Luan Pobrati: "Sigurimi ndikoi pak, ose aspak në krijimin e partive politike më '90-ën

Postuar në 03 Nëntor, 2015 10:08

Luan Pobrati, një ish-pjesëtar i Sigurimit të Shtetit i ka dhënë gazetës "Dita" një intervistë ku flet për disa aspekte të së shkuarës dhe akuzave për dhunë ndaj artistëve. Në intervistë del edhe ndonjë pseudonim për ndonjë artist, si dhe rrëfehet një moment për vitin '90.

-Z.Pobrati, si e vlerësoni ligjin për hapjen e dosjeve? A mendoni se ai do t’ja arrijë qëllimit?

Do të doja të ndodhte kështu, veçse për mënyrën si është konceptuar dhe ndërtuar ai ligj, bashkëpunëtorët fjala vjen, tani kushdo mund t’i mësojë se cilët janë, por nuk mund t’i largojë nga pozicionet që kanë! Thënë shkurt, tanimë ne do të kemi ligjin në fuqi dhe, si në shoqëri dhe miqësi me të, bashkëpunëtorët me pushtet!…

-Po për “Shtëpinë me Gjethe”, ç’do të na thoni?

Për nga konceptimi, Shtëpia me Gjethe është në vetvete një gjetje letrare me ca domethënie artistike dhe kushdo që njeh të vërtetën e saj, kupton më së tepërmi ironinë e mesazheve të një muzeu sesa krimet që sipas librit të ndonjë krijuesi, paskan ngjarë brenda mureve të tij. Për të kuptuar më shumë, mjafton të themi se në këto vite të demokracisë, ku ndër të tjera nuk mungon as hipokrizia, disa prej të emëruarve në pozicione jo dhe aq pa rëndësi, janë stërvitur apo kanë punuar tek “Shtëpia me gjethe”.

Tani më thoni kë të besojmë: Muzeun e ngritur brenda mureve të godinës në fjalë me mbishkrimet letrare të një krijuesi, apo të emëruarit e dalë prej dyerve të tij?!

-Po më tej, cila është e vërteta e Shtëpisë me Gjethe? A kanë ndodhur atje tortura, siç duan të thonë e flitet sot nga disa?

Është e njohur se në kohën e fashizmit, në atë godinë kanë qenë zyrat e Gestapos dhe kuptohet që një Gestapo do t’i lyente me gjak muret e saj. Në vitet e para të çlirimit, në periudhën kur Koçi Xoxe ishte ministër i Brendshëm, aty ka vazhduar thuajse e njëjta histori. Koçi si një prej drejtuesve kryesorë komunistë, vënë në shërbim të jugosllavëve, në veprimtarinë e tij është karakterizuar nga faje të rënda e të mëdha. Pas goditjes, pas kritikave që iu bënë fenomeneve të shfaqura në atë kohë, Shtëpia me Gjethe u shndërrua në zyra ku specialistë të shërbimeve sekrete, realizonin ndjekjen e punonjësve të përfaqësive të huaja diplomatike.

Tani të vijmë tek pjesa e dytë e pyetjes, ”a janë realizuar aty tortura?” Mundet, do të thosha unë. Por çfarë do të bëjmë, do të përgjigjesha po unë përsëri, kur edhe më shumë gjak, e pse jo dhëmbë e dhëmballë, do të gjenim sot në bodrumet e godinës së Shërbimit Informativ të Gazidedes, apo në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ku vetëm në këto vite të demokracisë, janë rrahur e masakruar deri në prag të vdekjes, plot opozitarë e gazetarë, biznesmenë e ku di çfarë, pa përmendur politikanë, apo ata persona të rrahur e masakruar në bulevard si Servet Pëllumbi, Kastriot Islami, Endri Keko, Arben Imami, Ndre Legisi e plot të tjerë; pa neglizhguar katër të vrarët në demonstratën e 21 janarit. Atëhere, a s’më thoni o muzeistë: Kujt i shërben kjo reklamë bardh e zi, e ngjashme për nga zhurma me përmbajtjet e vjetra; atyre që ikën dje, apo këtyre që janë sot?!

