Dossier/Diskreditimi i fesë. Një shembull në gazetën "Bashkimi"

Postuar në 31 Tetor, 2015 15:05
Sangira Mitrash

Një ndodhi interesante ngjau në qytetin indian të Hajdarabadit në vitin e largët 1951. Ndarja e kolonisë së dikurshme anglize në dy vende, atë të Indisë dhe Pakistanit, kishte shkaktuar një dramë të madhe, dhe ende të freskëta ishin plagët e shumta. Refugjatë të shumtë ishin dyndur në qendrat e mëdha, ndërkohë që prurjet e shumta të njerëzve shpërndanë familje të tëra katër anëve të nënkontinentit. Njerzia ishte si e hallakatur dhe në këtë rrëmujë, të shumtë ishin ata që ç’nuk bënin për të gjetur një vend të qetë a të rrugullonin një punë. Qeveria kishte halle të shumta e ajo më e madhja ishte se si të rregullonte kufinjtë e trazuar me fqinjin. Shumë nga punët e saj i kish lënë në duar të çdokujtë që ish i aftë t’u dilte për zot.

Në Hajdarabad, një brahmani të ri të quajtur Amok i kishte dalë emri me të madhe si një njeri i ditur dhe predikues i zoti. Në ato kohëra të vështira fama i tij kish bërë që shumë njerëz të venin e të qanin hallet tek ai, dhe hallet ishin nga me të çuditshmet. Dikush kish parë një ëndërr dhe donte me doemos ta rrëfente tek brahmani për të marrë kuptimin. Dikush kish gruan sëmurë me të fryrë barku, edhe ky dermanin e donte nga brahmani. Kish dhe nga ata që donin spjegime të holla nga dituritë e shënjta dhe një luzmë e madhe nxënësish qëndronin me orë të tëra në dyert e tempullit. Nuk mungonin dhe të rinjë që edhe punët e qeverise donin t’ua lëçiste ky predikues i zoti, sepse nga ky e kishin mëndjen edhe kur dëgjonin të rejat në radio. Dhe Amoku nuk përtonte hiç fare. Nga mëngjesi e deri në të ngrysur piqej me lloj lloj njerëzish e shoshiste hallet e ndryshme të tyre.

Amoku ishte i njohur edhe në rrethet e larta. Nami i kish dalë që ish mik për kokë me shefin e policisë së qytetit. Shpesh e thërrisnin nëpër gostira ku merrnin pjesë avokatë, tregtarë të mëdhenj, gjyqtarë, njerëz të qeverisë dhe gazetarë. Aty të tërë ndihmonin njëri tjetritn për hallet e ndryshme që i mundonin. Një nxënësin e tij të ngushtë kish arritur ta fuste dhe në kabinetin e guvernatorit të vendit. Por dhe ndjekës të tjerë ishin bërë të rëndësishëm në politikë, sidomos afër atyre që kishin fuqinë në dorë. Amoku kish hapur dhe një shkollë për fëmijët e vegjël që i kish vënë emrin e brahmanit të madh të ndjerë Karapanxhi Rapur Ulashtramedra. Shkolla e tij gumëzhinte nga fëmijët edhe pse punët e shumta e pengonin Amokun të merrte vesh se ç’bëhej tamam aty. Brahmani jepte rregullisht predikime të zjarrta në stacionin radiofonik të qytetit dhe nganjëherë e merrnin në pyetje dhe gazetat e mëdha të vendit. Ama kur punët nuk i venin siç i donte apo kur kish turbullira, dinte dhe ai si ta zbuste zërin që mos ta shihnin me sy vëngërr. Amoku për çdo gjë që i ndodhte nga më të rëndomtat e gjer tek të rëndësishmet lajmëronte njerëzin me një periodik që shtypte, e që kujdesej vetë për vogëlsirat. Në këto punëra, vëç në të holla, ai kish një mbështetje të fuqishme nga Kongresi i Madh Mbarëbotëror i Propagandës Hindu që ndodhej në qytetin Delhi.

Këtij dijetari hindu i kish dalë nami edhe si ai që kthente në fene e tij shumë nga ndjekësit e feve të tjera, por më së shumti myslimanë. Nuk kishte ditë që tek ai të mos venin njerëz që dëshironin të ndërronin fe. Dhe ai kish zgjedhur një mënyrë të hapët për të kremtuar këto ngjarje të rëndësishme. Përpara tempullit të tij mblidhte disa mijra besimtarë dhe duke prezantuar rishtarët bëntë liturgjitë që përgatisin besimtarin e ri. Ata që rrinin përpara tempullit bërtisnin me të madhe në shenjë triumfi për fenë dhe si falenderim për zotat e tyre. Entuziasëm i fortë mbështillte bashkësinë kur kishte ngjarje të tilla. Amoku edhe për këtë ishte bërë një nga njerëzit më të admiruar të qytetit dhe rëndësia në sytë e njerzve i rritej nga dita në ditë.

