Milo: Qeveria e lodhur dhe e konsumuar, nuk bëhen reforma me presion dhe terror psikologjik

Postuar në 02 Nëntor, 2015 10:07

Në pritje për të konkretizuar marrëveshjen e firmosur me Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, Paskal Milo nuk i kursen kritikat për ish-aleatin në opozitë. Milo thotë se qeveria është konsumuar shpejt dhe se për ta shpëtuar nga degradimi ka një zgjidhje që sipas tij lidhet me ndryshimin e emrave të ministrave.

“Skuadra që Kryeministri Rama ndërtoi për të qeverisur Shqipërinë është e lodhur, e konsumuar dhe e papërgatitur për të shkuar në finish. Një trajner i mirë i shikon defektet e lojtarëve të vet në lojë e sipër dhe bën zëvendësimet e duhura në momentin e duhur, duke bërë edhe zhvendosje e lëvizje taktike. Ka ardhur momenti që kjo skuadër më tepër se kurrë duhet rifreskuar, jo vetëm në elementë përbërës të saj, por më tepër në konceptin e lojës nëse do që të zërë një vend nderi në kategorinë superiore të politikës shqiptare”-shprehet Milo në një intervistë për gazetën Panorama.

Milo e krahason kursin e reformave me përpjekjet e diktaturës për të vendosur rend dhe ligj përmes presionit dhe dhunës.

“Reformat që janë shpallur po bëhen me metoda të atilla të ushtrimit, në mos të dhunës së drejtpërdrejtë, të presionit dhe terrorit psikologjik”-thekson kreu I PDS-së.

Sipas tij nëse do të vazhdohet të qeveriset me këtë filozofi, degradimi I qeverisë do të vijë shumë shpejt.

“Nëse Kryeministri Rama dëshiron që të ketë një qeverisje të suksesshme dhe të lërë kontribute reale në zhvillimin e Shqipërisë, duhet patjetër që të ndalë vetë i pari euforinë, retorikën, ngjyrimet e pabaza të realiteteve të dhimbshme shqiptare dhe t’i rikthehet në mënyrë kritike analizës së qeverisjes së dy viteve, përndryshe do të kemi një histori të mbretit lakuriq që do të përfundojë në një tragji-komedi të radhës, siç ka ndodhur jo një herë në Shqipëri”-përfundon Milo.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.