Intervista/Jamarbër Malltezi: Shqipëria, Republikë e miqve të Edi Ramës

Postuar në 16 Nëntor, 2015 18:31
Ilir Sinanaj

Pyjet, mjedisi në tërësi, prej kohësh po kapitalizohen si burime ekonomike edhe në Shqipëri. Mjerisht pa një strategji dhe shpesh duke shkaktuar dëme. Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit për Ambientin, Pyjet dhe Turizmin i Partisë Demokratike, në një intervistë për “ResPublica.al”, akuzon zyrtarë të lartë të qeverisë, duke argumentuar sipas tij paaftësinë e tyre dhe mungesën e qartësisë në punët e ndërmarra. Duke folur për lejet ndërtimore, Malltezi akuzon kryeministrin për klientelizëm. Këto dhe disa komente të hollësishme për pyjet, apo për mejdisin në tërësi si dhe një parashtresë për projektin ekonomik të PD-së, janë disa çështje të trajtuara në intervistë.  

 

ResPublica: Z. Malltezi, së fundmi kemi pasur një dëm ekologjik te shkaktuar nga derdhjet e hidrokarburave në vijën bregdetare të Durrësit, sipas burimeve qeveritare. Si i vlerësoni ecurinë e masave të ndërmarra për të përballuar këtë “emergjencë”?

Javën e shkuar pati një krim ekologjik me pasoja të rënda dhe afatgjata në mjedis, shëndet, peshkim dhe turizëm me ndotjen e rrezikshme në bregdetin e Durrësit dhe shteti bën strucin. Në çdo vend normal do të ishte shpallur gjendja e emergjencës, fajtorët do të ishin kapur dhe do të ishin përballur me drejtësinë. Miliona dhe miliarda dollarë do të viheshin në dispozicion të rehabilitimit mjedisor të zonës. Ndërsa në Shqipëri qeveria as nuk di të thotë kush e shkaktoi, as të thotë çfarë ndotje është, sa është sasia, sa është rrezja e ndikimit, sa e rrezikshme është ndotja, asgjë.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit e deklaroi zonën shumë të ndotur. Ministri i Bujqësisë njoftoi qytetarët të mos konsumojnë prodhime deti të zonës së ndotur. Ministri i Mjedisit deklaroi se "Shteti ishte në gjumë" dhe për pasojë Durrësi e pësoi. Shteti është në gjumë për mjedisin, sigurinë, shëndetin dhe turizmin, por është shumë aktiv kur është puna për tenderat dhe vjedhjet në shëndetësi, mbrojtje, energjetikë, ALUIZNI etj..

Ku pati emergjencë? Këtu as nuk u shpall emergjenca, as nuk u njoftua popullsia siç kërkohet nga ligji, as nuk u gjobit njeri për këtë krim makabër që mund të shkaktojë deri sëmundje kancerogjene edhe shumë vite më pas. Një pjesë e rërës së ndotur u hoq nga bregu dhe u çua si ndotje e rrezikshme gjetkë (një tjetër vepër penale), ndërsa ndotja e tretur në ujë përfundoi në algat detare dhe peshqit dhe përmes zinxhirit ushqimor do të përfundojë në trupin e njeriut. Kjo ngjarje e rëndë është një thikë pas shpinë për turizmin e Durrësit, rrezikon seriozisht mjedisin detar, por edhe shëndetin e banorëve dhe peshkimin. Në një rreze prej 15 km nuk duhen konsumuar prodhimet e detit pasi popullsia mund të helmohet ose të marrë mbetje toksike që mund të shfaqin sëmundje kancerogjene edhe shume vite më pas.

 

ResPublica: Çfarë mund të thuhet për rolin Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB) e themeluar me ardhjen e qeverisë së majtë në lidhje me menaxhimin e bregdetit në rastin e kësaj "emergjence"?

