Lufta kundër Lulzim Bashës në PD

Postuar në 24 Nëntor, 2015 12:26
Fitim Zekthi

Përgjatë më shumë se dy vitesh, opozita e drejtuar nga Lulzim Basha është përballur me një luftë dhe ligjërim të ashpër antiopozitar që vjen nga qeveria. Kryeministri Edi Rama në mënyrë të qëllimtë dërgoi për ndjekje penale ish-ministra demokratë (me akuza qesharake, si p.sh, ajo ndaj A. Imamit sikur ai i paskësh dhënë PD-së 1 milion litra naftë të ushtrisë) të qeverisë Berisha, ndërkohë që asnjë nga ish- ministrat e LSI-së nuk pati këtë fat. Kryeministri Rama dhe tërë shumica qeverisëse ka prodhuar fjalorin më të egër antiopozitar në gjithë historinë pluraliste, fjalor i krahasueshëm vetëm me totalitarizmat. Nuk ka fjalim të kryeministrit, ministrit të Brendshëm, atij të Ekonomisë, të Financave, të Shëndetësisë etj., që të mos ketë në fokus opozitën, të keqen, mynxyrën, zezënajën që ajo ka bërë dhe bart ende. Opozita e drejtuar nga Lulzim Basha është përballur dhe vazhdon ende të përballet megjithatë edhe me diçka më të rrezikshme: me veten e saj. Të shohësh nga vetja, të përpiqesh ta luftosh të keqen tek vetja është një tipar mirëfilli i djathtë dhe është një kusht bazë për të ndërtuar realitete apo entitete të drejta. Problemi qëndron se PD nuk ka bërë këtë gjë. Ajo ka bërë të kundërtën. Ajo jo vetëm nuk ka parë në mënyrën e duhur te vetja, jo vetëm nuk është përballur me sëmundjet e saj, por u ka dhënë atyre mundësinë të veprojnë, madje deri në atë pikë sa mund të kenë fituar imunitet. Partitë politike janë forma të organizmit shoqëror. Ato nuk duhen ngatërruar me shoqatat, federatat, klubet etj. Antony Downs, një politolog i njohur amerikan mendohet se ka dhënë përkufizimin më të saktë për to teksa thotë se “një parti politike është një ekip njerëzish që kërkojnë të marrin në dorë qeverisjen duke fituar zgjedhjet e zhvilluara në mënyrë të drejtë dhe të ndershme”. Edhe Xhonavi Sartori, një studiues gjithashtu mjaft i njohur mbi partitë politike dhe demokracinë, mbron po këtë qëndrim: “Partia është një grup politik i identifikuar, që kërkon të fitojë zgjedhjet përmes votimit të lirë …”. Partia Demokratike nuk duket se është një ekip dhe nuk duket se është një grup i organizuar njerëzish që kërkojnë të fitojnë zgjedhje të drejta. Gjithkush mund të vërejë aty një luftë të brendshme, e cila e ka zhvendosur këtë përkufizim në rrethina. Lulzim Basha po përpiqet me sa duket të ndryshojë në radhë të parë tipologjinë e lidershipit të partisë. Max Weber, një nga sociologët më të njohur të shekullit të kaluar vërejti tri tipe lidershipi: tradicional, karizmatik dhe lideri menaxher, rutinizues që përdor burokracinë etj. Lideri tradicional është lideri i së “djeshmes së përjetshme”, është ai që drejton një monarki, ai që për shkak të ligjit e ka trashëguar detyrën. Lideri tjetër është ai karizmatik, i cili është i gjithëditur, i jashtëzakonshëm, nuk gabon kurrë, ka zbulesa dhe epifani. Atë e adhurojnë të gjithë dhe legjimiteti i tij buron pikërisht nga adhurimi. Lideri i tretë është ai që qeveris me anë të rregullave, me anë të rutinizimit të veprimit, me anë të burokracisë, duke iu dhënë njerëzve përgjegjësi dhe duke iu dhënë atyre detyrat e duhura. Ky lider është lideri që gjendet rëndom në vendet perëndimore. Asnjë lider në Gjermani, Francë, Angli, Spanjë, Itali, Belgjikë, Holandë, Norvegji, gjatë pjesës së dytë të shekullit të kaluar nuk ka qenë tipik karizmatik, por më së shumti një lider rutinizues, menaxher. Shqipëria në këto vite është drejtuar nga liderë karizmatikë si Berisha, Nano, Rama dhe Meta. Të gjithë e shohin se Rama sillet si gjeni, si njeri i rrallë, si misionar, si lider ndërkombëtar etj. Lulzim Basha nisi që para dy vitesh një proces rutinizimi duke ndërtuar zyra dhe departamente, duke emëruar koordinatorë, duke i kthyer zgjedhjet në parti në një lloj procesi burokratik. Është fakt që gjithë kjo përpjekje u përball me kundërshti, në shumë raste të heshtura. Në krye të kundërshtimit u vunë njerëz, të cilët rutinizimi iu mpakte rolin, iu zvogëlonte peshën, si ish-kryetarja e Parlamentit dhe disa ish-ministra e ish-zyrtarë të lartë, ish-deputetë etj. Ky grupim, i cili ka funksionuar duke shkuar verbërisht pas liderit që impononte bindjen ndaj tij, tashmë mbeti pa një lider të cilit duhej t’i bindej. Ky grupim nuk është i aftë të formulojë vetë ide dhe veprim politik, ndërkohë që nuk ka një rol të qartë në strukturën burokratike që është përpjekur të ndërtojë Lulzim Basha. Ky është një grupim