Bovilla, "superman-i" dhe "boti" i shëndetësisë

Postuar në 24 Nëntor, 2015 10:49

Nuk ka erudit në botë të gjejë se çfarë lidhje ka shiu me ndërprerjen e operacioneve në spitale. Kjo ka ndodhur një ditë më parë në Shqipëri dhe mund të vijë vetëm si kombinim i një "superman-i" që menaxhon ujësjellësin e qytetit dhe një "katallani" që drejton sistemin shëndetësor.
Erion Veliaj dhe Ilir Beqaj ja arritën të prodhojnë një tjetër histori suksesi siç e quajnë ata mbylljen e spitaleve dhe pezullimin e operacioneve për shkak të fenomeneve gjeoatmosferike.
Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza", materniteti "Mbretëresha Geraldinë" dhe Spitali i Traumës u furnizuan me autobote, çka nuk ka ndodhur as në vitet '90 dhe as në '97-ën. Ndodh me Erion Veliaj kryetar bashkie dhe Ilir Beqajn si ministër Shëndetësie.
Por për këtë situatë ministri Beqaj nuk heziton publikisht t'i njohë merita vetes duke thënë se megjithë shtrëngimet e sistemit shërbimet e urgjencës për qytetarët u garantuan dhe se tani spitalet po furnizohen normalisht me ujë.
“Spitali po furnziohet normalisht me ujë, shtrengesat e pjesshme të ujit dje nuk sollën asnjë pasojë për askënd…Urgjenca u garantua. Shërbimi i dializës u garantua rreth orës së drekës për ata që kishin seancën”- tha ministri për mediat.
Por a mund të ndodhte ky sukses i jashtëzakonshëm pa "heroizmin" e kryetarit rishtar të Bashkisë, Erion Veliaj.
Përmes disa postimeve në Twitter ai falënderoi stafin e Ujësjellësit që brenda 20 orëve riktheu normalitetin. Këtë rekord ujësjellësi nuk e ka parë ndonjëherë dhe këta njerëz duhet të jenë vërtetë të jashtëzakonshëm ashtu si dhe kryetari i tyre që i ka hyrë të gjitha punëve me mëngë të përveshura. Ai është në luftë me kohën, me mushkonjat, me zhulin, me parkimet me opozitën, me të gjithë negativët që qarkullojnë në qytet. Ishte një çlirim i madh kur mësuam se Veliaj po ashtu njoftoi se gjithe çisternat e Bashkisë janë mobilizuar të furnizojnë me ujë spitalet dhe institucionet e tjera të rëndësishme dhe se ai kërkoi ndjesë për problemet por theksoi se pastërtia e ujit është prioritet. Vërtet e jashtëzakonshme.
Gjatë ditës së djeshme, Tirana ka qenë pa ujë gjithë ditën për shkak të një problemi në Bovillë, pasi reshjet e dendura që ranë dy ditë më parë kanë turbulluar ujin. Për një ditë që u pezulluan operacionet dhe shtrimet në spital nuk u bë qameti, ndaj dhe "boti" që është në krye të ministrisë si njeriu që do rilindë shëndetësinë nuk ka pse të kërkojë ndjesë. Dikur kur binte shi nuk kishim drita, tani me vizionin e ri të koalicionit Rama-Meta nuk kemi ujë dhe shërbime në spitale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.