“Si në asnjë vend të Ballkanit ne nuk morëm masa shtrënguese për të ulur pagat dhe pensionet”

Postuar në 04 Nëntor, 2015 20:26

Partia Socialiste ka kundërshtuar si të pavërteta përfundimet e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për buxhetin. Përmes një deklarate për shtyp, deputeti Besnik Bare, ka pasqyruar me hollësi të dhënat që disponon qeveria, duke cilësuar se raportimi i KLSH-së, është sinkronizuar me Partinë Demokratike. “Gjatë vitit 2014 ekonomia vazhdoi rrugën e saj të qëndrueshme të kthesës duke e ruajtur trendin e qëndrueshëm pozitiv çdo tremujor pas shtatorit 2013. Viti 2014, u mbyll me një rritje prej 2.2%. Rritja vazhdon inkurajuese edhe përgjatë 2015. Gjatë tremujorit të parë 2015, produkti ynë i brendshëm bruto u rrit me 2,7 % kundrejt tremujorit të parë të vitit 2014. Gjatë tremujorit të dytë 2015 u rrit me 2.5% krahasuar me të njëjtë periudhë të një viti më parë. Duke mbështetur plotësisht parashikimet tona, të konfirmuara edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë si FMN e BB për një rritje vjetore afër 3% për këtë vit. Për dy vite rresht, mazhoranca ka miratuar bashkë me buxhetin paketa fiskale të cilat kanë ardhur me masa lehtësuese dhe jo shtrënguese. Në paketën e vitit 2014 u prezantuan 10 masa lehtësuese me efekt prej (9.75) miliardë lekë; Më shumë lekë për konsumin, më shumë lekë për investimet në xhepat e qytetarëve. Masa të cilat bënë që 97% e shqiptarëve të paguajnë më pak taksa dhe të merrnin deri një rrogë më shumë në vit nga heqja e taksës së sheshtë dhe vendosja e taksimit të ndershëm. Me futjen e taksimit të ndershëm, pra taksës progresive, sot çdo polic, mjek, infermier, mësues etj., merr nga 20 mijë lekë më shumë në muaj deri në 314 mijë lekë më shumë në vit, pra një rrogë më shumë në vit”, tha Bare. Lehtësitë fiskale sipas tij vijuan edhe për vitin 2015 me 12 masa të tilla me efekt 1,48 miliardë lekë. Më tej deputeti socialist rendit edhe një aspekt që e quan arritje: “Si në asnjë vend tjetër në të gjithë Ballkanin dhe vendet e prekura nga kriza, në Shqipëri nuk është marrë asnjë masë shtrënguese për të ulur pagat dhe pensionet, përkundrazi sot çdo qytetar përfton nga 2 deri 40% pension më të lartë, si rrjedhojë e rritjes së kontributeve dhe reformës historike të pensioneve”, tha Bare që edhe për mbledhjen e të ardhurave dekaron raport pozitiv me kohën e qeverisjes së PD-së. 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

E ku t'i cosh me poshte or torrollak?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.