Inekzistente. Pse i paguajmë me taksat tona? Për fat të keq nuk u pa fare asnjë agjenci shtetërore. I drejtuam të paktën 11 pyetje qeverisë por kanë mbetur pa përgjigje, si për shembull:

  1. Cilët janë burimi dhe shkaku i ndotjes?
  2. Cili është ndotësi dhe sasia e ndotësit?
  3. Pse nuk u zbatuan ligjet “Për Mbrojtjen e Mjedisit Detar nga Ndotja dhe Dëmtimi” dhe “Për Emergjencat Civile”?
  4. A ka institucione ky shtet apo ka veç tendera?
  5. A ekzistojnë kêtu institucione te tilla si: Agjencia e Bregdetit, Kapiteneria e Portit, Roja Bregdetare, Inspektoriati Mjedisor, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit?
  6. Pse paguajmë mijëra paga për punonjës dhe institucione që kur na duhen qenkan në gjumë?
  7. Kush do na garantojë që peshqit dhe guackat e kontaminuara nuk do të përfundojnë në pjatat e shqiptarëve?
  8. Kush do të paguajë për të kompensuar humbjet e bizneseve turistike në bregdetin e Durrësit?
  9. Kush duhet të kompensojë peshkatarët që për disa muaj nuk duhet të peshkojnë?
  10. Kush do të paguajë apo si do të kompensojë për rastet e sëmundjeve të lëkurës apo edhe të sëmundjeve kancerogjene që mund të shfaqen?
  11. Kush po kontrollon tokën, ajrin dhe detin në këtë vend? Kjo pasi nga toka po bëhet kontrabandë qindra miliona eurosh, nga ajri po hyjnë e dalin avionët e drogës, deti po ndotet me tonelata mbetjesh toksike dhe qeveria nuk ka asnjë përgjigje?

 

ResPublica: Kreu i Agjencisë së Bregdetit, Auron Tare, është shprehur në media se po punohet për hartimin e një ligji për bregdetin si edhe ka kërkuar të kalohet menaxhimi i bregdetit nga pushteti vendor tek agjencia që drejton. Si e vlerësoni ju këtë kërkesë? Çfarë ndikimi do të kishte në ekonomi kjo gjë, kryesisht në sektorin e turizmit?

Veprimi i parë i kësaj Agjencie ishte dëmtimi i tmerrshëm i një prej ishujve të Ksamilit. Duke dashur të heqin një ndërtim të paligjshëm, e kryen me metodë të papërshtatshme duke e hedhur në erë lokalin dhe duke shkaktuar zjarr masiv në ishull, që është edhe Park Kombëtar! Pra, nxorën sytë në përpjekje për të vënë vetulla. Për fat të keq ai ishull është kthyer në shkretëtirë por askush nuk mbajti përgjegjësi penale paçka se kemi ligje.

Qenka shumë e rëndë që qenka ngritur një agjenci shtetërore, paguhen shuma të mëdha në vit për paga por nuk paska ligj ende. Kjo shkon në të kundërt të shtetit ligjor. Tani po kërkojnë menaxhimin e bregdetit, pra vjeljen e taksave apo thënë shkoqur paratë. Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim domethënës për shqiptarët që të na duhet të hartojmë një ligj që vetëm Auroni të ketë akses me ligj tek paratë dhe jo kryetarët e njësive të qeverisjes vendore. Agjencia Kombëtare e Bregdetit mund të luajë një rol të rëndësishëm trajnues, koordinues dhe monitorues mes veprimtarive të ndryshme që ndodhin në terren dhe që shumë institucione nuk luajnë rolin e parashikuar në ligj. Ndërsa për ekonominë mendoj se paratë nga taksat duhet të shkojnë tek ata që jetojnë aty ku mblidhen paratë. Njerëzit duhet të jenë përfituesit e parë dhe kryesore të të ardhurave që gjenerohen në zonën e tyre.

