Po zhduken afresket e Çetirëve

Postuar në 19 Nëntor, 2015 15:38
Ilirjan Gjika

Në territorin e bashkisë së Roskovecit gjenden vetëm dy objekte që gëzojnë statusin e “Monumenteve të Kulturës”. Të tilla janë kisha bizantinë e Shën Nikollës në fshatin Kurjan dhe kisha postbizantine e Shën Gjergjit në fshatin Strum. Përveç vlerave arkitektonike, kulturore dhe historike, ato kanë edhe një veçanti se janë zbukuruar me afreske nga duart e mjeshtërve të ikonografisë shqiptare. Në kishën e Shën Nikollës ka punuar i biri i Onufrit, Nikolla, ndërsa në atë të Shën Gjergjit ka punuar mjeshtri Joan Çetiri, një nga ikonografët më të shquar të Ballkanit në shekullin XIX. Në gjendjen e sotme, të dyja kishat kanë nevojë për ndërhyrje, por më imediate paraqitet ajo në kishën e Shën Gjergjit.

1.Strumi është një nga vendbanimet e shumta rurale të bashkisë së Roskovecit. I vendosur në lindje të këtij qyteti, përgjatë rrugës automobilistike që e lidh atë me Beratin, ai bart në vetvete dëshmi të shumta të kulturës sonë materiale. Të tilla janë një sërë dëshmish, monumente natyrore dhe objekte kulturore. E tillë është edhe legjenda e famshme popullore e “Bukuroshes së Strumit” dhe kënga e saj popullore. Po kështu tejet interesant është edhe emri Strum, i cili lidhet me “Kënetën e Zezë”, që dikur përpara bonifikimit krijonte një basen të madh ujor. Ajo më pas vijonte sistemin ujor, ku bënin pjesë edhe kënetat e Roskovecit, Marinzës, Sheqishtes dhe Sheqit. Pikërisht ky toponim i ka vënë jo pak në vështirësi gjuhëtarët, të cilët rreth tij japin disa variante, të gjitha të lidhura. Kështu, “Fjalori i Gjuhës Shqipe” thekson hipotezat si: “Gropë e thellë në lum”, “Pellg i thelluar”, “Vijë që bëhet në një vend moçalor për të kulluar ujërat” dhe “Vend që mban shumë lagështire, kënetë-moçal”. Ndoshta hipoteza e fundit i përshtatet edhe ekzistencës së “Kënetës së Zezë”, këtij monumenti natyror.

Pikërisht në këtë vend, ngjitur me “Kënetën e Zezë” ndodhet kisha e Shën Gjergjit, e cila së bashku me kishën e Shën Nikollës në Kurjan, përbëjnë dy nga monumentet e kulturës që ndodhen në hapësirën e bashkisë së Roskovecit.

2.E ngritur mbi një bregore të butë dhe të veshur me gjelbërim, “Shën Gjergji”, ndodhet një kilometër në veri të Strumit të sotëm, në krahun e djathtë të rrugës automobilistike që lidh këtë vendbanim me fshatin Suk. Kisha ka një gjatësi prej 10 m dhe një lartësi prej 3.5 m. Nga pikëpamja arkitektonike ajo është një ndërtesë në formë drejtkëndëshi, e vendosur si të gjitha kishat në drejtimin lindje-perëndim dhe mbulohet nga një çati me tavan të rrafshët. Në këtë objekt hyhet nëpërmjet dy portave, njëra e vendosur në anën veriore kurse tjetra e vendosur në anën perëndimore.

Kisha e Shën Gjergjit përbëhet nga naosi njënefësh dhe absida, muret e të cilave mbuloheshin dikur me afreske, të cilat sot ndodhen në një gjendje tejet të agravuar. Vetëm në pjesën perëndimore të murit verior mund të shihen të ruajtura më mirë figurat e pesë shenjtorëve, ndërsa ruhen edhe pjesë të vogla të tyre. Kisha është pikturuar dikur nga piktorët e familjes ikonografe të Çetirëve të Grabovës.

Ikonostasi dhe objektet e tjera mungojnë, ndërsa në dyshemenë e pashtruar të faltores, pikërisht pranë absidës shihen dy pjesë kolonash antike me kanelyra dhe një pjesë mermeri e një kapiteli dorik, të marra nga ndërtimet antike, ndoshta edhe nga qyteti i Dimali që ndodhet aty pranë. Kisha nga ana veri-lindore ka edhe një paraklis të vogël, i cili është në gjendje të rrënuar, ku ruhen dy absida të vogla dhe ku duken gjurmët e qirinjve që ndezin besimtarët. Dikur objekti rrethohej nga të tre anët, si ato veriore, perëndimore dhe jugore, nga një mur guri i cili kishte një gjerësi prej 0.7 m dhe lartësi prej 2.5 m. Sot ai është në gjendje rrënuar dhe prej tij ruhet vetëm pjesa që ndodhet në anën perëndimore, pranë kambanores.

