Përgjigjet e kryeministrit për jaguarët me qira, tenderin e hemodializës dhe godinën e OSHEE-së

Postuar në 29 Tetor, 2015 20:49

I sapo kthyer nga Hong Kongu kryeministri Rama u ka dhënë përgjigje disa akuzave të opozitës për tendera të dyshimtë dhe përfitime nga klientë të qeverisë. Pretendimeve se blerja e 22 maikinave qeveritare është një aferë ku përfiton miku i tij Papuli, Rama i është përgjigjur se marrja me qira e makinave thjesht i shkurton shpenzimet qeverisë.

“Nëse totali i kostos, sikur të vazhdonim të blinim makina dhe të shpenzonim gjithë çfarë shpenzojmë për mirëmbajtjen, si mesatare është 636393, me këtë sistem është 494250 euro. Pra, vetëm në një vit, ne kursejmë 141873 euro. Diferenca në katër vjet është 567491 euro, pra, është gjysmë milionë e diçka më shumë euro më shumë që kursehen. Atëherë, përse të mos i kursejmë këto para! Për çfarë arsye të vazhdojmë me një sistem ‘futja kot’, secili bëj tendera, bli makina ngjyra-ngjyra e lara-lara dhe mirëmbaj secili sipas qejfit!”-deklaroi kryeministri.

Lidhur me akuzat për tenderin e hemidializës, kryeministri sqaroi se përzgjedhja e partneritetit publik privat për këtë konçesion do të mundësojë që shërbimin e hemodializës ta ofrojnë edhe spitalet publike. “Cfarë kemi bërë ne? Ne kemi ndryshuar sistemin. Me të njëjtin çmim, pa nuk kemi rritur çmimin. 80 eurot, edhe dje, edhe deri sot i jepen privatit, i jepen institucioneve shëndetësore jopublike, për të kryer dializën, aty ku janë. Ato gjeografikisht janë të përqendruar në pak pika. Ne, 80 eurot për një seancë i kemi përqendruar në këtë sistem partneriteti publik-privat. Me çfarë kushti? Nuk do të bëhet më hemodializa në spitalet private, do të bëhet në spitalet publike. E kush do ta bëjë? Do ta bëjë privati që është në partneritet me shtetin. Dhe çfarë do të bëjë faktikisht? Shteti do vazhdojë të paguajë siç ka paguar, 80 eurot për seancën, kurse privati do të bëjë investimin. Investimin për çfarë? Investimin që të ketë hemodializë edhe në spitalin e Korçës, edhe në spitalin e Sarandës, edhe në spitalin e Kukësit, dhe në çdo spital tjetër public”theksoi Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për tenderin e godinës së re të OSHEE-së që sipas tij do të ofrojë një ndërtesë me standarde modern për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë elektrike.

“Ju i keni imponuar OSHEE-së të paguajë qira, vetëm në Tiranë të paguajë qira 400 932 euro në vit. Thuajse gjysmë milioni euro në vit të paguajë qira. Dhe të paguajë qira për çfarë? Për mjedise në dy pallate, në distancë nga njëra tjetra. Për ta bërë shërbimin ndaj klientit në parkimin nëntokësorë të një pallati duke i lënë klientët në rrugë, të presin në shi e në diell sepse parkimi është i mbushur. E duke i hequr dhe parkimin pallatit e makinat bashkë me klientët në rrugë. Ndërkohë që llogaria është shumë e thjeshtë. Po të marrim shumë e shpenzuar për këto qira absurde me cilësinë më mizerabël të mundshme të shërbimit, me shumën e shpenzuar për të ndërtuar një godinë qendrore, ku cilësia e shërbimit do të jetë e standardeve ndërkombëtare, në harkun e 5 viteve nuk ka më asnjë shpenzim për të bërë. Godina është pronë e kompanisë”- u shpreh kryeministri

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.