-Ka pasur agjentë të dyfishtë?

Në mos gaboj, për sa kuptoj, fjala është për agjentët dopio-rol. E si nuk ka pasur! Praktika e punës mes shërbimeve sekrete, përfshinte dhe ekzistencën e agjentëve të dyfishtë apo dopio-rol. Ndërsa në Shtëpinë me Gjethe, thjesht punonin specialistë që kontrollonin, fjala vjen, ambasadën Jugosllave. Sikurse shërbenin aty, edhe të tjerë që merreshin me përgjimin…

-Janë përfolur histori të femrave ish-të burgosura, që pretendojnë se janë përdhunuar në burgje. Sipas jush, a ka pasur të tilla abuzime?

Budallallëqe! Kam parë këto kohë dikë në shtyp, i cili guxonte të më merrte nëpër gojë e më fyente për gjithëçfarë mund të pjellë subkoshienca e mbingarkuar e një njeriu, që ndërsa gjendet vetë i përfshirë brenda rrjetit agjenturor të ish Sigurimit, ndjehet i lehtësuar kur aludon e akuzon të tjerë.

Kaq do të them kësaj radhe, për ta lënë “Belinin” të qetë në rrugëtimin e tij muzikor, duke vazhduar si deri më sot t’i përcjellë krijimtarinë përmes emisioneve të TVSH-së, në ekranin e të cilit ai shfaqet shpesh këto kohë; pa penguar të drejtën e askujt, që po të dëshirojë më shumë, tani që kemi ligjin e hapjes së dosjeve, të vejë e të njihet me të.

Por, t’i rikthehemi problemit në diskutim: Në dijeninë time pra, nuk ka pasur abuzime. Gjatë 15 vjetëve në shërbimet sekrete, kam pasur rastin të shkoj në biruca një herë dhe, jo vetëm për kuriozitet po e tregoj.
Ishte viti 1977. U gjenda në korridor, përballë drejtorit të brendshëm, i cili më mori pas vetes pa më thënë ku do të shkonim. Hipën në makinë dhe diku ndaluam. Para nesh, u paraqit një ushtarak. Kuptova se ndodheshim në një burg, ku mbaheshin personat nën hetim. Pasi u bënë formalitetet, hymë brenda.
Ushtaraku hapi qelinë e parë, ku u ngritën në këmbë dy të burgosur. Drejtori pasi i pa në sy, kaloi. Kështu ndodhi edhe në qelinë e dytë. Nga errësira, me zor më kthjellohej shikimi. Në qelinë e katërt, personi brenda u ngrit në këmbë, por nga nxitimi i ranë pantallonat. Atëherë dhe sot, në qeli nuk lejohej të mbahej rrip mesi.

Personi brenda qelisë, kur pa drejtorin e brendshëm, të cilin e njihte, neglizhoi mungesën e rripit ndaj pa dashur pantallonat i ranë. Duke i ngritur, për t’u justifikuar, ai thotë me zë të lartë: “Më fal o burrë, se më ranë dhe këto të shkreta pantallona”.

Fjala e tij, kishin brenda pak ironi. Drejtori i brendshëm ishte hazërxhevap. Me pak humor edhe ky, por gjithsesi me ironi, iu përgjigj të burgosurit menjëherë: “Për këtë botë luftoje zotrote, të rrije pa brekë!”.

Për momentin s’e mora vesh batutën. Por kur dolëm në oborr, drejtori më thotë: “E njohe kush ishte?” “Jo”,-i thashë”. “Todi Lubonja” – tha prerë ai.

Ky është rasti i vetëm kur gjatë punës time kam vizituar një burg. Historinë e mësipërme kam pasur mundësinë t’ia kujtoja të ndjerit Todi Lubonja, kur rasti e sillte të pinim së bashku ndonjë kafe. Me mençurinë e tij, ai qeshte, por në sytë e Todi Lubonjës ndjeja dhimbja për gjithçfarë kishte ndodhur…

-Çfarë ndodhi me Shërbimin Sekret, me ardhjen e demokracisë?