 

ResPublica: Një nga çështjet e ngritura nga Partia Demokratike janë edhe lejet e ndertimit dhe zhvillimore të ndryshme të dhëna nga qeveria? Si i vlerësoni strategjitë e qeverisë në lidhje me sektorin ndërtimor në Shqipëri?

Klientelizmi dhe korrupsioni po hanë mushkëritë tona. Është e turpshme që niset procedim penal për një hallexhi që ndërton një tendë provizore në verandën e shtëpisë së vet, por nuk guxon të flasë asnjë institucion për obeliskun e antiligjit që janë sarajet e Koços në bregun e Qeparoit që dhunojnë njëherësh 10 ligje dhe 2 plane urbanistike. Është e turpshme që ndërtuesi i sarajave të Edi Ramës, Adrian Nela, për kontributin e tij tek Surreli po paguhet me mushkëritë tona duke e lejuar të ndërtojë 2 palë saraje mu mes Parkut të Liqenit në Tiranë dhe shteti i korruptuar nuk vepron ndonëse ka një vendim për prishje nga INUV-i qysh në 2014-n.

Është trishtuese që vendimet e qeverisë dalin sipas interesave vetjake korruptive të Edi Ramës dhe jo sipas ligjeve të shtetit. Vendimi i qeverisë për t’i marrë të drejtën e autoriteteve vendore të lëshojnë leje ndërtimi dhe t’i monopolizojë në dorën e Edi Ramës tregon veç se kush do të vjelë paratë e rryshfeteve. Pse një qeveri do të nxjerrë vendim që bie ndesh me kushtetutën, ligjet në fuqi, si dhe dhunon 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese? Duhet të jetë ose një paaftësi e tmerrshme ose një interes i madh korruptiv. 

Dhe tani po kafshon edhe mushkëritë e Tiranës duke ndërtuar brenda Parkut të Liqenit dhe duke u fshehur pas lojërave të fjalëve. Turp dhe trishtim.

Shihni kush ka marrë leje ndërtimi tani në 2015-ën. Janë dhënë vetëm 5 leje zhvillimi për 5 kompani, dy prej të cilave janë ndërtuesit e sarajeve 58 metroshe të Surrelit, dy të tjera janë për pronarët e dy TV të njohura dhe e fundit ishte për Delijorgjin tek qyteza që njihet si Rama-Delijorgji, pasi ishte leje ndertimi 243,450m2 për 55 pallate e lëshuar veç 1 javë para zgjedhjeve të 2005-s. Pra, uzurpim antiligjor i tagrave kushtetues të pushtetit vendor dhe bllokim leje ndërtimi për çfarëdo zhvillimi ekonomik në të gjithë Shqipërinë, përveç ndërtuesve personalë të Edi Ramës dhe mediave që po i blen. Çfarë emri mund t’i vendosësh kësaj?

 

ResPublica: Ju keni qenë aktiv si në media ashtu edhe në rrjetet sociale në denoncime të veprimtarive të dëmshme të ndërmarra ndaj pyjeve. Si paraqitet situata e pyjeve në Shqiperi? A kanë burime të mjaftueshme njerëzore në institucionet përgjegjëse për pyjet për të menaxhuar këtë sektor?

Prerjet kriminale të pyjeve nuk janë problem që lind nga mungesa e burimeve njerëzore, por nga korrupsioni që si gangrenë po na ha të gjithëve si komb. Në fund të 2013-s, ministri i Mjedisit shkarkoi brenda ditës 650 inxhinierë pyjesh në të gjithë vendin dhe i zëvendësoi me militantë partie krejt pa shkollë. Ja ta ilustrojmë me disa shembuj kudo në Shqiperi: 

Çfarë po ndodh në Bulqizë? Ministria e Mjedisit ka lëshuar leje shfrytëzimi pylli të kundraligjshme për xhaxhain e Ylli Manjanit dhe banorët po protestojnë kundër prerjes së pyllit se i konsiderojnë si mushkëritë e tyre. Për fat të keq në vend që të nderohen këta banorë, policia mban anën e keqbërësve me pushtet, ndërsa pushteti vendor i kërcënon banorët që nëse nuk lejojnë të pritet pylli atëherë do t’u heqë ndihmën ekonomike protestuesve.

