Si janë shpërndarë 650 mln lekët e DIA-s, ekspertët e prokurorisë hartojnë skemën

Postuar në 26 Tetor, 2015 17:13

ABC News ka në dorë raportin e ekspertëve kontabël që kanë detajuar se cila është shuma që Kastriot Ismailaj ka përfituar nga kompania çeke CEZ shpërndarja, në formë pagesash për kompaninë e tij DIA. Pas studimit të materialeve që disponon prokuroria në lidhje me hyrje daljet e kompanisë DIA, del se CEZ brenda pak muajve i ka kaluar në llogarinë bankare Ismailajt rreth 650 mln lekë të reja.

Rreth 110 milion lekë të reja Ismailaj i ka tërhequr në cash nga bankat e ndryshme dhe një pjesë nga kjo shumë është përdorur për udhëtime dhe pushime.

Rreth 750 mijë euro nga parat e CEZ-it, ekspertët thonë se Ismailaj në fillim të vitit 2013 ka paguar studion ligjore gjermane që përfaqëson atë në Arbitrazh. E për të vënë në lëvizje këtë të fundit, Ismailaj ka paguar rreth 300 mijë euro si pagesë për nisjen e procedurave. Në raport thuhet se rreth 335 milion lekë nga parat e CEZ-it janë tërhequr nga bashkëortaku i tij tek DIA, shtetasi Arjan Laçi. Një shumë prej rreth 300 milion lekësh, kompania DIA ka paguar në llogarit të kompanisë nga Durrësi me emrin “Nereida” në formë detyrimesh për punët që kompania durrsake kishte kryer.

Gjithashtu, kompania ku ishte bashkëpronar Agron Çela, tani deputet i LSI-së në Shkodër, ka përfituar rreth 165 milion lekë, sepse DIA kishte bërë blerjen e disa motorëve në kompaninë e Çelës, që në kohën e pagesave nuk ishte deputet.

Më pas, një shumë prej 65 milion lekësh, ekspertët thonë se nga DIA e kanë përfituar kompania e vëllezërve Petrit e Vilson Ahmeti, ky i fundit ish-kryeministër në vitin 1991-‘92. Këto pagesa, janë arsyetuara si detyrime që kompania DIA i kishte kompanisë së vëllezërve Ahmetaj, të cilët kishin përgatitur materiale e projekte për DIA.

Ndërkohë një kompani e vogël në kryeqytet, sipas ekspertëve ka përfituar një shumë prej 60 milion lekësh, shumë për të cilën nuk ka ndonjë arsyetim apo argumentim nga kompania DIA. Ekspertët thonë se Ismailaj, pavarësisht prishjes së kontratës me kompanin CEZ-shpërndarja ka vazhduar të paguaj detyrimet tatimore dhe taksat ndaj shtetit deri në dhjetor të 2012. Gjithashtu, nga 2010 deri në 2012 Ismailaj ka paguar detyrime në shtet për rreth 120 punëtorë, pagesa këto për të rritur faturat e pagesave dhe harxhimeve në Arbitrazh, ku ka dorëzuar padinë në fund të muajt janar të 2013 kundër CEZ.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.