Xhamitë e Shqipërisë

Postuar në 24 Tetor, 2015 21:16

Xhamitë e Shqipërisë janë pak të trajtuara për vlerën e tyre arkitektonike dhe historike. Disi më larg vëmendjes së gjerë në sensin e vlerësimit si trashëgimi e përbashkët. Më e njohura për pjesën më të madhe padyshim që është xhamia në qendër të Tiranës. Mirëpo besimi islam është besim i shumicës së shqiptarëve dhe ka një histori qindra vjeçare në territorin shqiptar. Për të hedhur dritë në një fushë ku ka ende shumë për të thënë kemi intervistuar z. Aleksandër Meksi, që është ndër njohësit më të mirë të monumenteve. Meksi vjen para opinionit me një ripunim të librit të tij të vitit 2004, kushtuar xhamive në Shqipëri që jep një panoramë të plotësuar të arkitekturës dhe tipologjisë së këtyre faltoreve të besimit islam.  

 

ResPublica: Z. Meksi sapo doli  nga shtypi  libri “Xhamitë e Shqipërisë”. Mund të na thoni dy fjalë për të?

Libri është ripunim i zgjeruar, i përmirësuar në aspektin e literaturës së përdorur, dhe materialeve të pabotuara, për xhamitë si faltore të kultit mysliman në Shqipëri. Jam munduar që të përfshihen në këtë botim të ri të gjitha ndërtimet me vlerë edhe pse mjaft prej tyre janë zhdukur në vitin 1967. Pra është krijuar një tablo më  e mirë e kësaj arkitekture në mënyrë që si studiuesit, ashtu edhe lexuesit e interesuar të mund të gjykojnë mbi të dhëna të sigurta dhe të plota për vlerat e tyre dhe për dukuri të tjera që lidhen me to. Libri përbëhet prej katër pjesësh, ku pjesa e parë që është përpunuar tërësisht, është një tablo e historisë së Shqipërisë nga shek XV - XIX, pra e dukurive historike dhe të islamizimit të popullsisë shqiptare, pasi edhe ndërtimet kanë qenë të lidhura me këtë proces. Jam munduar të hetoj më mirë në literaturën e botuar, në mënyrë që përfundimet të jenë sa më afër të vërtetës dhe të mbështetura në dokumentacion. Janë shtuar të dhënat për arkitekturën e monumentit të vecantë, është shtuar dhe dokumentacioni grafik e fotografik i tyre. Them se studimi plotëson mjaft mangësi të librit të parë. Kemi patur fatin që veç studiuesve shqiptarë, për këto monumente të jetë marr  studiuesi i njohur holandez, Machiel Kiel  i cili ka botuar një libër për arkitekturën otomane në Shqipëri që është përkthyer edhe shqip. Botimi shqip i tij, më dha mundësinë që t’i referohem më tepër se në rastin e botimit të parë në mënyrë që të ishte e qartë dhe të kishin besueshmëri ato të dhëna historike, të marra nga Kiel në arkivat otomane.

 

ResPublica: Kur datojnë ndërtimet e para në territorin shqiptar?

Me mjaft gjasë ndërtimet më të hershme i takojnë pushtimeve të para otomane në Shqipëri. Por turqit janë larguar pasi kanë pushtuar, për shkak të kryengritjeve dhe këto ndërtime, pra ato të ndërtuara prej tyre qysh në ardhjen e parë,  nuk ruhen, por ka të dhëna në regjistrimet turke për praninë e besimtarëve myslimanë në fortesa;  pra për praninë e bashkësive që kanë një imam. Pushtimi më i hershëm i një qyteti shqiptar, është ai Shkodrës, për pak vjet, në fund të shek XIV, por nuk ka një gjurmë ndërtimi të asaj kohe.Ndërtimet e qëndrueshme lidhen me vendosjen e përhershme të pushtimit otoman. Një nga xhamitë më të hershme që sot nuk ekziston, ka qenë në fshatin Poloskë, në një krahinë që u vu nën sundimin turk në pjesën e parë të shek XV. Ndër xhamitë e qëndrueshme janë ato të cilat lidhen me Sulltan Bajazitin II, i cili ka qenë në ekspeditë në Shqipërinë e Jugut. Këto xhami kanë edhe emrin “xhamia mbret” dhe të tilla ka në Berat, Elbasan, Tepelenë e kështu me radhë. Jam munduar t’i paraqes si të dhënat që kemi në dokumentacionin historik, ndërkohë të botuara, ashtu edhe ato që ndodhen në terren. Libri trajton vetëm territorin e Republikës së Shqipërisë, kurse për të dhënat historike jemi shtrirë edhe në pjesët e tjera të banuara nga shqiptarë, sepse këto ndërtime janë të tyret, pasi ata u kthyen në myslimanë.

 

ResPublica: Dallojmë një tipologji të xhamive në Shqipëri, nisur nga mënyra e ndërtimit?  

Xhamitë e Shqipërisë i takojnë dy tipeve: atyre ku salla e lutjeve është e mbuluar me kupolë dhe atyre ku salla e lutjeve është e mbuluar me çati druri. Kuptohet që të parat janë më të vështira për t’u realizuar, kërkojnë më shumë mjeshtëri dhe lidhen si me atë që ka dhuruar paratë për ta ndërtuar, ashtu edhe me nivelin e zhvillimit të vendit. Xhamia më e vjetër e mbuluar me kupolë që ruhet në Shqipëri është ajo e Iljaz bej Mirahorit në Korçë, ndërtuar në vitin 1495-1496, i cili dhuroi toka, ndërtoi xhaminë, një mensë për të varfrit, shkollë fetare, çezmë, që mbaheshin me të ardhurat e vakëfit. Kuptohet që ndërtimet e para dhe që nuk ruhen, sepse kanë qenë materiale të rastit, kanë qenë ato të mbuluar me çati druri. Dy nga ato Xhamia Mbret në Elbasan dhe Xhamia Mbret në Berat shquhen ndër të tjerat, me sa duket ato janë dhuruar nga Sulltan Bajaziti i dytë rreth vitit 1492 kur ka qenë në Shqipëri për të shtypur kryengritjen e Himarës (Labëria).

