Nga shëndetësi falas tek falja e shëndetësisë

Postuar në 25 Tetor, 2015 20:25

Konçesioni i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë për shërbimin e dializës në Korçë, Lezhë, Vlorë, Elbasan dhe në Shkodër kaloi pa probleme provën e përballjes me median dhe publikun. “BIRN” ngriti në dy shkrime të veta shqetësimin se shërbimi i është dhënë një kompanie e cila nuk ka asnjë përvojë në këtë fushë. Më tej, shpjegimit të qeverisë se kompania në fjalë kishte fituar si pjesë e konsorciumit me Spitalin Amerikan,”BIRN” i kundërvuri faktin tjetër që ngre dyshime: drejtuesja e kompanisë “Evita” rezulton të jetë me lidhje fisnore me një nga drejtuesit e Spitalit Amerikan. Pra në  lojë është futur një operator në tregun e shërbimit mjekësor dhe ka fituar me manovra të dyshimta një konçesion shumë të rëndësishëm me vlerë 86 milionë euro dhe kohëzgjatje 10 vjet. Argumenton qeveria: “Ndryshe nga përvoja e zbatuar deri më tani, ku Ministria e Shëndetësisë është detyruar t’i dërgojë të sëmurët në ambientet e institucioneve shëndetësore jopublike për kryerjen e shërbimit të hemodializës, në partneritetin e ri publik-privat është kërkuar që këto shërbime të kryhen brenda territoreve të spitaleve publike. Investitorët privatë do të ngrenë nga e para mjediset ku do të ofrohet shërbimi, do të investojnë në pajisje mjekësore dhe teknologji për këtë shërbim, si dhe do të administrojnë këtë shërbim për një periudhë dhjetëvjeçare. Në fund të periudhës së koncesionit, të gjitha pajisjet në fjalë do të transferohen në pronësi të spitaleve publike”(http://transparenca.al/category/post/Transparenca/37/birn-pr-koncesionin-e-hemodializs). Kujtojmë se 86 milionë lekë nuk investohen prej askujt përveçse taksave tona. Koncesionari do të investojë në pajisje tekonologjike, pa specifikuar se çfarë, vetëm pas vitit të gjashtë(po aty), çka presupozon se në këto pesë qytete ka kapacitete ekzistuese. Meqenëse këto para janë përcaktuar për këtë qëllim, lind pyetja pse qeveria, përmes Ministrisë së Shëndetësisë nuk kryen investimin në mjediset e veta dhe ta administrojë vetë shërbimin? Në krye të 10 vjetëve do të kemi disa mjedise të rikonstruktuara sot, pra që do të kenë sërish nevojë për ndërhyrje dhe disa pajisje teknologjike të blera me distancë kohore 4 vjeçare nga momenti i përfundimit të konçesionit. Pa folur këtu se një operator privat fiton ndjeshëm pozicion në treg pasi merr një shërbim që është i parapaguar, e që i cili fare mirë mund të realizohet në  rrugë shtetërore(http://www.reporter.al/wp-content/uploads/hemodializa_koncesion.pdf).  Pra në kushtet e kësaj kontrate kërkimi për shërbimin që do të vijë në spitalet shtetërore do të adresohet direkt te  konçesionari, duke e goditur tregun.

Një ilustrim me maternitetin

Një shembull tjetër i mungesës së transparencës vjen nga maternitetet. Sugjerohet së fundmi që për të sapolindurit të bëhet analiza metabolike. Sipas të dhënave ajo kushton 100 euro, por 50% e saj rimbursohet nga shteti. Rastësi apo jo, në spotet publicitare ofrohet ky shërbim nga një spital privat me vlerën 50 euro. Dhe në të dyja rastet vlerësimi i analizës kryhet në Greqi. Mund të kuptohet pra fare mirë se shërbimi i rimbursuar nga qeveria bëhet për një analizë të cilën vetë spitali shtetëror nuk e kryen por e porosit gjetkë. Si mund të rimburoshet një shërbim pa e përfshirë në protokoll si të detyrueshme? Në spital të thonë se jepet alternative “për shkak të çmimit”!!!

Duket hapur se qeveria, të paktën në këtë sektor, po ndjek praktikën e PPP-së edhe për shërbime që përndryshe i realizon edhe spitali shtetëror. E meqë janë të tilla, ofertimi për një periudhë mbi 10 vjeçare i tyre mund të ngrejë standardin infrastrukturor në disa drejtime, por jo standardin e shërbimit. Për të mos thënë që me ritmin e zhvillimit sot, afate të tilla nuk marrin parasysh edhe rënien eventuale të kostove. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.