Një ditë prej ditësh në dyet e tempullit nuk dihet se si mbërriti një njeri i quajtur Masud. Edhe ai kish dëgjuar për Amokun dhe për turmën e madhe që e ndiqte dhe e dëgjonte. Ngjarje të mëdha rrëfeheshin për të lart e poshtë, dhe shumëkush kish dëshirë ta shihte një herë të vetme me sytë e tij. Menjëherë sa erdhi, Masudin ia shpunë përpara Amokut i cili e priti duke treguar interes. Masudi nuk u lodh shumë, dhe a nga prushi që e ngrohte përbrenda, a nga hallet që e kishin fundosur shfaqi dëshirën të ndërronte fenë, të linte të tijën dhe të rrokte atë të Amokut. Amoku e nxorri përpara turrmës dhe bëri ritualin e ditur. Si përherë turma brohoriti me të madhe e u gëzua mjaft. Masudi u bë hindus, por ende nuk kishte marrë një çertifikatë zyrtare për këtë që i ndodhi. Ngaqë nuk kish ku të vente dhe ngaqë kish frikë nga ndonjë fanatik i ish fesë së tij, Musudin e strehuan në tempull dhe aty filloi të rrojë.

Një ditë prej ditësh në tempull mbërrin një njeri që mbante një porosi për Amokun. Ish marrë vesh me telegram që pakon ta lëshonte në dorën e rojes së tempullit. Ky i fundit ndodhej në një vend tjetër për një hall të famijes dhe derën e tempullit e çel Masudi. Pa bërë një dhe dy vizitori ia la pakon në dorë Masudit dhe ktheu majat nga kishte themrat duke lene Masudin të hutuar në derë. Duke kruar mekrrën Masudit i hipi një kureshtje në kokë; donte të mësonte se ç’kish brenda në pako. Nuk u mendua shumë dhe nisi e hapi. Kur pa brenda, sa nuk i ra damllaja; në duar kishte një tufë të madhe me para. I numroi mirë e mirë dhe disa herë i dual të ishin shtatëdhjetë mijë rupi. As në ëndërr nuk i kish parë ndonjëherë saqë kjo gjë e vu në një siklet të madh. Një mendje i thosh të ruante amanetin e t’ia dorzonte paratë Amokut. Një tjetër i thosh se ai që i kish ardhur në derë kish qenë një engjëll që ia solli paratë si shpërblim meqë kish ndërruar fenë. Një mendje i thosh se mos e gjitha kjo ishte një provokim për të parë sa besnik do të qëndronte një si ai që sapo kish kthyer fenë. Më në fund mblodhi mendjen dhe i largoi të tëra ato që i vinin në kokë e që më shumë e ngatërruan. Një të marrë e një t’i vënë në xhepin e tij paratë, e një të shkarë nga derë e tempullit.

Menjëherë këmbët e shpunë në gjelltoren e parë që i dual përparë. Me t’u ulur porositi të gjitha gjellët e shijshme që kish lokali sepse nuk mbahej mend se kur kish ngrënë një vakt të plotë. Kur u ngop e u fry mirë e mirë, doli që aty e shkoi tek rrobaqepsi më në zë në qytet. Ai i mori masat trupit e i qepi aty për aty një palë petka të reja. Rrugës kur po vërdallisej i doli përparë një i njohtur dhe me lloj lloj dredhishë arriti t’i shkëpusë si borxh një dorë të madhe parash. Më pas zuri një dhomë në hotelin më të mirë e si u rehatua, nisi e bëri një banjë të nxehtë si asnjëherë tjetër në jetën e tij. Si erdhi mbrëmja, këmbët e çuan në mejhanen më në zë të vendit. Aty shpenzoi një pjesë të madhe parash duke qerasur shumë nga ata që njihte e më shumë nga ata që iu qepën pas. Ky avaz i Masudit zgjati disa ditë derisa në dorë i mbetën vetëm pak para e që e sollën në mendje për shpenzimet e shumta që kish bërë.

Mirëpo ç’kish ndodhur me Amokun këtë kohë kur Masudi bridhte lart e poshtë duke harxhuar paratë e tij? Pak kaloi dhe Amoku e mori vesh se si kishte ngjarë puna me paranë e tij. Si pyeti mjaft prej të tijve u bind që paratë kishin rënë në duart e Masudit. Ajo që më shumë e forcoi këtë mendim të tij ishte dhe zhdukja pa nam e nishan e Masudit nga tempulli ku kish qëndruar deri ato ditë. Mendja ku nuk i shkonte, por menjëherë i dha karar e nxorri një njoftim në periodikun që e botonte vetë me kujdes. Aty lajmëronte të gjithë se ishte vjedhur arka e tempullt, dhe i bënte thirrje njerëzis që po ta sillnin para tij Masudin, do të shpërndante shpërblime të mira. Me t’u lexuar ky haber me mijra idhtarë të tij u shpërndanë nëpër qytet që të shtinin në dorë keqbërësin. Shumë prej tyre e nisën këtë punë të zemëruar për sjelljen e bërë nga një rishtarë që i ish besuar shumë sepse gjendja e tij ishte për gjynah. Por të shumtë ishin dhe ata që donin ta zinin Masudin të joshur nga shpërblimi i majmë që kish premtuar Amoku.

