuçi, as një depozitë ujë, hall është të shpërqendrosh vëmendjen ndaj rrezikut të tij dhe të notosh për t’u shtrirë në shtrat; apo më keq akoma kur të merr rryma edhe lumi dhe të tjerët të bëjnë video. Pas kësaj përmbytjeje tingujsh, po rrija aq qetë sa thua këto goditje muzike nxirrnin gjithë mllefet njerëzore, tavolinat shtyheshin sa andej-këtej,  nga dj Pioneri tek versioni Gëzim Nika: “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë, fushat e gjera me lule që j’u kam ndër mend ditë e natë, kur nigjon zanin e nanës, qysh e le qingji kopen, blegërinë dy tri herë edhe ikën e merr dhenë….Shqipëri o nëna ime, ndonëse jam unë i mërguar”… etj etj “çka ka zogu që po qan, ka lanë shpinë ka lanë vatanë, ka lanë motra e vllazni dhe ka ardhur kurbetli”.

Shkëlqimi ishte emigrant dhe që prej njëzet vitesh jetonte në Londër. Ia dinte mirë refrenin kësaj kënge. Shpesh e rastisje në gjendjen civile. Rasti më i fundit që isha ndeshur me të ishte për procedurat e shkëputjes nga trungu i familjes, ai donte të shkëputej nga babai,  sepse kur të ikte sërisht, i ati do të përfitonte sipas shtetit një 600 lekë çdo muaj për dritat. Plaku shkretë me ta marrë vesh e kishte njoftuar Shkëlqimin të bënte shkëputjen nga trungu që të figuronte vetëm. I moshuari pothuaj ishte vetëm gjatë gjithë vitit, përjashto dy ose tre raste. Por atij i dukej ndryshe gjithsesi. Shkëlqimi në gjendjen civile rezultonte me tre kurora të prishura, një celebrim e kishte në Pisa, një në Manchester, një në Zululand. Me të tria martesat kishte rezultuar i dështuar, tani po vinte të ribashkohej me babain sërisht në gjendjen civile, për ta tërhequr edhe atë me vete. Ndërkohë të gjitha dosjet ishin zhvendosur dy apo tre centimetër nga pozicioni fillestar. Instiki i ndërhyrjes së pavend ndodhi, Shkëlqimi përshëndeti “DJ” , me një ton si prej të thjeshti, i pohoi se këtë cd ai e mban gjithmon në makinën e tij.

“Muzikë bëni aman veç njëri- tjetrin mos vrisni! Në Shqipëri të copëton tjetri po i ngacmove nënën, të hudhin në koshin e plerave të sakatuar nga thikat po ja vështrove më shumë se dy herë në sy“, pohoi syzgurdulluar Shkëlqimi. Me siguri ishte informuar nga shtypi i ditës për ngjarjen e disa ditëve më parë,  ku viktimë ishte një 82 vjeçar, i masakruar dhe i flakur në koshin e plehrave. Harlisjet e pazakonta mëngjesore janë normale brenda këtij anormaliteti dhe Shkëlqimi vijonte të kruante faqet. Ai kishte vendosur të organizonte shqiptarët e Britanisë dhe të sillte një frymë të re në qeverisje; donte një Shqipëri të virgjër fizike, si në kohën e Migjenit dhe një qeverisje si e Linkolnit: për popullin nga populli, i popullit. Shkëlqimit po i vuloseshin edhe dokumentat e fundit nga gjendja civile, dera përballë qëndronte e hapur dhe dosjet morën sërisht pozicionin fillestar,  goditjet u shuan. Shkëlqimi mori me vete edhe rënien e tij nga shkallët e katit të dytë. Kërkoi edhe dëmshpërblim. Tha se do ta çonte situatën deri në gjykatën e Hagës, se kishte paguar siguracione jete dhe këtu desh theu qafën. Letrat e tij i mblodha një për një se po fluturonin nga era që frynte në koridor.

Shkëlqimi kishte mbaruar inxhinierinë ushqimore, Shkenca Politike part-time  tek një universitet privat shqiptar i `krahut të djathtë, ndërsa  tani po ndiqte Oksfordin në moshën 43 vjeçare dhe ëndërr kishte të sillte frymë të re Eurpiane. Shqipëria rilindi, pa Shkëlqimin dhe Rënien e tij nga shkallët.

Sa shumë Shkëlqime njohu kjo Shqipëri, sa shumë rënie si ai, sa pak dritë.

“Unë e bëj Shqipërinë më mirë se ti“, ia ktheu sanitarja teksa po e ndihmonte të ngrihej nga shkallët.  

“Jam njerëzore, nuk të lashë të vdisje si një qen duke u zvarrit, por të ndihmova“.

Shkëlqimi nxori 20 paund dhe ia dha në shenjë mirënjohjeje. Njazja i fshiu paundët në pjesën e fundshpinës dhe tha: “Sikur ti kisha thënë të isha sekretarja e atij kur të vinte në Shqipëri, mos më gjente një punë më të mirë!“

 Dhe i shkoi pas Shkëlqimit duke u munduar të miqësohej me të. Ai i dha një fletëpalosje Njazes dhe bashkë me të dhe kartëvizitën. Njazja e dëgjonte dhe mahnitej nga grimcat që përhapte “Hugo Boss” dhe bënte sikur e kishte mendjen ndërkohë që shtrëngonte 20 paundin.

“Ne na blejnë lirë“, i tha Njazja, “por ti dukesh që ke prespektivë, do ta bësh Shqipërinë. Kam besim“.

Më vinte të qeshja me të madhe dhe ti thoja Shkëlqimit ik sa më parë, sa më larg, sa më tutje,  atje ku shqiptarët nuk të njohin. Edhe po njohe zgjidhi të jenë si Njazja, edhe strukturat bëji me njerëz të tillë dhe eja, na fundos njëherë e mirë, eja por mos u ly me ‘Hugo Boss’, por përdor pak qymyr Kraste, vish këpucët italiane që prodhon fabrika në Fushë-Krujë dhe pi çdo mëngjes kos “Lufra”.

Njazja përshëndeste me dorë Shkëlqimin që largohej. Mbylla ëebsite-n e lajmeve dhe porosita Njazen të kishte kujdes nga pleqtë e fshatit.

“A do doje ti Njaze të ishe shkaktarja që djali jot të vriste një 82 vjeçar?!“ Njazja rrotulloi beben e zezë të syrit, nënqeshi dhelpërisht, pa nga dera, pastaj belbëzoi:

“Ta hapi gojën Njazja ishte vrarë fshati”… Ndërkohë muzika më dha goditjen e fundit të shihja orën. Ishte mbush orari edhe koka… dita iku bashkë më Shkëlqimin për Londër, kurse Njazja po shkonte të shkëmbente Hirin e  paundëve të tij…!

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.