Burg për kuponin tatimor,Totozani: Duhen politika të reja sociale, jo ashpërsim i kodit penal

Postuar në 10 Nëntor, 2015 12:58

Avokati i Popullit i ka dërguar disa mendime dhe sugjerime Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, mbi projektligjin për ashpërsimin e penaliteteve për biznesin.
Në ndryshimet e dispozitave aktuale të Kodit Penal duket qartë një ashpërsim lidhur me llojet e dënimit dhe masat e dënimit me burgim, faktit që sipas Avokatit të Popullit nuk përbën shqetësim masa e butë e dënimit për veprat penale, por moszbatimi i ligjeve nga strukturat ligjzbatuese.
Lidhur me nenin që parashikon se “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm, apo të parregjistruar në organet tatimore, modeklarimi i të punësuarve, moslëshimi i kuponit tatimor përbën vepër penale dhe dënohet deri në 3 vjet burgim, Totozani thotë se
përfshirja e kësaj shkeljeje si vepër penale, duke pasur parasysh kategorinë e shtetasve që do prekë kjo dispozitë (bëhet fjalë për grupe vulnerabel), është një nismë që duhet diskutuar shoqëruar edhe me masa e politika të tjera, pasi ndryshe do të ishte e nxituar dhe e parakohëshme. "Kjo pasi në vlerësimin tonë shteti duhet të ketë si kryefjalë të tijën jo vetëm ashpërsimin e politikës penale, por edhe identifikimin dhe zbatimin e politikave sociale, pasi në të kundërtën rrezikohet të krijohen situata ekonomike shumë të vështira për kategori të caktuara shtetasish, si dhe njëkohësisht krijimi i problemeve sociale. Kemi parasysh faktin që në legjislacionin fiskal përkatës janë të përcaktuara masat në rastet kur kryhet ushtrim i paligjshëm i aktivitetit tregëtar, ku përfshihen edhe rastet e lartpërmëndura.
Sot pas një iniciative të ndërmarrë nga institucionet e zbatimit të legjislacionit financiar, gjendemi përpara faktit se një numër i lartë individësh, kryesisht të shtresave të varfra, gjenden pa asnjë lloj të ardhure dhe pa punë, të cilën e siguronin nëpërmjet aktiviteteve të tyre tregtare minimale.
Me përfshirjen e këtyre dispozitave si vepra penale, nesër mund të gjendemi përpara faktit se një numër i lartë personash të varfër dhe që i përkasin grupeve vulnerabël do të gjendet në burgje, për të paguar dënimin e tyre për moslëshim fature tatimore apo mosdeklarim të punësuarish. Masa të tilla, në një kohë që ende nuk janë analizuar pasojat e iniciativave administrativo-fiskale të ndërmarra se fundmi nga ekzekutivi, mund të jenë të nxituara, pasi do të rezultonin fatale për personat me të ardhura të ulta financiare"- shprehet Avokati i Popullit.
Sipas tij nuk duhet menduar vetëm pengimi i një kategorie personash që të mos ushtrojnë aktivitet tregtar (nëpërmjet konfiskimit të mallrave, apo parashikimit të dënimeve më të ashpra duke i trajtuar si persona me rrezikshmëri të lartë), por duhet të menduar paralelisht edhe ana sociale, hapje e vendeve të punës dhe rritja ekonomike.
Nga ankesat që ka administruar gjatë këtij viti Avokati i Popullit thotë se veprimet kundra informalitetit janë rritur, janë evidentuar se një pjesë e mirë e personave që kryejnë veprimtari tregtare janë shtresa në nevojë, të cilët sigurojnë me vështirësi jetesën e tyre dhe të familjeve të tyre, që përbëhen kryesisht nga të papunë dhe pa asnjë përkrahje sociale dhe ekonomike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.