 

ResPublica: Ka një traditë vendase në ndërtimin e xhamive?  

Ndërtimet e para sigurisht që ndjekin shembujt e qendrave kryesore të perandorisë, që u morën për modele. Në shekujt e mëvonshëm krijohet një traditë vendase me forma dhe elementë që preferohen dhe që në periudhën e fundit kanë afri më të madhe me arkitekturën popullore. P.sh nëse në fillim harqet, mbulesat e dritareve kanë qenë mbuluar me një hark karakteristik që quhet fund lundre, xhamitë e vona, arkadat i kanë gjysmë rrethore, njësoj si në arkitekturën popullore. Me mjaft gjasë mjeshtrit që i ndërtonin ishin po ata që ndërtonin edhe banesat edhe ndërtimet e kultit të tjera.

 

ResPublica: Ka një dallim mes xhamive të ndërtuara në qendra urbane dhe atyre në fshat?

Përgjithësisht përfaqësuese janë xhamitë që ndërtohen në qytete, në varësi të bashkësisë islame që është më e madhe, të mundësive financiare të dhuruesve. Ndërsa krahas këtyre xhamive të mëdha, që shquhen, ka edhe një numër shumë të madh faltoresh të vogla –mesxhide të thjeshta, të mbuluara me çati druri që ndërtoheshin në çdo lagje dhe në çdo fshat. Kuptohet që shumica janë të vona, sepse vetë mënyra e ndërtimit nuk i ka bërë të kenë jetëgjatësi. Por ka edhe raste si në Velabisht të Beratit, ku xhaminë e ndërton një familje pashallarësh, apo në fshatin Burim të Dibrës, ku e ndërton një komandant ushtarak (xhamia e Allajbegut). Në të dyja rastet xhamitë janë të mbuluara me kupolë.

 

ResPublica: Është folur shpesh se xhamitë në disa vende u ndërtuan në godinat ekzistuese të kishave. Haset kjo dukuri, apo ka qenë shumë e izoluar?

Në fermanin e lëshuar për pushtimin e Shkodrës dhe të Krujës thuhet qartë që “ktheni faltoret e krishtera në xhami”. Kështu në Shkodër, katedrales së Shën Stefanit i shtohet një minare, në Krujë një kishë e vogël kthehet në xhami, apo siç rezulton nga gjurmët në vend, Xhamia Fetije në Durrës ndërtohet mbi një bazilikë bizantine. Duhet të ketë edhe raste të tjera, sepse tradita gojore e thotë këtë gjë, por kjo do provuar nga gërmimet arkeologjike.

 

ResPublica: Çfarë fondi trashëgon sot Shqipëria për këto faltore?

Që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, që përkon me Rilindjen Kombëtare, ndërtimet e reja janë të pakta në numër, por restaurohen , rindërtohen, meremetohen të vjetrat. Ndërtimet e reja nuk shquhen për nga vlerat, ndërsa me Pavarësinë numri i të rejave është shumë i pakët. Një dëm të madh pësoi kjo trashëgimi në vitin 1967 ku pavarësisht se do të mbeteshin në mbrojtje shtetërore, disa prej tyre, u shembën me nisma të drejtuesve lokalë komunistë, ose tërësisht xhamia, ose minaret e tyre(rasti i Elbasanit dhe i Beratit flet qartë dhe ato që u prishën ishin xhami të shekullit XV).

 

ResPublica: Cili është kontributi që japin studime dhe botime të tilla?

Japin një ndihmesë jo të vogël për njohjen e historisë tonë. Ato i mundësojnë studiuesve por dhe të tjerëve të interesuar, të njohin krijimtarinë arkitekturore në të kaluarën bazuar në dëshmi materiale të pakundërshtueshme si dokumente historike të dorës së parë. Njëherazi ato japin dhe një ndihmesë për zhvillimin e turizmit kulturor shumë të nevojshëm sot për vendin. Por duhet të vërej se kjo e fundit nuk vlerësohet. Studimet dhe botimet janë më tepër nisma individuale. Këtë libër e botoi Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) të cilit i jam mirënjohës.

Comments

Submitted by Ajet Nallbani (not verified) on

Ka të dhëna për xhaminë e kuqe në kalanë e Beratit se është nga ndërtimet e para në Shqipëri, thuhet para okupimit osman, mbasi i ka shërbyer garnizoneve që ishin instaluar në rrugët e karvaneve dhe sulmoheshin nga grabitës. Arsyet që mund të gjykohet kështu janë: Berati ka qënë kalim karvanesh nga Vlora në drejtim të lindjes. Një thënie e tillë është e besueshëme. Garnizonet turke kanë qënë prezent në këtë rajon me betejën e Savrës, ku u vra edhe Balsha. Berati nuk ka pushtim të mirëfilltë me luftë, por një marveshje nga princat me pranimin e islamit. Mendohet që garnizoni në mbrojtje të karvaneve të jetë instaluar pikërisht në këtë kohë. Teknika e kluasonazhit që mbulon bazamentin e xhamisë kuqe, është vazhdim i teknikave bizantine të përdorura në ndërtimet pararendese të Bizantit, në kalanë e Beratit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.