E-book-u, lexuesi dhe plagjiatura

Postuar në 14 Nëntor, 2015 11:13
Agim Baçi

Unë bëj pjesë ende tek ata lexues që dëshiroj ende ta kem librin në letër. Letra më krijon intimitet me leximin, duke besuar se pikërisht në atë kopje që po lexoj, kam të stampuara edhe përjetimet. Ndërkaq, nuk mund të mos bëhem kurioz: Si ndjehet një person që po e lexon njëkohësisht me mua këtë libër, në një gjuhë me mua apo në gjuhë tjetër, në një qytet me mua apo në një qytet tjetër, në një moshë me mua apo moshë tjetër, grua apo burrë?

Kam ndjekur gjatë kësaj kohe shumë debate lidhur me leximin online, jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të tjera. Në përgjithësi janë të rinjtë që preferojnë lehtësisht ebook-un. Jo të gjithë, por në krahasim me më të rriturit, të rinjtë duket se e pranojnë më lehtë leximin online si një mënyrë më e shpejt drejt asaj që dëshirojnë të kenë. Ndërkaq, lexues të tjerë thonë se nuk do ta ndërronin kurrë kontaktin me librin e shtypur, prekjen e kopertinës, erën e librit, shfletimin e fletëve, e të gjitha zakoneve të tjera personale ose jo që lidhen me leximin, krahasuar me atë që përshkruhet nëpër faqet dixhitale. Beteja në fakt ka nisur. Të moshuarit, të marrë gjithë kohën me librin e shtypur në letër, e shohin veten jashtë debatit. Facebook, Instagram, Twitter, vërshojnë çdo ditë me emra, të cilët më pas dëgjohen, shesin, flasin për letërsinë.

Realiteti i botimit, leximit dhe shitjeve on line

Sot jemi përballë faktit të përhapjes së leximit dhe shitjeve online. Le të përmendim disa shifra: Në Shtetet e Bashkuara, librat elektronike përfaqësojnë 27% të shitjeve sot, ndërkohë që në vitin 2008 përfaqësonin vetëm 0.8 %. Kindle Store e Amazon, (Dyqani i blerjeve online të librave) propozon 1 milion tituj në shitje. 70 % e blerësve të saj të librave, blejnë libra elektronikë. Në Angli, 13% e blerjeve të librave janë versione elektronike. Në Francë, është konstatuar që libri elektronik nuk i bën konkurrencë librit klasik. (Dmth, edhe pse shifrat e shitjeve të librit elektronik janë në rritje, shitjet e librit të shtypur në letër janë konstante).

Por, a duhet të na trembë leximin online?

Të mendosh për librin në letër mund të jetë shumë dashuri, por njëkohësisht rrezikon që të mos arrish kurrë të vihesh në dijeni të shumicës së titujve të botuar. Madje, edhe titujve të publikuar me kohë, zor se mund t‘i gjesh. Sot online mund të gjesh çdo gjë, në momentin që do. Por, hedhja e librave online nuk qëndron vetëm në atë çka shkruhet sot. Më lejoni t’ju sjell në vëmendje faktin se Google Edition ka vendosur të publikojë online miliona vepra të ashtuquajtura “jetime”, për shkak se edhe shtëpitë botuese, edhe autorët e këtyre veprave janë zhdukur pa lënë gjurmë dhe e drejta e autorit nuk dihet se kujt i përket. Gjithashtu veprat që kanë hyrë në të drejtën e të gjithëve, (sepse nuk janë me copy right i autorit) mund të shkarkohen nga gjithkush. A nuk është ky një fakt që duhet të na gëzojë të gjithëve? A nuk shkojmë kështu drejt atyre titujve që nuk kanë mundur të vijnë në shqip, apo të atyre shqipshkruesve që nuk jetojnë këtu, por kanë shkruar apo shkruajnë ende nën ritmin e gjuhës shqipe?

Pse kaq kundërshti?     

Mjafton të kujtojmë këtu historinë e botimit të Biblës, nga Gutenbergu më 1455, ku mijëra priftërinj vunë në alarm humbjen e shenjtërisë që kishte fjala që këndohej gojë më gojë. Ata vinin nga trashëgimia e kohës së Platonit, ku pëlqeheshin dialogjet dhe oratoria publike. Por botimi solli jo vetëm mundësinë e përhapjes, por edhe të studimit.

