Projektbuxheti 2016/Cani: “Mblodhëm më shumë para se qeveria e shkuar. Për 2016-ën, 8% më shumë të ardhura”

Postuar në 25 Nëntor, 2015 11:43

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka nisur raportimin në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për projektbuxhetin e vitit 2015. Debati është përqendruar tek të ardhurat në buxhet, një pikë e nxehtë kjo diskutimi përgjatë gjithë këtij viti. Ministri thotë se qeveria aktuale ka realizuar të ardhura më shumë sesa qeveria e shkuar dhe për ilustrim ka sjellë shifrat e vitit 2013. “A janë rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit në krahasim me vitin 2013? Fundviti 2013 u mbyll me 327.1 miliardë lekë. Fundvitin 2015 parashikojmë ta mbyllim me 387 miliardë lekë. A është 387 më e madhe se 327.1? Në gjysmën e kohës, kjo qeveria ka realizuar të ardhura shtesë më shumë se qeveria juaj në 6 vite”, tha Cani. Për sa i përket vitit të ardhshëm, sërish parashikimet e qeverisë janë të larta: Të ardhurat që priten nga Tatimet dhe Doganat vitin e ardhshëm do të jenë 8% më shumë se viti aktual. “Burimi i të ardhurave shtesë në 2016 do të jenë 1mld lekë nga politikat fiskale, nga politikat makrofiskale 5.9 mld lekë, nga aksioni antiinformalitet 9,3 mld lekë”- tha ministri. Deputeti demokrat Dashamir Shehi ka bërë këtë vërejtje për draftin e qeverisë: “Ju keni parashikuar të shtoni të ardhurat me 19 mld lekë, duke përfshirë edhe dividentin. Ndërkohë duke pohuar se të ardhurat vitin e ardhshëm do të jenë 30,7 mld lekë, ju vetë pranoni se 12 mld lekë do jetë mosrealizimi” – tha ai. Viti që po ikën pa disa rishikime me ulje në planin e të ardhurave duke provuar se ose qeveria ka dobësi në mbledhjen e tyre, ose parashikimi është bërë i mbivlerësuar. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.