Projektligji për sigurinë/Kamera në pallate, një polici që akseson çdo gjë dhe sërish gjoba dhe mbyllje aktiviteti për biznesin

Postuar në 11 Nëntor, 2015 11:34

Qeveria, përmes Ministrisë së Brendshme, duket se ka gjetur rrugën e sigurisë maksimale: vendosje kamerash në çdo pallat dhe bashkëpunim masiv me policinë. Një praktikë që shqiptarët e njohin e që mendohej se do ishte lënë pas, ndërkohë që konfirmon se zbulueshmëria dhe parandalimi kanë pika për të cilat vetëm flitet, por pak gjë bëhet. Sot ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka prezantuar projektligjin “Për disa masa shtesë të Sigurisë Publike” në të cilën parashikohen disa rregullime që mund të rezultojnë shumë problematike. Në nenin 4 parashikohet se subjektet private detyrohen të marrin masa shtesë sigurie, duke lehtësuar kështu punën e policisë, por duke shtuar disa kosto. Pavarësisht kësaj, një pikë problematike është ajo që parashikohet për sigurinë në banesa e përbashkëta. “Administratorët e ndërtesave të banimit, marrin masa shtesë sigurie, duke bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, nisur nga vlerësimi i rrezikut që konstatohet në urbanistikën e pallatit, parkimet, depozitat e ujit, personat me precedentë kriminalë banorë apo qiramarrës”, thuhet në nenin 8. Po cilat janë këto masa? Ja se çfarë sugjeron projektligji: “Masat shtesë të sigurisë, janë: a. Përdorimi i sistemit të kamerave të tipit CCTV, me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe, që ruajnë imazhet filmike në NRV/Server deri në 2 muaj. b. Përdorimi i pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë, për identifikimin, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli, reader, GPS etj). c. Lidhje direkt të sinjalit për ruajtjen e objektit me sallat e komandimit / informacionit të Policisë së Shtetit. d. Përdorimi i Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF)”. Të gjitha kosto që paguhen nga qytetarët ndërkohë që paguajmë të gjithë edhe për policinë.

Në kushtet e një shtimi të tillë sigurie private, është e udhës që të zbriten disa shuma buxhetore për policinë, e cila shkarkohet kështu nga shumë angazhime. Ajo çfarë është edhe më vështirë e pranueshme dhe gati arbitrare është se vlerësimin e rrezikut e bën ministri i Brendshëm me udhëzim, duke krijuar kështu kushtet për të vendosur survejim masiv me një preferencë të një njeriu të vetëm. Më tej, me krijimin e këtyre kushteve shtesë të sigurisë, drejtoritë e policisë kanë të drejtën të lëshojnë çertifikatë sigurie. Projektligji synon të paralelizojë të drejtat e prokurorisë teksa bazuar në Kodin e Procedurës Penale i njeh policisë të drejtën e aksesit në të dhënat e krijuara, ndërkohë që kjo e drejtë sot, ekziston në rastet e një ngjarjeje apo hetimi. Po kështu neni 16 i lejon policisë të drejtën e inspektimit periodik dhe më e papritura, të drejtën e gjobitjes së subjekteve në rast të mospërpmbushjes së kritereve për sigurinë shtesë. Thuhet në nenin 17: “Për mosmarrjen e masave shtesë të sigurisë, kur kjo nuk përbën vepër penale, vendoset gjobë: a- për biznesin e madh, masa e gjobës është nga 50 mijë deri në 100 mije lekë. b- për biznesin e vogël masa e gjobës është nga 5 mijë deri ne 20 mijë. 2. Gjoba vendoset nga Policia Vendore 30 ditë nga njoftimi për marrjen e tyre. 3. Nëse pas 60 ditëve nga vendosja e gjobës, nuk përmbushen detyrimet e caktuara në këtë ligj, subjektit i hiqet Vërtetimi i Sigurisë. 4. Në rast se subjekti nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në këtë ligj, Policia Vendore njofton zyrtarisht autoritetin përgjegjës për pezullimin/mbylljen e aktivitetit”. Me sa duket qeveria i njeh të drejtën vetes të veprojë me parimin bardh e zi: o me mua, o kundër meje.

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

Sa me shume kalon koha, brezi qe 25 vjet me pare u cua ne kembe per te denuar totalitarizmin enverist po fillon te skuqet nga turpi ne fytyre! Vendosja e masave te survejimit ne mase, hyrja "e papritur" ne hapsira ku nuk eshte ftuar, detyrimi i personave private te pranojne "siguri shtese" ishin disa nga kritikat me te drejta dhe me te ndiera ndaj diktatures komuniste.
Une kam frike se qytetarit shqiptar do ti mungoje kurajoja intelektuale te ngrihet ne kembe edhe kunder ketyre kompromentimeve ekstreme te te drejtave civile; pervecse autormizimi i cdo qeverie te nderhyje ne sferen private pa asnje kufizim eshte ide e keqe, te mos harrojme qe Shqiperia eshte vendi ku fotografite apo video personale dalin pertej rrethit te sekretit hetimor, nga policia dhe qeveria dhe perfundojne neper faqet e shtypit te rruges, kryesisht per te shantazhuar persona publike apo per hakmarrje personale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.