Kritika të shëndosha nga "patriarku naiv" i Partisë Socialiste

Postuar në 23 Nëntor, 2015 10:39

Një herë në kaq kohë Dritëro Agolli nuk harron të japë intervista që nga Partia Socialiste shihen si të vërtetat e një plaku të moçëm që rri ende në shpellën nga ku merr frymëzim ideali i majtë. Edhe vërejtet që ai ka për qeverinë dhe kryetarin e partisë nuk mund të shihen veçse si kritika të shëndosha. Në një intervistë për gazetën "Panorama" duke komentuar aksionin e qeverisë në luftën kundër informalitetit, ai thotë se beson tek kryeministri Rama, por sipas tij kjo punë është marrë me "yrysh" të madh.
"Kryeminstri e ka nisur punën mirë për të rregulluar funksionimin e shtetit, por kjo punë nuk duhet të bëhet me hov kaq të madh, me aksione. Lufta kundër informalitetit është punë e përditshme e institucioneve të shtetit. Edhe një organizëm i sëmurë nuk shërohet brenda natës, sado terapi të fortë të marrë, do ditë të reagojë ndaj ilaçeve që i jepen"
Agolli kritikon edhe ftesën e qeverisë drejtuar qytetarëve për të denoncuar nëpërmjet komisariatit dixhital.
"Denoncimi nga qytetarët nuk më duket e studiuar mirë, sepse vendos të gjithë popullin spiun, ne kemi vuajtur nga kjo gjë. Njerëzit do kenë frikë të rrinë dhe të flasin në tavolinë. Duhet të ketë kujdes kur fillohet një nismë që të mos ketë prapësim rrugës apo të kthehesh në pikën e parë atje ku ishe".
I pyetur për marrëdhëniet PS-LSI, ai thotë se nuk ka asnjë mendim pasi nuk i ka ndjekur zhvillimet e fundit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.