Çfarë po ndodh në Librazhd? Po ndodhin prerje masive të pyjeve edhe brenda Parkut Kombëtar (zona e mbrojtur me kategorinë më të lartë) nga një bandit partner i Taulantit që i siguron mbrojtje politike. Dy kolegët e tu gazetarë, bënë një kronike dhe filmim se si partnerët e Taulantit po prisnin Parkun Kombëtar, por në vend që të frikësoheshin banditët që shkelnin ligjin, u kërcënuan gazetarët!!! Prerësit e pyjeve të Librazhdit janë të lirë ndonëse qëlluan me armë ndaj gazetarëve dhe i gjëmuan nëpër pyll dhe mund t’i kishin vrarë dhe zhdukur nëse gazetari nuk do të kishte lajmëruar në kohë publikun me telefon. Banditët e Taulantit ndihen të trimëruar dhe pyjet e prera i kanë shtrirë në fusha të tëra me lëndë drusore, që trishtojnë çdokënd me dy fije dashuri për këtë vend.

Çfarë po ndodh në Kolonjë? Pazari për pushtetin vendor kishte në thelb marrëveshjen për të prerë pyjet. Prandaj tani nënkryetari i Bashkisë ka shkuar deri aty sa të presë edhe brenda zonës së mbrojtur Gërmenj-Shelegur, që është vepër penale.

Çfarë po ndodh në Lenie dhe Gramsh? Shihni banditizmat e ish-kreut të Bashkisë, Dritan Bicit dhe të vëllait. Ta thotë i gjithë Gramshi se në kulmin e aksionit kundër informalitetit, vjet Dritan Bici dhe i vëllai, ngritën dy ndërtime të kundraligjshme buzë Liqenit të Zi, që është Monument Natyre dhe respektohet ruajtja me të njëjtat kritere si Park Kombetar. Këta ka në prerë gjithë pyjet e Lenies, këta kanë licencë prerjeje, këta dëmtuan rrugën me makinat e tejmbushura me trupa drusorë, këta si “Robin Hudi” kanë vendosur edhe traun privat dhe vjelin paratë për hyrjen në këtë pikë Monument Natyre. Ka me dhjetëra raste të këtilla që e konsiderojnë veten mbi ligjin se ndajnë paratë me Edi Ramën dhe aleancën e tij të qelbësirave. Por këto raste trishtojnë këdo që e dashuron këtë vend. Këto gjëra i zhgënjejnë dhe i detyrojnë shqiptarët të marrin udhët e botës.

 

ResPublicaL Po lidhur me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura që është krijuar çfarë mund të na thoni?

Ku është? Çfarë po bën? Nuk di pse duhet të paguajmë miliona euro për paga për diçka nga e cila nuk marrim asnjë shërbim. Ku është kjo Agjenci kur priten pyjet e Parkut Kombëtar në Steblevë, kur priten pyjet e Zonës së Mbrojtur Gërmenj-Shelegur, kur priten pyjet e Lenies, kur ndërtohen paligjshmëri nga “pushtat” e shtetit brenda zonave të mbrojtura? Apo rasti i fundit kur qeveria lëshoi leje per shpim pusi nafte brenda Zonës se Mbrojtur të Lagunës së Nartës? Ky vendim dhunon njëherazi 3 ligje të Shqipërisë si edhe 3 konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Pra, ku është Agjencia e Zonave të Mbrojtura? Pse nuk zbatohen ligjet?

