Bie pesha e bankave greke në Shqipëri: Humbin 230 milionë euro gjatë 9 muajve

Postuar në 11 Nëntor, 2015 10:13

9 muajt e parë të këtij viti nuk kanë qenë aspak të lehtë për bankat me kapital grek, që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri. Të gjendura nën presionin e krizës në Greqi, me shtetin helen që rrezikoi në qershor-korrik edhe daljen nga euro, ato rezultojnë të jenë përballur me një rrjedhje të fortë depozitash.
Ndonëse situata u kalua me sukses dhe për fat të mirë nuk pati efekt domino (përhapje të tërheqjeve te bankat e tjera), sërish rezulton nga të dhënat e Shoqatës së Bankave, se nga tre bankat greke (NBG, Alpha dhe Tirana) janë larguar 32 miliardë lekë, apo rreth 230 milionë euro.
Edhe pesha e tre bankave me kapital grek ndaj totalit të aktiveve ka zbritur nga 17% në fillim të 2015-s, në 14% në fund të 9 mujorit, sipas të dhënave të përpunuara nga Shoqata e Bankave.
Fundi i qershorit, kur kryeministri grek Aleksis Tsipras shpalli mbajtjen e një referendumi për masat e rrepta, (që imponoheshin nga kreditorët ndërkombëtarë të këmbim të paketës shpëtuese ) ndaj të cilës greket votuan kundër dhe korriku, kur kulmuan negociatat mes kreditorëve ndërkombëatarë dhe qeverisë greke, ishin më të vështirat në historinë greke, duke iu afruar më shumë se kurrë daljes nga euro. Ndonëse autoritetet shqiptare theksuan me forcë se bankat me kapital grek janë të sigurta e të pavarura nga mëmat, sërish individët nxituan të tërhiqnin paratë.
Këto kursime, që u tërhoqën nga bankat me capital grek janë transferuar drejt bankave të tjera. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, BKT, Raiffeisen, Credins kanë parë një rritje të fortë të depozitave, të ndjekura nga Societe dhe Union Bank. Bankat e tjera kanë shënuar rritje apo rënie modeste, ndërkohë dhe Intesa SanPaolo ka pasur një ulje të fortë të kursimeve.
Banka e Shqipërisë paralajmëroi pak javë më parë se efektet e krizës greke do të vazhdojnë të ndihen në Shqipëri, duke ndikuar deri me 0.5 pikë përqindje rritjen ekonomike.

Monitor

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.