Keqkuptimi i vazhdueshëm me anëtarësimin e Shqipërisë në Konferencën Islamike

Postuar në 17 Nëntor, 2015 16:38

Luan Rama, studiues dhe ish-ambasador i Shqipërisë në Francë, i ka dhënë një intervistë gazetës “Dita” e cila përqendrohet në sulmet e Parisit dhe rresiku nga terrorizmi. Rama flet edhe për rrezikun xhihadist në Shqipëri, një vend me shumë besime, por ku dominon shumica myslimane. Sipas Ramës, fara e xhihadizmit në vendin tonë është mbjellë me anëtarësimin e Shqipërisë në Konferencën Islamike. “Vendi ynë u bë problematik në kohën kur Shqipëria e futur dhe e bekuar nga Berisha në Konferencën Islamike u hapi dyert fondacioneve fetare dhe ‘bamirëse’, këtyre fondacioneve fantazmë me shtetas arabo-shqiptarë, të cilët fshihnin terroristë të kërkuar nga shërbimet sekrete perëndimore. Por kjo epokë mund të konsiderohet e kapërcyer. Shteti shqiptar aktualisht është në vigjilencë për të vepruar kundër çdo shfaqjeje xhihadizmi. Por megjithatë, lufta kundër radikalizimit në mjediset fetare është një luftë e vazhdueshme pasi disa predikatorë shqiptarë, ashtu si në Kosovë apo në Maqedoni, kanë predikuar xhihadin në mënyrën më të hapur, madje përmes mediave publike dhe nuk janë cenuar aspak për deklaratat e tyre të nxitjes së urrejtjes”, thotë Rama. Ka një pasaktësi në këtë deklarim të Ramës, pasi është e vërtetë që Shqipëria u bë anëtare e KI-së në vitin 1992, kur në pushtet kishin ardhur demokratët, por procedura dhe iniciativa nisi që në shtator të vitit 1991. Në një intervistë të vetën për gazetën “Shqip”, ish-ministri i Jashtëm i asaj kohe, Muhamet Kapllani, sqaron sesi ka qenë çështja e hyrjes së vendit tonë në këtë organizatë:

“Lidhur me pjesëmarrjen e vendit tonë në Konferencën Islamike vlen të vë në dukje se vende arabe dhe afrikane me ndonjë rast kishin sugjeruar që Shqipëria të mund të ishte pjese e Organizatës së Konferencës Islamike. Në Sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në shtator '91, mua më kërkoi takim zyrtar me cilësinë e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në qeverinë e Stabilitetit Kombëtar, sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Islamike. Në këtë takim ai shprehu habinë për të mos thënë pakënaqësinë që Shqipëria mbante një qëndrim të ftohtë ndaj OKI(Konferenca Islamike) dhe nuk kishte marrë pjesë në asnjë mbledhje të saj, qoftë edhe si e ftuar. Unë i shpjegova zyrtarit të lartë islamik se Shqipëria ushqente ndjenja miqësore ndaj vendeve islamike dhe respektonte kontributin e tyre në thesarin e kulturës botërore. Po ashtu shpjegova qartë se Shqipëria është një vend europian, me një popullsi multi-religjioze të përbërë nga myslimanë, ortodoksë, katolikë e bektashinj. Kjo është një ndër arsyet që nuk e gjejmë oportune të bëjmë zgjedhje preferenciale në favor të vetëm popullsisë myslimane. I shpjegova sekretarit të Përgjithshëm të OKI-së se jemi të gatshëm të asistojmë në takime e konferenca tuaja si të ftuar. Pas këtij takimi i paraqita një relacion udhëheqjes së lartë të shtetit, Presidentit Alia, ku hodha edhe mendimin se duke u nisur edhe nga lidhjet historike e kulturore me botën arabe e myslimane mund të shikohej mundësia e marrjes nga vendi ynë të statusit të observatorit (vëzhguesit), i bindur se kjo përbënte një zgjedhje kompromisi që nuk dëmtonte interesat e vendit, por e trajtuar me finesë e diplomaci mund t'u shërbente këtyre interesave. Në dhjetor të po atij viti, '91, unë kryesova një delegacion shqiptar në Samitin e Konferencës Islamike në Dakar të Senegalit. Kjo shënon edhe krijimin e raporteve të para të vendit tonë me këtë organizatë. Më pas Shqipëria njohu ndryshimin e sistemeve dhe në mënyrë të natyrshme mjaft zhvillime të rëndësishme si në politikën e brendshme dhe në atë të jashtme. Në këtë vazhdë dhe në këtë kontekst, më pas shteti shqiptar u bë anëtar i Organizatës së Konferencës Islamike. Gjykoj se në mjaft raste kjo është trajtuar në mënyrë simpliste, sikur me këtë zgjedhje janë tradhtuar interesat kombëtare. Gjërat nuk janë kështu bardhezi. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë shumë më komplekse dhe të ndërvarura; sidomos në botën e sotme!”, thotë Kapllani(https://groups.yahoo.com/neo/groups/alb-muslimnews/conversations/messages/11088). 

Nisur nga kjo, ngjan si pasaktësi, në mos qëndrim politik faturimi i këti akti Sali Berishës. I cili vërtet nuk e refuzoi, por siç sqaron edhe ish-ministri i Jashtëm, hyrja në këtë organizatë nuk ka patur si premisë as tradhëtinë, as hapjen e rrugës ndaj terrorizmit, por thjesht përfitimin dhe një politikë të jashtme normale. Le të kthehemi sot e të shohim se në fillimet e veta edhe qeveria aktuale i ka mëshaur një dimensioni të tillë në diplomaci, duke e njohur botën islame, si një zonë, të cilën Shqipëria nuk ka luksin ta refuzojë, apo edhe paragjykojë. 

Comments

Submitted by Luani (not verified) on

Te hapen dosjet
kete e ka kerkuar edhe ismail kadare
por nuk ka dhene emra
luani

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.