 

ResPublica: Me përfundimin e zgjedhjeve vendore kemi zbatimin e reformës së re territoriale, të paktën për sa i përket juridiskionit të kryetarëve të bashkive. Por realisht sa është i mundur zbatimi i kësaj reforme? A janë përgatitur aktet nënligjore përkatëse? Çfarë po ndodh me personelin e adminstratës së pushtetit vendor? Sa i mundur është menaxhimi, në kushtet aktuale i këtyre bashikve te reja?

Krejtësisht i paqartë dhe tejet problematik për menaxhimin e situatës. Çfarë do të bëhet? Kur do të dalë baza ligjore dhe nënligjore? Cilat do jenë kompetencat? 

Qeveria mendoi veç për të marrë zgjedhjet në tavolinë, por nuk mendoi se çfarë do të bëhet ditën tjetër, kur të hynin në zyra. Tani thjesht po pushohen njerëzit nga puna për të kënaqur pak militantë. Por kjo është dritëshkurtësi dhe nuk parasheh asgjë të mirë për shërbimet ndaj qytetarëve. Ndërkaq, ujërat e ndotura të Pogradecit po derdhen në liqen por nuk dihet kush duhet të ndjekë zbatimin e ligjit. Trishtuese kur vëren që me teper ka rëndësi se kush vjel paratë e tenderit se sa kush mund të bëjë një të mirë për këtë vend.

 

ResPublica: Një problem i madh në Tiranë është edhe gjelbërimi. Në lidhje me nisma për te ndërtuar në zonën e Parkut të Liqenit, Partia Demokratike i ka kundërshtuar. Çfarë mund të na thoni për mirëmeaxhimin e këtij parku, për sa i përket një plani zhvillimor dhe si ndikon reforma territoriale në lidhje me këtë?

Ne jemi që të mbrohet Parku i Liqenit me çdo kusht dhe mundësisht të shtohet sipërfaqja e gjelbër, qoftë edhe duke paguar dy ose trefishin e çmimit zyrtar për shpronësimin për interes publik. Z. Veliaj në fushatën për kryetar bashkie deklaroi se nuk do të lejohej asnjë ndërtim në Park, por z. Rama po uzurpon tagrat ligjore dhe po e bën fakt ndërtimin brenda Parkut për klientët e vet. Po i paguan në natyrë me mushkëritë tona. Po pse nuk ndërton tek sipërfaqja e gjelbërt e Surrelit? Pra këtu nuk është problem i reformës territoriale por problem i mendësisë së mbrapshtë për të blerë mediat përmes lejeve të ndërtimit edhe brenda Parkut të Liqenit. Kjo është sa trishtuese aq edhe kriminale.

 

ResPublica: Partia Demokratike në Kuvend ndodhet përballë një mazhorance të madhe dhe pas zgjedhjeve vendore ka një disavantazh numrik për sa i përket kryetarëve të bashkive dhe përfaqësues në keshillat përkatës. Çfarë mund të na thoni për punën e Departamentit që ju drejtoni në lidhje me furnizimin me ide të përfaqësuesve demokratë në pushtetin qëndror dhe vendor? Si e bashkërendoni punën në rang vendi?

Departamenti ynë ndjek problematikat në fushën e mjedisit, pyjeve dhe turizmit dhe ndihmon deputetët, anëtarët e këshillave bashkiakë dhe deri qytetarët nëse iu duhet ndihmë për të parë nëse vendime të caktuara dhunojnë mjedisin dhe janë në kundërshtim me ligjin. Marrim informacione nga terreni dhe më pas gjykojmë për vlerën e debatit të tyre në nivel kombëtar apo vendor. Natyrisht që ndihmojmë me informacione dhe trajnojmë personat përgjegjës për këtë departament në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Mund t’ju them një shembull të punës sonë. Siç e dini qeveria mori një vendim më 22.08.2015 për të shpuar pus nafte në Zvërnec, mes detit dhe Lagunës së Nartës, që është në pjesën qendrore të zonës së mbrojtur. Ky vendim ishte një thikë pas shpine për turizmin dhe peshkimin e Vlorës, një vendim i marrë në fshehtësi nga komuniteti vendor ku as këshilltarët bashkiakë nuk kishin asnjë njoftim.

