Shënim: Klient i një 5%

Postuar në 27 Tetor, 2015 15:31

Viti 2013 nuk është larg. Në kuptim kalendarik jo. Kanë kaluar vetëm 2 vjet. Por në kuptimin politik e administrativ për Shqipërinë ai mundet të jetë shumë larg. Një qeveri që u votua e rivotua me shumicë, një kryeministër që arriti madje, për pervëersion të vlerave të shoqërisë, të kthehej në gati një model gjithafarësh për një pjesë të shoqërisë, është sot në kuotat më të ulëta. E shpërfytyruar, me imazh të rrënuar, që me heshtjen e vet, po i bën transparencë korruptimit total që e ka metodë por edhe qëllim të ekzistencës së vet. Lajmi i fundit për lejen e dhënë në Golem për ndërtuesin Aleksandër Frangaj është prova e rënies de facto të Edi Ramës nga poltrona e kryeministrit dhe transforimimit të tij në një klient të një enturazhi biznesmenësh që prej kohësh dominojnë dhe kontrollojnë paranë publike. Kjo jo vetëm pse zhbën premtimin themelor të një të majte, por sepse në mënyrë dramatike rikonfirmon vijimin e skemës rrënuese të tranzicionit. I cili, po të shohim sesi na u servir në vitin 2013 ofronte këtë pamje në raportet ekonomike: “Ne nuk e pranojmë dot një realitet ku më pak se 5% e njerëzve në këtë vend zotërojnë sot më shumë se gjysmën e pasurive të kësaj toke”. Fjalë të Edi Ramës. Me 5%, zotëria në fjalë dhe vargani i gjysmadeputetëve që i rrinë nga pas kishin parasysh Sandrin, “të cilit i bënin të fala shpesh”, Samir Manen, të cilin Erjon Braçe e telendiste në facebook, ku edhe ushtron aktivitetin e vet politik, ndonjë ndërtues që është mik i të dyja palëve e që ka patur mbrojtjen e veçantë të Edi Ramës, sa herë ky ka patur ndonjë të drejtë firme, që nga Pallati i Kongreseve e deri tek pallate të kundërshtuara te Liqeni Artificial. Së fundmi këtij 5% i shtohet edhe Carapuli, që po të besojmë opozitën i ndërton vilën zotit kryeministër në Surrelin e qetë e rrëzë Dajtit. I shtohet edhe komedia prej katundari e një rruge private që ish-presidenti i vendit, aleat i kryeministrit, krijon në zemër të kryeqytetit. Në kupolë qëndron edhe Kokëdhima, që prej kohësh është mentori politik i tij, apo nja dy tre deputetë biznesmenë e të Fortë njëkohësisht, me të cilët Edi Rama konsumon vendimmarrjet dhe gjen sigurinë. Nxjerr frikën e tij kapilare që e çoi në dorëheqje në vitin 2009, por e cila iu ngurtësua në formën e një garancie presioni nga këta njerëz që sot janë drejtimi i vërtetë i qeverisë. Tenderat e publikuara së fundmi, me fitues deputetë apo biznesmenë fantazëm, tendera me para publike ku marrin pjesë vetëm 2 konkurentë, apo vendimi për t’i paguar Digitalb(sipas Nismës Thurje që publikoi VKM) 3.4 milionë dollarë për dekokdera për familjet në nevojë, para tonat, janë dëshmia se nocioni i shtetit është konsumuar definitivisht. Ky njeri sot kalëron financat e shqiptarëve për llogari të një 5% që deri më dje e sulmonte. Edhe të vetes sigurisht , sepse edhe kryeministri ka Fee e vet. U sha e stër-sha Sali Berisha. Saliu siç i thonë. U bë nëna e të keqes, u bë krimineli,  maskarai, hajduti etj.. Por Saliu iku dhe nga pas erdhën fotokopjet e tij. Por ka sërish një ndryshim që është mirë ta rrokin të gjithë: Saliu u akuzua se krijoi skemën e familjes, për llogari e në emër të të cilës përdori si bashkëpunëtorë këta biznesemenë, këtë 5% që përflitet sot. Të cilët i drejtonte dhe menaxhonte, me të cilët ndante paratë. Të kujtojmë këtu telefonatën e tij urdhëruese në emisionin “Zonë e Lirë” për Ardian Fullanin, emision ku ishin të ftuar Sandri dhe Fevziu. Sot kemi një ndryshim: Edi Rama është mbjellë në politikë nga të tjerë dhe ai gjallon sot nga dielli i të tjerëve. Ndaj edhe sot ky 5% është më i fortë se kurrë, sepse sot, për të përdorur një zhargon, ky 5% “po punon edhe kryeministrin”.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.