Thuajse të gjithë punonjësit e shërbimit sekret u larguan. Kjo ka ndodhur në maj të vitit 1992, kur demokratët kishin vetëm 2-3 muaj që kishin ardhur në pushtet, pas zgjedhjeve të 22 marsit të atij viti.

Kush ju zëvendësoi? – do të pyesni ju.

Të tjerë që nuk kishin të bënin fare me këtë profesion. Mbajtën nja dy përqind të punonjësve ‘të vjetër’. Atë pjesë të vogël që diti të vihej në shërbim të Partisë Demokratike, për të ndodhur pas kësaj, gjithë ato që dihen dhe njihen…

-U angazhuan në formimin e partive bashkëpunëtorët e Sigurimit?

Në një kuptim, bashkëpunëtorët e Sigurimit, njerëz janë dhe ata. Pra si të tillë, nuk mund të jenë të privuar nga e drejta për të qenë pjesë e partive politike. Por pyetja juaj mund të shtrohet ndryshe: A ishin këto lëvizje të orientuara nga Sigurimi, apo bashkëpunëtorët vajtën në forcat politike simbas dëshirës së tyre?

Mendoj që Sigurimi, ka pasur fare pak ose aspak ndikim në çfarë bisedojmë. Por brenda nëntekstit të pyetjes, do desha të them: Në ka njeri që duhet të ikë sot nga politika, ky është Sali Berisha.

Pse? Ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit?

Por ç’rëndësi ka kjo, ka qenë 25 vjet anëtar i PPSH-së. Tashmë, ka ardhur koha të ikë ky i pari. Nuk po them ta pushkatojmë, as t’i heqin të drejtën për të mbajtur siç ka merak ai, kostum me shami në xhep të xhaketës. Bile, të mos i merret as makina. Të gjitha ato që ka përfituar me djersë, t’i ketë. Ama po i morën pjesën korruptive, nuk di çfarë do t’i ngelet tjetër.

Sali Berisha duhet të mos jetë në politikë, sepse ai nuk ka qenë komunist i thjeshtë, por sekretar i byrosë së partisë në një institucion të rëndësishëm, siç vlerësohet dhe sot Fakulteti i Mjekësisë. Për gjithkënd janë të njohura qëndrimet ekstremiste të tij, të cilat duken vulgare sot, por ja ky ishte atëherë Sali Berisha.

-Gjatë këtyre 25 vjetëve, bashkëpunëtorë të Sigurimit, që mund të kenë qenë apo janë në pushtet, a kanë pasur mundësi të pastrojnë gjurmët e tyre të lëna nëpër dosje?

Unë e përjashtoj këtë mundësi. Vetë mënyra e regjistrimit është ndërtuar e tillë, që shmang maksimalisht probabilitetin e zhdukjes së gjurmëve. Pasi fshehja e gjurmëve, në vetvete lë gjurmë të reja. Janë këto që të çojnë në vendngjarje kur dyshohet se ka zhdukje, të themi të dosjeve.

Është tjetër gjë asgjësimi i tyre, i cili realizohet përmes një komisioni. Dhe komisioni funksiononte sipas ligjit. Kur vendosej që një dosje të asgjësohej, kjo gjë realizohej përmes komisionit dhe në praktikën e punës, raste të tilla ndodhnin herë pas here. Për shembull, marrim rastin kur dosja hapej mbi bazën e një trilli. Kur kjo vërtetohej, ç’të bënim, të ruanim dosjen njëqind vjet! Ndaj ishte komisioni, i cili vendoste asgjësimin. Hidhnin firmat anëtarët e tij dhe ruhej procesverbali ku shpjegohej arsyeja dhe motivi pse vendosej asgjësimi. Nëse dikush, këtë e bënte jashtë ligjit, aktit normativ, ngelen gjurmët.

-Sa “ushtar” i Berishës ka qenë ish-drejtuesi i SHIK-ut, Gazidede?

Gazidede, dikur, në ato vizita të famshme që më bënte mua në qeli, në një moment pyeti pa të keq: Në e njihja Berishën dhe ç’mendim kisha për të?!