Duke shkuar shtëpi më shtëpi, Libri ishte tashmë jo vetëm një fjalë e dëgjuar, por edhe meditim, edhe rilexim, edhe meditim. Le të mos harrojmë sa i rëndësishëm është rileximi për letërsinë. Unë besoj se hezitimi i shumë lexuesve për e-book vjen nga një traditë për librin, nga një dashuri që lidhet me letrën, nga intimiteti që krijon libri kur është i yti, kur është aty, pa menduar se, nëse ndodh një shkëputje, ti nuk mund të lidhesh me gjërat e tua të dashura. “Mua më pëlqen ta shfletoj librin, ta prek, ta ndiej, ta mbaj te koka e krevatit kur e ndiej që më vjen gjumë dhe kam dhe një fiksim, më pëlqen t’u marr erë librave, të ndiej aromën e fletëve dhe ndjesinë që të jep kur prek fletët dhe i kalon një nga një”, thotë lexuesi klasik i letërsisë. Por, a do të ishim të qetë nëse nuk ka ardhur dot në format letre një autor që mund të ndryshojë shumë gjëra brenda nesh? Kush do të na informojë për të? Nuk do të na vinte keq ta njihnim shumë vonë një shkrimtar brilant?

Por nga cilat gjëra rrezikohemi në e-book-u?

Nëse do të binim dakord vetëm për një fjalë të vetme, kam bindjen se do të thoshim: Plagjiatura! Ky është një rrezik i jashtëzakonshëm. Janë tashmë në procese ankimimesh në vende të ndryshme të botës mjaft botues të ndryshëm, autorë të ndryshëm. Në Shqipëri, ku e drejta e autorit, e për më keq, plagjiatura, ka mbetur në përgjithësi e pandëshkuar, ky problem kthehet gati në makth për pazgjidhshmërinë që ofron. Dhe e ardhur në formatin elektronik, ky rrezik është ndoshta edhe më i madh, për shkak të lehtësisë që ka kopjimi!!!! Ndaj, në optikën e një lexuesi, por edhe të një kritiku, do të më vinte keq të gënjehesha në shijet e mia nga njerëz që mund të më sjellin gjërat që nuk janë të tyret. Edhe pse ka pasur debate nëse është apo jo Molieri autori i veprave që njohim me firmën e tij, apo edhe për Shekspirin, ne kemi pasur hamendje dhe diskutime për autorësinë, por jo për plagjiat.

A i shërben e-book qëllimit?

Qëllimi i lexuesit është të arrijë te libri. Nëse e-book e afron më shpejt dhe me një hapësirë më të madhe, me më shumë emra, me shpejtësi drejt gjithë tendencave, do të thotë se për lexuesin është shans. Madje, me të njëjtën shpejtësi lexuesi mund të njihet edhe me kritikat botërore mbi letërsinë e dikurshme dhe atë të sotme, kritikë që duhet pohuar se tek ne nuk e ka sot larminë e debateve si në shumë vende në botë. Dëshpërimi për këtë hapje mund t’iu përkasë mediokërve, por jo shkrimtarëve të talentuar, e as kritikëve profesionistë, pasi të dy palët kanë shanse që të kenë më shumë orientim.

Megjithatë, le të mos harrojmë, frikën që në Shqipëri nuk është zhdukur dot- plagjiatura. Ndoshta, për të shmangur këtë sëmundje, botuesit mund të investojnë bashkërisht në një mekanizëm, që të bëjë të mundur denoncimin e plagjiaturës dhe ndjekjen deri në fund të çdo rasti, me qëllim që të mbrojnë pronësinë intelektuale të autorit dhe pronësinë e tyre si botues. Por njëkohësisht, mund të investohet që bashkë me librat të debatohet më shumë mbi konceptet e leximeve, duke përfshirë kështu jo vetëm kritikat më esenciale që shoqërojnë botimet botërore por edhe gjetjen e rrugëve që këto debate të bëhen sa më publike, sidomos nëpër shkolla.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.