që, nisur nga pafuqia e tij për të gjetur vend në këtë realitet, nis dhe sulmon kreun e PD-së, mënyrën sesi ai vepron dhe gjithë përpjekjen për të ndërtuar një lidership të llojit jokarizmatik. Është e njohur tipologjia e njeriut që nuk mendon, e atij njeriu që nuk rri dot pa një lider të cilin e ndjek verbërisht. Lideri i llojit menaxher, rutinizues dhe burokrat nuk ka nevojë për bindje të verbër, pasi legjimiteti i tij nuk bazohet te bindja e kësollojtë. Atij nuk i nevojitet kjo lloj bindjeje. Lufta kundër kësaj qasjeje të Bashës është shumëformëshe. Ajo nis që nga qëndrimet se duan protesta, se duan një opozitë të fortë etj., dhe zbret te beteja banale e facebook-ut dhe faqeve online, ku një mizëri mediokrish anonimë derdhin gjithë ngarkesën e frustracionit libidinal duke shpërthyer në sharje, shpifje dhe urrejtje. Një tjetër pamje e saj është gara që po zhvillohet për kryetarin e Forumit Rinor të PD-së. P.sh, në shtyp u raportua se në Shkodër ishin regjistruar 4 mijë e 800 anëtarë për Forumin Rinor. Nga këta votuan 1300 vetë. Pra kanë marrë pjesë në votim rreth 27 % e totalit të anëtarëve. Kjo është një shifër që tregon se fiktiviteti është dramatik. Në qoftë se nga anëtarët e PD-së votojnë vetëm 27%, si mundet kjo parti të shkojë në zgjedhje dhe të shpresojë se do të votojnë mbi 50% e shqiptarëve, ku më shumë se gjysma e tyre do të votojnë për PD-në? Sigurisht që ka një regjistrim fiktiv, i cili është reagim i grupit të ish-ministrave, ish-kryetares së Kuvendit dhe të gjithë atyre që nuk pranojnë mënyrën se si Basha po drejton PD-në. Në Vlorë p.sh, një qark i madh sa Shkodra, numri i të regjistruarve ishte 900 vetë, pra më shumë se pesë herë ose 500% më pak. Shifra të tilla të çuditshme shtypi ka raportuar edhe për qarqe të tjera. Gjithë kjo garë tregon se njëri prej kandidatëve, Ervin Salianji, që humbi thellë në Shkodër, është identifikuar si pro Basha, ndërkohë që kandidati tjetër, Belind Këlliçi është identifikuar si pro grupit kundërshtues. Ka gjasa që Këlliçi dhe Salianji të jenë thjesht viktima të kësaj ndarjeje që ekziston vetëm në kokën e kundërshtarëve të Bashës. Angazhimi për të mbledhur vota pro Këlliçit dhe kundër Salianjit është një angazhim anti-Basha, është një përpjekje e grupit që nuk pranon dot mënyrën e re të drejtimit të PD. Grupi duke qenë se nuk ka interesa që përkojnë me ato të partisë sipas përkufizimit të Downs dhe Sartori, lufton me çdo mjet, qoftë edhe banal, si përdorimi i garës për një forum të vogël partiak si FRPD, apo fjalimet protagoniste dhe kërkesat për opozitë të fortë, për të arritur qëllimin e tij. Basha, i cili duke qenë kryetar partie është i detyruar të ketë interesa sipas përkufizimit të Downs de Sartori, nuk mund të bëjë të njëjtën gjë. Pra Basha nuk mund të përdorë mjetet që përdor grupi dhe të nisë të favorizojë kandidatin që shihet nga kundërshtarët si pro Bashës. Kjo do të ishte jopolitike. Filozofi i Charles Taylor në teorinë tij komunitariane thotë se, ajo që një person është dhe ajo që një person sheh si qenie, është e lidhur ngushtë me atë sesi personi perceptohet nga ata rrotull tij. Nga ky mendim vjen “politika e identitetit”, në të cilin anëtarët e grupeve janë të shqetësuar për identitetin kolektiv të grupit dhe bëjnë thirrje për njohje publike të veçantësisë së tyre. PD duhet të jetë një grup që ka veçantësinë e vet, por kjo veçantësi nuk mund të jetë lufta e disa ish-funksionarëve të lartë kundër kryetarit të tyre, për shkak se ata nuk kanë një rol në mënyrën e re të lidershipit. Veçantësia duhet të jetë te prodhimi i një ligjërimi elegant mbi ç’reforma duhet të ndërmarrë qeveria, mbi ç’rol duhet të ketë familja, feja, individi në shoqëri, mbi ç’shoqëri duam, mbi rrugën për të dekomunistizuar vendin, mbi përpjekjet për të zgjidhur problemin e pronave, mbi ç’sistem taksash dhe mbi ç’kurrikul shkolle do të kemi etj. Basha mund të mos jetë kryetari më i mirë ose mund të jetë një kryetar i keq partie, por stili i liderit menaxher, rutinizues dhe legalist që ai ka zgjedhur është më i miri, sidomos në kohët e sotme. Zgjedhja e kundërshtarëve për të luftuar këtë zgjedhje të Bashës nuk është akt politik, por akt personal, dëshmi e pafuqisë për të njohur veten. Ka jetë politike edhe nën lidershipin menaxherial, por ajo nuk ushqehet nga mosmendimi dhe bindja e verbër. PD-së i mjafton lufta e shëmtuar që bën kryeministri përditë në çdo ekran. Nuk ka nevojë për një luftë tjetër.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.