Për të mos u zgjatur në gjëra të thëna, Berishën e sotëm, ish president e ish kryeministër të vendit, por ngahera kryetar të PD-së, e kam njohur në pozicione krejt të tjera, që kur isha 25 vjeç, pra në hapat e para të profesionit tim. Ato kohë mbuloja inteligjencën universitare, ku Sali Berisha veçse pedagog, ishte dhe sekretar i byrosë së Partisë për Fakultetin e Mjekësisë. Punonjësi operativ, siç quhej atëherë, presupozohej të ishte një person prezent në mjedisin ku shërbente, sikurse ishte sekretari i Partisë, në këtë rast, Sali Berisha. Ndërkohë që të dy palët, kishin detyrë të kontaktonin dhe komunikonin me njëri-tjetrin, siç ndodhte në të vërtetë me ne të dy. Hera-herës, mua më duhej si me thënë, ta mbaja prej xhakete Saliun, pasi atëherë dhe sot, ai ishte njësoj ekstremist, dukuri që shfaqej më së shumti në kërkesat për të përjashtuar studentë, të cilët sipas tij manifestonin shfaqje të huaja.

-A ka pasur, në dijeninë tuaj, një takim në Dibrën e Madhe, mes kreut të SHIK-ut Gazidede dhe Arkanit?

Unë e besoj këtë si të vërtetë.

-Mendoni se ky takim është bërë në dëm të çështjeve shqiptare?

Në logjikën time, sido të komentohet takimi, në asnjë rast nuk justifikohet, pavarësisht preteksteve të çdo lloji. Për mua, takimi mbetet i pajustifikueshëm. Arkani përfaqësonte një armik të cilësuar të interesave të shqiptarëve. Atëherë, pse dhe kush e justifikon bisedën e Gazidedes me Arkanin?!…

-Është folur shumë për çështjen e Remzi Hoxhës. Pas kaq vitesh, a ka ndonjë shpresë për familjen e tij?

Nëse do të kishim zbatueshmëri të ligjit dhe mosndërhyrje të politikës në drejtësi, sikurse ka qenë e dukshme dhe flagrante kjo në rastin e çështjes së Remzi Hoxhës, enigma e zhdukjes apo vrasjes së tij sot do të ishte zbuluar. Ai që e ka penguar këtë është Sali Berisha. Të implikuarit e tjerë të çështjes; ish presidenti dhe ish kryeministri i vendit, i ka marrë nën mbrojtje. Nga më flagrantët është rasti i një prej të akuzuarve kryesorë, të cilin ish kryeministri Berisha e mbajti si drejtues të rëndësishëm, gjatë gjithë kohës kur ishte i burgosur në qeli, ashtu dhe i arrestuar në shtëpi. Ndaj s’ka si mund të mos dyshojmë se personi i parë, i interesuar direkt që çështja e Remzi Hoxhës të mos zbulohet, ishte dhe mbetet Sali Berisha.

Me aq sa kam kuptuar, rrëmbimi i Remzi Hoxhës, është shoqëruar përmes dy opsionesh: Së pari, lehtazi e nën zë, është përfolur se SHIK-u i Gazidedes, e ka realizuar rrëmbimin e tij gjoja sipas disa të dhënave për qenien e Remziut në shërbim të Serbisë, alibi që në mendësinë e njeriut të thjeshtë e pa informacion, duket e besueshme. Së dyti, përflitet përsëri, por kësaj radhe nuk ndihet që në thashethem të jetë i implikuar edhe SHIK-u, se ajo çka ndodhur me Remziun, shpjegohet apo lidhet me disa filmime që gjoja paskësh realizuar ai, mbi një takim të Sali Berishës me Arkanin. Të dyja variantet, përplasen me njëri-tjetrin.

-Çfarë është më i mundshëm dhe i besueshëm?