Me një lartësi prej shtatë metrash ajo është rindërtuar në vitin 1935. Këtë gjë e shohim edhe nga mbishkrimi që kambanorja bart, në të cilin shkruhet se: “Ndreqja e kambanave nën kujdestarinë e Lil Çobos dhe Lil Stambolliut më 25 gusht të vitit 1935 nga usta Vasil Lapi”.

Nën kambanore ndodhet edhe një portë me qemer e cila i përket dorës së parë të ndërtimit, asaj të kohës kur është ngritur kisha. Hyrja është ndërtuar me gur të bardhë, të skalitur, ku janë imituar kolonat antike, mbi të cilat është vendosur një hark i zbukuruar me dy rozeta. E lartë 1.8 m, ajo ka lartësinë e një njeriu të zakonshëm. Pikërisht mbi të ndodhet edhe mbishkrimi që daton ndërtimin e kishës së Shën Gjergjit, në të cilin është shkruar në greqisht muaji, prill 1782.

3.Kisha e Shën Gjergjit ka qenë e zbukuruar brenda me afreske të pikturuara nga piktori grabovar Joan Çetiri në vitin 1782. Po këtë vit, ky piktor dekoroi me afreske edhe kishën e Shën Gjergjit në Fier. Ka shumë gjasa që afresket e të dy kishave të kenë qenë të ngjashme. Por Çetirët prej Grabove ishin edhe një familje piktorësh që e ushtroi veprimtarinë e saj për disa breza gjatë një periudhë 142 vjeçare. Ata e nisën aktivitetin e tyre duke filluar me piktorin e parë, Gjergj Prend Çetirin, në vitin 1775, për të përfunduar me nipin e tij, Gjergj Nikoll Çetirin, në vitin 1866. Ndërkohë që piktori më i shquar i kësaj familje ishte padyshim, Joan Çetiri, i cili sipas studiuesit Theofan Popa, ka qenë piktori më i mirë gjatë shekullit të XIX-të, në këtë gjini në krejt Ballkanin ( Theofan Popa. Piktorët Grabovarë Çetiri nga Familja Katro. BUSHT. Tiranë 1960 ).

Veprimtaria artistike e mjeshtrit Joan Çetiri zgjati gjithsej 21 vjet, duke nisur që nga 25 marsi i vitit 1792 e deri në vitin 1813. Ky piktor e aplikoi mjeshtërinë e tij në pikturimin e 65 kishave, ndër të cilat ishte edhe kisha e Shën Gjergjit të Strumit. Në krahinën e Myzeqesë, Çetirët prej Grabove, kanë punuar në kishat e Fierit, Toshkëzit, Bishqethmit, Krutjes, Kadipashait, Vanajt, Karavastasë, Kozarës, Halilajt, Zhamës dhe Nartës.

Me studimin e aktivitetit dhe artit të kësaj familjeje janë marrë një sërë studiuesish shqiptarë dhe të huaj, por për aktivitetin artistik të Çetirëve në Shën Gjergj të Strumit, studimet mungojnë.

4.Kisha e vjetër e Shën Gjergjit ishte dikur një nga monumentet më të bukura dhe më të mëdha në Myzeqenë lindore. Si një monument kulti postbizantin, ajo është ndërtuar me një arkitekturë të thjeshtë dhe funksionale. Për nga teknika e ndërtimit në të janë përdorur gurë gëlqerorë të marrë nga guroret aty pranë, ku nuk mungojnë edhe mermerë të sjellë nga ndërtimet antike. Gurët janë lidhur me llaç gëlqereje dhe objekti ka qenë i suvatuar nga brenda. Pikërisht kjo gjë e ka mbajtur në këmbë këtë kishë deri më sot, duke na dëshmuar traditën, arritjet dhe kulturën e dikurshme të kësaj treve. E braktisur prej kohësh nga kleri, besimtarët dhe institucionet e shtetit, ky “Monument Kulture” i shpallur në viti 1970, po shkon drejt rrënimit dhe bashkë me të edhe ato pak fragmente afreskesh që janë ruajtur prej Çetirëve.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.