Nuk vonoi shumë dhe Masudin e gjetën teksa flinte mbi një grrumbull të madh letrash e hedhurinash ku kish rënë pasi ishte dendur me raki tërë natën e natës. Me ta zënë, i dhanë një dorë të mirë dackash që e sollën menjëherë në vete Masudin e gjorë. Ashtu kapur prej zverku e i lidhur kokë e këmbë e shpunë para këmbëve të Amokut. Amoku i la të tëra mllefet që i zienin në kokë dhe filloi ta pyeste Masudin ku i kishte paratë. Masudit një fytyrë i vinte e një i shkonte dhe i mekur nuk kish zemër as të belbëzonte. Kur e pa Amoku se me të butë nuk po nxirrte gjë, ia la Masudin në dorë Shalok Matrapindit, një të afërmit të tij që shquhej për shtrëngime. Shaloku nuk la gjë pa i bërë Masudit që ky të hapte gojë e të tregonte për paratë. Mirëpo Masudi nuk dinte ç’të rrëfente. T’u thosh vallë që i kish harxhuar paratë sa në gjelltoret e sa në mejhanet e qytetit, apo t’u thosh se kish qerasur për ditë të tëra kë kish takuar e i kish lypur diçka, apo që kish shpenzuar tërë ato para për veshje dhe parfume të shtrenjta? Më në fund vendosi të hapte gojë, mirëpo ngaqë për paratë nuk kish ç’të thoshte filloi të hakërrehej se kishin të bënin me një që nuk i përkiste fesë së tyre?! Nisi t’i thoshte së të tijët do të hakmerreshin për këtë që po i bënin, se nuk ishte i rrethit të tyre dhe se nuk e kuptonte se pse po e rrihnin. Si e panë që nga ay nuk nxirrej gjë prej gjëje as me të butë e as me shtrëngime, dhe si e kuptuan se ky e ktheu pllakën, Amoku me të tijët vendosi ta dorzojë Masudin në polici. Kishte një shpresë Amoku se aty Masudi do të zbërthehej fare e do t’i rrëfente të tëra.

Kur e shpunë në polici, haberin për këtë keqbërës të rrezikshëm e morën vesh dhe gazetarët e shumë të qytetit. Menjëherë filluan të shkruajnë e të botojnë lajme për Masudin dhe se ç’kish ngjarë me humbjen e parave. Nisën të thonë se u zu më në fund ai që kërrdiste dhuratat e të mirat e tempujve të qytetit. Aq shumë gjëra iu ngjeshën Masudit sa nuk ngeli e zezë që kish ngjarë e të mos mendonte kush se atë e kish kryer Masudi. Ky i fundit filloi të ankohej në polici për rrëmbimin që i kishin kryer njerëzit e Amokut. I tha dhe për shtëngimet e shumta që kish hequr nga dora e Shalok Matrapindit dhe e cubave të tij. Mirëpo shefi i policisë nuk donte të dëgjonte nga këto, ai donte të dinte se ku kishin shkuar paratë e zhdukura në derë të tempullit. Ku i kish shpenzuar ai shumat e mëdha të parave.

Nuk dimë si shkuan ballafaqimet e Masudit me njeriun që i la në dorë shumën e parave. Askush nuk e mësoi në i mori sërish paratë Amoku. Njeri nuk pyeti më shumë se si Amokut i binin në dorë shuma kaq të mëdha parash dhe si i shpenzonte ato. Asnjë gazetë nuk u mor më me fatin e Masudit, dhe asnjë gjemb në këmbë nuk i hyri Shalok Matrapindit dhe shpurës së tij. Mirëpo e gjithë njerëzia e mësoi se në aksh vend të shenjtë kish ndodhur një dallavere e ulët me para që nuk dihej nga vinin e ku shkonin. Dhe i madh e i vogël u çudit për kollajllëkun që një tyrryfyli e sharlatani si Masudi i ishin lënë amanet pa teklif një shumë e madhe parash.

*Ky shkrim është botuar në gazetën “Bashkimi” të datës 18 mars 1971 në rubrikën “Vende dhe Popuj”, si ilustrim konkret i zakoneve prapanike që shoqërojnë shumë vende në botë. Ndodhia në fjalë nga redaksia e gazetës “Bashkimi” është marrë nga gazeta indjane në gjuhën angleze “Delhi New News” të 24 shtatorit 1970. Paragrafët hyrës të redaksisë së gazetës “Bashkimi” që paraqesin frymën ideologjike të kohës nuk janë botuar.

"e-zani.com" 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.