Mund t’ju them se histori të tilla apo të ngjashme me të, shoqërohen shpesh me dizinformacione që në dukje të parë lëshohen nga shërbimet sekrete të interesuara për prezencën e trilleve rreth një ngjarjeje. Po të marrim këtë variant si të vërtetë, mbetet më e besueshme, që thashethemi në fjalë, pra varianti alibik i gjoja qenies së të ndjerit në shërbim të Serbisë, të jetë përhapur nga shërbimi që realizoi dhe kreu rrëmbimin; më tepër kur dimë që shërbimet sekrete serbe e kanë përdorur dukshëm dhe fatkeqësisht me sukses, dizinformimin.

Në respekt të opinionit, do desha të jap një shembull, jo fort i ngjashëm për nga përmasat, por i besueshëm për nga përmbajtja.

Epizmi i veprës dhe aktit sublim të Adem Jasharit, tashmë është i njohur. Por para se ai dhe pjesëtarët e familjes së madhe të Jasharajve të vriteshin tragjikisht, heroi ynë ishte vënë më parë në shënjestër të shërbimit sekret serb dhe për fat të keq të SHIK-ut të Gazidedes, të cilët përmes thashethemeve, përhapnin alibira apo dizifomacione që cënonin dinjitetin dhe atdhetarinë e tij. Gjithë çfarë ndodhi me familjen Jashari, tragjedia e pjesëtarëve të saj, veçse është realizuar nga një dorë e ligë, ishte pjesë e operacioneve të shërbimeve sekrete; pasi përmes tyre, në funksion të qëllimit dhe diskretitimit, nuk vonoi e mungoi të përhapeshin fjalë e hidheshin llafe se gjoja ai ishte terrorist dhe paskësh qenë në shërbim të Serbisë; alibi e përdorur për të kompromentuar veprën madhore, atdhetarin e pashoqe të tij, por që fatkeqësisht u përdor për ta akuzuar dhe arrestuar në ato fillime të vitit 1992, edhe në Shqipëri.

E dhashë këtë shembull, për të thënë se i ashtuquajturi version, se gjoja Remzi Hoxha mund të ishte agjent në shërbim të Serbisë, më shumë ka të ngjarë që bëhet për të mbuluar patriotizmin e tij; më tepër kur dimë ca histori të tjera, të hidhura për Sali Berishën.

Logjikisht, arsye shumë të forta duhet të kenë detyruar shërbimin sekret të Gazidedes, të vepronte kaq dhunshëm mbi të ndjerin Remzi, sa t’i merrte atij pa të keq jetën. Nga ana tjetër, pas vdekjes së Remzi Hoxhës, sikur aksidentale të ishte ajo, Sali Berisha asnjëherë nuk është angazhuar kaq fort në mbrojtje të individëve pranë tij që kryen dhe bënë masakrën. Enver Hoxha, në një rast analog, që në regjimin e tij lidhej me Kadri Hazbiun, e vuri ministrin e Brendshëm me shpatulla në mur. Për të mos thënë që fundi i Kadri Hazbiut, mbante si pjesë të fajit edhe vdekjen nga dhuna në duart e punonjësve të shërbimeve sekrete, të një admirali, ndonëse ky ishte akuzuar si agjent i zbulimeve të huaja. Por Sali Berisha për Remzi Hoxhën, nuk bëri as atë që kishte bërë në diktaturë Enveri. Vetëm kjo është një arsye më shumë, që shpjegon pozicionin e rëndë ku ndodhet i kompromentuar, veç të tjerësh dhe Sali Berisha.

-Berisha nuk është më në pushtet. A mundet që kjo qeveri, me vullnet, të zbardhë të vërtetën e Remzi Hoxhës?

Kjo ndodh po të ketë gjyqtarë të ndershëm dhe të pakorruptuar, sikundër prokurorë që të mos tuten nga ndërhyrjet e politikës. Me një fjalë, të kesh drejtësi dhe ndershmëri. Janë këto një sërë hallkash, që nuk lidhen vetëm me vullnetin e një kryeministri. Por siç dihet, çështja për të cilën flasim është kompromentuar rëndë.

Dua të besoj se kryeministri i sotëm e ka këtë vullnet, siç për çfarë flasim duhet të funksionojnë të gjitha hallkat, disa prej të cilave duken qartë se janë të sfilitura.

"Dita"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.