Daily Mail: Shqyrtohet përjashtimi nga Shengeni për Greqinë, Italinë dhe Spanjën

Postuar në 19 Nëntor, 2015 10:23

Shtetet e Europës Perëndimore po shqyrtojnë përjashtimin e Greqisë, Italisë dhe Spanjës nga zona Shengen. Plani që konsiderohet si radikal, synon mbrojtjen e tyre nga rreziku i sulmeve terroriste, ndërlidhur me kulmimin e krizës së refugjatëve.Sipas gazetës britanike Daily Mail, ideja ka mbështetjen e Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Luksemburgut dhe Holandës. Ato synojnë të rikonturojnë zonën e qarkullimit të lirë dhe krijimin e një “mini-Shengeni”, me rregulla shumë të rrepta kontrolli.

Autoritetet do të mund të kontrollojnë pasaportat e gjithë qytetarëve nga vendet jashtë kësaj zone, si dhe t’i verifikojnë emrat me data base-n e të dyshuarve për veprimtari terroriste.Daily Mail i referohet faktit se njeri prej kamikazeve të vrarë në Paris, të premten, kishte hyrë si refugjat në ishullin Leros, në Greqi, në fillim të tetorit.Sipas gazetës britanike, projekti për “mini-Shengenin” do të diskutohet në takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të brendshëm të BE, të premten.

Por komisioneri i BE për çështjet e brendshme, Dimitris Avramopulos, ka insistuar se nuk është nevoja që Shengeni të rishikohet.“Nuk kemi ndërmend të hapim një diskutim mbi të ardhmen e Shengenit. Shengeni është arritja më e madhe e integrimit europian. Nëse ne përdorim gjithë instrumentet që na jep marrëveshja, kufijtë tanë të jashtëm do të mbrohen në mënyrë efikase”, citohet Avramopulos.

Ndërkaq, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, mendon krejt ndryshe:“E ardhmja e Shengenit është në rrezik dhe koha po kalon... Zona e Shengenit është e destinuar të dështojë, nëse nuk merren masa radikale për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE... “, ka thënë Tusk dhe ka shtuar se nevojitet të implementohen masa urgjente.“Para së gjithash kjo përfshin rikthimin e kontrollit në kufijtë e jashtëm. Pa një kontroll efikas të kufijve, rregullat e Shengenit nuk do të mbijetojnë. Duhet të nxitojmë, por pa panik”, ka theksuar presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

Daily Mail thotë se në marrëveshjen themeluese të Shengenit parashikohet rivendosja e kontrolleve kufitare, nëse kjo është e domosdoshme “për sigurinë publike dhe kombëtare”.

 

http://www.dailymail.co.uk/news/article-3324142/Greece-Spain-Italy-kicke...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.