Kriza që parandjejnë fasonët dhe “absurditetet” e qeverisë

Postuar në 05 Nëntor, 2015 10:49

Ndryshimet në Procedurat Tatimore që kanë hyrë tashmë në fuqi për biznesin përkthehen me një fjalë të vetme: “absurditet”. Të paktën kështu artikulohet nga përfaqësuesit e sektorit të fasonit për revistën Monitor. Kryetari i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve Flamur Hoxha, ashpërsimi i ndëshkimeve nuk vjen si një veprim logjik i qeverisë. Sipas tij, për të formalizuar ekonominë, qeveria duhet të gjejë forma të tjera, që nuk përkojnë me ndëshkimin sepse në të kundërt kjo do të çojë në rritjen e abuzimeve nga ana e administratës tatimore.

“Në këto 25 vjet pluralizëm, ai që ka qenë në kufijtë e mbijetesës ka qenë gjithmonë biznesi i ndershëm, ai që paguan rregullisht taksat dhe detyrimet ndaj shtetit, por kjo nuk ndodh me ata që vjedhin”, thotë z. Hoxha.

Sipas tij, biznesi fason është në kushtet e falimentit, pasi i duhet të përballet edhe me një sërë problemesh të tjera siç janë edhe vonesat në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga palët kontraktuese, ato italiane. “Shpesh këto detyrime shkojnë në shuma që llogariten në rreth 300 mijë euro, ndërkohë që kompanitë mund të kenë nisur procesin e falimentit që, sipas ligjeve të atij vendi, mund të zvarriten nga 8 deri në 10 vjet. Pra, problemeve të jashtme iu mbivendosen edhe ato të brendshme”, thotë z. Hoxha. Për kreun e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve shumë shpejt biznesi do të gjendet në një krizë të thellë dhe në kolaps të plotë.

“Biznesi do të gjejë forma të ndryshme për të mbijetuar. Mund të mendojë zhvendosjen e aktivitetit të tij ose mënyra të tjera. Kjo është një situatë absurde, që ka sjellë çoroditje dhe nuk e kuptojmë se për çfarë do të shërbejë”, thotë z. Hoxha pë Monitor.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.