E mira e përbashkët lyp Transplant...

Postuar në 10 Nëntor, 2015 14:53

 

“ABCNEWS” raporton sot se një grup xhirimi i këtij televizioni është sulmuar dhe dhunuar nga shefi i Komisariatit nr. 4 në Tiranë, Fatmir Lleshi. Po sipas këtij televizioni një operator është shoqëruar në mjediset e këtij komisariati. Në faqen e televizionit thuhet se “ngjarja ka ndodhur sot në drekë ndërsa grupi i xhirimit të “ABC NEWS” ka qenë duke përgatitur një kronikë në një rrugë pranë këtij komisariati, kronikë që nuk kishte objekt të saj policinë”.

Cilidoqoftë motivi asgjë nuk e justifikon ngjarjen dhe ndërhyrjen e një polici që provon për të një mijtën herë se në Shqipërië neuronet përjetojnë mjedis armiqësor në kokat e drejtuesve të shtetit e sidomos policisë. Ngjarja, të cilën e besojmë siç na e raportojnë kolegët e “ABCNEWS”, pason dhunën ndaj studentëve që goditën me vezë kryeministrin Edi Rama, shoqëruar me disa fjalë se HAJDUT, SHARLATAN, që përderisa nuk janë përgënjeshtruar, duhen marrë si të vërteta. Një hollësi e ngjarjes së studentëve na provon se çfarë ndodh realisht në qeveri dhe sesi kjo qeveri ka krijuar një mjedis të mbyllur ndaj realitetit, të cilit i trembet dhe e refuzon. U tha se policët deklaronin se kryeministri është i sukssesshëm dhe se brezi i ri nuk po kupton. Kjo është më keq sesa militantizëm;  është transformim i një të vërtete partiake në interes klientelist të të gjithëve që janë poshtë e që paguhen me paratë tona. Dhe mjafton vetëm kjo bindje e ndërmjetësuar me interesin që të kuptojmë se dhuna policore dhe mllefi po mahisen si simptoma sistemike më tepër sesa raste sporadike. Sulmi i Lleshit ndaj “ABCNEWS” është në vazhdën e kësaj mërie dhe këtij mllefi që qeveria, sidomos enturazhi i Edi Ramës ka me median, apo pjesë të saj, pasi askush nuk po i bën më fresk arritjeve imagjinare të këtij kryeministri; mediat po i prishin gjumin njeriut që mnashtroi të gjithë shqiptarët me kartën e dështuar të Berishizmit, njeriun e paaftë totalisht, i cili operon nën efektin e këshillave të atyre, fytyra e të cilëve nuk shfaqet kurrë publikisht. Një njeri që mohon sot diçka kategorikisht për të zhgënjyer të nesërmen me përgënjeshtrimin e vetvetes. Një kryeministër që kërkon të vendosë stabilitet dhe shtet ligjor me një ministër të Brendshëm qesharak dhe pa integritet, për të cilin mjaftojnë dy tre kamera amatore për ta nxjerrë se nuk ka vizion për të drejtuar më shumë sesa një i plotfuqishëm lagjeje, siç thuhej dikur.

Tensionimi i qeverisë, sidomos kryeministrit, një politikan që ka dalë nga inkubatorët mediatikë, të paktën si profil publik, është një sinjal pozitiv. Një sinjal që na provon se pushteti është i irrituar nga faktet që i rrjedhin nga të katër anët, e të cilat përpiqet t’i trajtojë si keqraportime. Por më shumë akoma: këto ngjarje na provojnë të gjithë se ky pushtet , ky ekip është i irrtueshëm kollaj, se ka humbur qetësinë, se nuk ka më nën kontroll as veten. Përndryshe çdo qeveri do të shmangte në maksimum polemikën me median për cilësinë e gazetarisë, edhe sepse në çdo rast, keqraportimi, apo mashtrimi gazetaresk, vetëdenoncohet në kushtet e një lirie për të shkruar. Ky nuk është rasti. Përkundrazi, dështimi është kaq flagrant, sa ai nuk kërkon lodhje për t’u evidentuar. Ndaj në dritën e këtyre incidenteve, për të cilat ministri me gjasë do bëjë të mërziturin e do dalë me ndonjë deklaratë shëllirë, mbetet detyrë qytetare transplanti i kësaj qeverisjeje. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.