Debati në PS, deputetë socialistë nuk janë dakord me burgosjen e biznesmenëve

Postuar në 27 Tetor, 2015 08:30

“Panorama” shkruan sot se deputetët socialistë i kanë kërkuar kreut të Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, që vota e tyre të jetë e unifikuar me LSI në seancën plenare të votimit për ndryshimet në Kodin Penal ku kërkohet ashpërsimi i ndëshkimeve ndaj kontrabandës dhe informalitetit. Kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, i kërkoi Ruçit që të shihet mirë ky ligj pasi ka marrë edhe shqetësime të deputetëve për ashpërsimin e tij. Edhe pse është shprehur se ndëshkime të ashpra për kontrabandën ka në shumë vende europiane, Braçe ka këmbëngulur te një unifikim i votës, për shkak edhe se kodet kërkojnë 84 vota në Parlament. Nga ana e tij, kryetari i Grupit socialist, Ruçi, ka siguruar deputetët se pasi të kenë mbaruar të gjitha diskutimet dhe konsultimet në komisionet parlamentare, do të zhvillohet një mbledhje e zgjeruar e Grupit Parlamentar ku ministrat e linjës do të sqarojnë ndryshimet që do të pësojë Kodi Penal pas propozimeve dhe amendimeve që do t’i bëhen draftit. Sipas “Panorama” burime nga Partia Socialiste pohojnë se disa deputetë socialistë nuk janë dakord me burgosjen e biznesmenëve, në rast se ata do të kapen në shkelje të ligjit sa i takon kontrabandës dhe evazionit fiskal. Këto qëndrime që ata presin t’i bëjnë dhe publike në mbledhjet e ardhshme të Grupit Parlamentar duket se kanë dalë nga konsultimet me shoqatat e biznesit, të cilat e kanë cilësuar shumë të ashpër këtë draft. Vetë deputetët shprehen se masat ndëshkimore deri dhe me burg do të shtojnë korrupsionin në institucionet tatimore, doganore, por dhe ato ligjzbatuese. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.