Departamenti ynë, së pari mblodhi gjithë informacionin e nevojshëm, së dyti paraqiti bazën ligjore dhe konventat ndërkombëtare që dhunon ky vendim, së treti organizoi një takim me komunitetin dhe këshilltarët bashkiakë në fshatin Nartë, ku iu paraqitëm vendimin e fshehtë dhe banorët konfirmuan që nuk ishte njoftuar askush, madje as keshilltarët bashkiakë nuk kishin njohuri për këtë vendim, dhe së katërti këmbyem mendime dhe analizuam gjendjen me këshilltarët bashkiakë për ballafaqimin me këtë problem.

Mbledhjen pasuese të Këshillit Bashkiak, këshilltarët e Partisë Demokratike në bllok i kërkuan Këshillit Bashkiak, së pari të shprehej nëse kishte ndonjë informacion dhe së dyti të shpreheshin kundër këtij vendimi që dhunonte mjedisin dhe turizmin e Vlorës. Këshilli Bashkiak nuk kishte informacion për këtë zhvillim. Pra ky vendim duhej shpallur nul sipas ligjeve në fuqi. Për mëse 2 orë mediat vendore shfaqnin pamje të Këshillit Bashkiak të Vlorës që qartazi kishte kapur një vendim të kundraligjshëm të qeverisë, por që këshilltarët e PS-LSI nuk guxonin të shpreheshin haptaz për të mirën e qytetit, pasi kishin frikë pêr privilegjet vetjake. Këshilltarët e Partisë Demokratike morën qindra telefonata mbështetëse nga qytetarët pas mbledhjes duke qenë se ishte një çështje mjedisore-turistike me shumë rendësi dhe që prek të gjithë qytetarët.

 

ResPublica: Partia Demokratike ka kritikuar vazhdimisht qeverinë për sa i përket "një dështimi" ekonomik. Cilat mendoni se janë disa pika që duhen parë me përparësi dhe duhen zbatuar sa më shpejtë, që sipas jush do t'i jepte shtysën e nevojshme ekonomisë tonë?

Rikthimi në taksat e ulta dhe në taksën e sheshtë i jep gjallëri ekonomisë, hap vende pune dhe sjell bum të ardhurash. Kjo ishte ajo që Partia Demokratike beson dhe që realizoi. Para 2 muajsh edhe përfaqësuesi i FMN-së deklaroi se taksa e sheshtë 10% në 2006-n solli bum të ardhurash për ekonominë. Departamenti i Ekonomisë në Partinë Demokratike sugjeron të ulë taksat edhe më shumë, dhe të kalojë në një taksë të sheshtë 9% që të bëjnë Shqipërinë sa me konkuruese për investimet e huaja. Mos të harrojmë që dhjetëra investitorë janë larguar nga Shqipëria këto dy vitet e fundit pas rritjes së taksave dhe paqartësisë së ecurisë, ku një vit rritet me 50% taksa e korporatave, dhe vitin pasardhës rritet me 50% edhe taksa personale. Propozimi ekonomik i Partisë Demokratike parasheh edhe rritje të mbështetjes për mjedisin dhe pyllëzimet, si edhe ulje drastike te TVSH-së në turizëm. 

 

Comments

Submitted by flori (not verified) on

shume te renda keto denoncime. nuk kuptoj se cfare bejne institucionet kur priten pyjet si barbare. nuk e dija qe qenka kaq raport i turpshem i 5 lejeve te ndertimit ne tirane

Submitted by eno (not verified) on

abi ka te drejte

Submitted by mano mano (not verified) on

Ky ka te drejte. Shume te drejte. Madje ka aq te drejte sa duhej te ishte ne burg familjarisht.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.