Mohimi i hetimit ndërkombëtar për CEZ dhe “pavarësia e Shqipërisë” si gjethe fiku

Postuar në 24 Nëntor, 2015 18:25

Cilado qofshin mëkatet e opozitës së sotme dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, të paktën për aferën e CEZ, mund të thuhet se socialistët dhe kryetari apo lideri i tyre kanë gisht dhe kanë futur turinjtë mbaraz. Debati kaotik që u zhvillua muaj më parë nxori në dritë lidhje të shkurtra për operacione kontraktore si mbledhja e borxheve të CEZ, lojëra të dyshimta nga ish-kryeministri dhe ish-drejtuesi i ERE-s me çmimin e energjisë në funksion të fitimit. Por me gjasë asgjë nga këto nuk ka të krahasuar me llangosjen potenciale të kryeministrit aktual dhe ministrit të Energjisë që akuzohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit se në pak muaj në krye të detyrës, kanë "asgjësuar" 472 milionë euro. Normalisht kjo duhet provuar pasi KLSH ka bërë një audit. Dhe për ta provuar, opozita, që u përfshi në akuza dhe që ka mbi vete jo pak mëkate për aferën CEZ, pranoi formalisht hetimin ndërkombëtar. Kjo qasje ka vlerë në kuptim të përgjithshëm, pasi hetimi ndërkombëtar do të ishte i panevojshëm nëse palët do të ishin të pastra dhe nuk do të ndikonin mbi Prokurorinë. Hetimi ndërkombëtar pranohet si e vetmja garanci për zbardhje relative të çështjes, të përgjegjësisë, por edhe si dokumentacion dhe arbitrim që referohet nga të dyja palët. Por sot socialistët kanë thënë “jo” për hetimin ndërkombëtar me argumentin e Shqipërisë sovrane. Një Shqipëri e pavarur të cilin e bilbilon moralisht si tezë Fatmir Xhafa, i cili tha sot në Komisionin e Ligjeve: “Shqipëria është vend i pavarur dhe organet e hetimit funksionojnë”. Kontradiktor ky pohim, pasi edhe auditi i KLSH-së është një lloj hetimi, por të cilin socialistët me Fatmir Xhafën mes tyre, e konsiderojnë si të porositur nga PD-ja. Plus, z. Xhafa flet për një Shqipëri të pavarur, ku organet funksionojnë, por çuditërisht për qytetarët shqiptarë nuk u kuptua dhe mbeti enigmë se përse ky zotëri nuk ishte në gjendje që të bënte të funksiononte Komisionin e Ligjeve që drejton vetë, kur në seancë dëgjimore ishte thirrur ish-drejtoresha e Lojërave të Fatit, Luneda Sufali. Meqë jemi këtu një kërkesë për z. Xhafa: Ju lutemi, mund të bëni të ditur për qytetarët shqiptarë se përse ngeci atë ditë “funksionimi i Komisionit të Ligjeve” që është i pavarur, të paktën nga Drejtoria e Lojërave të Fatit? Për sa i përket vlerës dhe nevojës për ta konsideruar hetimin ndërkombëtar, këtu mund të sillet as më shumë e as më pak standardi që vetë partitë parlamentar kanë vendosur: në kuadër të reformës për drejtësi është rënë dakord që për çështje politike të thirren prokurorë, madje gjykatës të huaj. Një turp i padëgjuar në ndonjë vend fqinj me ne. Turp, por ja që ky është standardi i zoopolitikës shqiptare, e cila nuk ka pse të përdorë standarde të tilla të dyfishta, të cilat i vendos po vetë për shkak të dështimit flagrant. Përndryshe, në një vend normal, me institucione normale, ideja e hetimit ndërkombëtar me të vërtetë që do të tingëllonte absurde. Por ja që nuk jemi në këto kushte. E derisa të tillë e kemi vendin për shkak të politikës, por edhe të vetes, mohimi i hetimit ndërkombëtar për aferën CEZ legjitimon çdo dyshim.

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.