Tjetër letër nga Blushi, sqaron qëndrimin për Lef Nosin dhe një mbrojtje për gjyshin Shuteriqi

Postuar në 04 Nëntor, 2015 10:01

Ben Blushi ka zgjedhur t’i drejtohet me një letër publikut për të sqaruar qëndrimin e tij për Lef Nosin, historinë e të cilit e ka përfshirë në romanin më të fundit “Kandidati” duke iu përgjgjur në të njëjtën kohë edhe një letre të botuar të Mitrush Kutelit ku flitet për gjyshin e tij Dhimitër Shuteriqi.

“Në vitin 1944, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga nazistët, Lef Nosi ishte kolaboracionist ndërsa Dhimitër Shuteriqi ishte partizan.I bindur se Europa ka përcaktuar një  standard moral me të cilin gjykon kolaboracionistët, pra ata të cilët i shërbyen pushtimit gjerman, kam thënë se Lef Nosi duhet gjykuar si i tillë dhe i duhet hequr busti që ka në qendër të qytetit të Elbasanit. Këtë bindje e mbroj dhe do ta mbroj gjithë jetën. Kolaboracionistët nuk mund të jenë nderi i një qyteti”-shkruan Blushi.

Ai hedh poshtë edhe pretendimet e Kutelit se gjyshi i tij Dhimitër Shuteriqi, u bë shkrimtar duke botuar dorëshkrime të autorëve të tjerë.

“Nga pluhuri u nxor një letër që Mitrush Kuteli ia ka nisur një mikut të tij, në të cilën mes të tjerash i thotë se Dhimitër Shuteriqi, im gjysh, i paska pranuar atij se ka përvetësuar disa dorëshkrime të Lef Nosit. Unë nuk dua të merrem as me Mitrush Kutelin dhe as me Lef Nosin. Nëse letra është e vërtetë, kjo është një shpifje shumë e lehtë për t’u provuar se është shpifje. Shkrimtarët kanë pasur dhe do kenë zilitë dhe cmirat e tyre, të cilat i nxjerrin me letra apo me letërsi. Dua të merrem me ata që i besojnë këto shpifje dhe meqë i besojnë, i përdorin kundër meje. Sigurisht më vjen keq që im gjysh po përgojohet për shkakun tim dhe meqë ai nuk është më, nuk kam mundësi t’i kërkoj ndjesë. Por le të besojmë se letra e Mitrush Kutelit është e vërtetë. Pra që Dhimitër Shuteriqi ka përvetësuar dorëshkrime të Lef Nosit dhe këto i ka botuar si të tijat. Për këdo që e njeh, Lef Nosi nuk ka qenë shkrimtar. Nuk ka botuar poezi, tregime apo romane, por vetëm disa artikuj dhe korrespondenca. Dhimitër Shuteriqi ka qenë poet, tregimtar, romancier dhe studiues. Nga viti 1945 kur Lef Nosi u pushkatua e deri në vitin 2003 kur Dhimitër Shuteriqi u nda nga ne,ai ka botuar afërsisht 100 libra. A ka njeri që mund të bindet se këto ia ka përvetësuar Lef Nosit?-thekson Blushi.

Më pas në letër Blushi jep edhe disa shpjegime se qëllimi i librit “Kandidati” është të tregojë se çfarë fuqie ka një manipulim elektoral mbi zgjedhësit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.