Zbulim: Borëbardha dhe shtatë xhuxhët ishin pellazgë

Postuar në 23 Tetor, 2015 18:22
Mediavulg

Herë pas here në faqet e gazetave shqiptare ofrohen gjurmë të reja të pakontestueshme të përparimit (sidomos të sotëm) dhe lashtësisë së kulturës iliro-pellazge. Më 18 tetor Gjergji Thanasi bëri publik zbulimin e fakteve arkeologjike që vërtetojnë se personazhet homerike dhe ajo çka njohim si ‘mitologji greke’ në të vërtetë kanë trajta shqiptare. Këtë fakt Thanasi e vëren te një basoreliev që riprodhon ‘rrëmbimin e Helenës’, ku, sipas zbuluesit, «plisi-qeleshja-kësula pellazgo-ilire-shqiptare është një dëshmi e pashmangshme» e ilirizmit. «I riu, (Parisi) më përpara e bën për vete [Helenën] e pastaj e rrëmben atë» dhe bashkë me Hektorin e shpien në Trojë. Më pas Thanasi fton lexuesit të analizojnë imazhin:
«Shiheni këtë bazoreliev në alabaster, relievi tregon femrën, (Helenën) me tunikë të shkurtër, një shami në kokë dhe me mantel. Ajo që është më e rëndësishme për ne shqiptarët, është se të katra figurat mashkullore të paraqitura në këtë basoriljev në alabastër, janë të gjithë me plisin pellazgo-Iliro-Shqiptar. Dy figurat majtas dhe djathtas Helenës janë Parisi dhe Hektori, (edhe ata me plisa)».
Metoda analitike e Thanasit mund të çelë një epokë të re që do të revolucionarizojë dijet tona mbi lashtësinë: pse jo, mund të përmbysen paradigmat, duke realizuar më në fund Pellazgjinë e Madhe antike. Me kriteret shkencore të Thanasit, plisit pellazgo-iliro-shqiptar, edhe 7 xhuxhët e Borëbardhës zbulohen më në fund pellazgë. Siç mund të vërehet, krijimtaria e vëllezërve Grim, e pretenduar si gjermane, dëshmon praninë pellazgo-iliro-shqiptare (edhe) në veriun europian. Vetë ngjarjet e xhuxhëve e përforcojnë karakterin pellazgo-iliro-shqiptar, jo aq në sjellje se sa në fatin e trishtë. Punëtorë, zemërbardhë, mikpritës, altruistë, pra ‘njerëz të drejtë’, që për ligjet fizike të realitetit shqiptar e ‘hanë gjithashtu drejt’: vjen boti e jua merr ëndrrën, nga ata të shpëtuar dhe strehuar si perlë.
imagesDuke shpresuar që përfshirja e xhuxhëve të Borëbardhës në kinkalerinë e origjinës sonë do të marrë vëmendjen e merituar në ndonjë tezë doktorature, meqenëse fatmirësisht pellazgologjia po përparon në Universitetin e Tiranës (siç shpresojmë në ndonjë studim të gunës së personazhit Yoda në Star Wars – foto djathtas), nuk mund të mos i rikthehemi zbulimit të Thanasit, pasi ai ka anashkaluar dy fakte akoma më themelore në zinxhirin pellazgo-shqiptar. Pikërisht këtu qëndron vërtetimi.
Thanasi ka preferuar të ekzaltojë plisin, por jo gjestin e katër pellazgo-shqiptarëve, në versionin ‘shikoji gunën dhe jo punën’. Katër plisat, dy të identifikuar si Hektori dhe Paridi/Parisi, rrëmbejnë plaçkën-femër: “sti fiji de troia” do të thonin romanët (në garbatellese). Kështu pra, basorelievi ka (I) plisa, (II) vjedhje dhe (III) zogj kurvash.
Kur të huajt, si Oliver Schmitt, na vënë në dukje artin e rrëmbimit, revoltohemi dhe nëse mundemi i baltosim publikisht, ndërsa kur ia qëndisim vetes si kostum tradicional, qëndresë kundër armikut dhe rishpërndarje pronash pas 1990-s, e bëjmë mendjendriturin drejtor të Arkivit Qendror të Shtetit. Dhe mediat që riciklojnë zbulimin e Thanasit, janë të njëjtat që para pak javësh neveriteshin nga skicat erotike të Gottfried Sieben-it, sepse kur rrëmbimi është vepra”ynë” atëherë shenjtërohet me virtytin e birkurvizmit.
Nga një lundrim mbi ideal-tipat e memories sonë, basorelievi rezulton koherent, sintetizues dhe aktual: “fiji de troia” ishin dy kunetërit e Rozafës dhe tepër xhuxh burri i saj; për t’u ankuar për vjedhjet u dërguan dy ambasadorë nga Roma tek Teuta, e cila ishte regjente e Pinesit, djalit të Agronit dhe motrës së saj (Triteuta), pasi kish vdekur sovrani (si të themi: nga “fiji de troia” në “porca troia”); pastaj, me largpamësinë e Paridit, Teuta preferoi si lëvizje diplomatike t’u jepte atyre një dru; me rrëmbime është i tejmbushur Eposi i Kreshnikëve; ato vijnë mjaft të detajuara nga kronikat dhe burimet e pas shek. XV, e deri te afera CEZ. Të pandryshueshëm në mijëvjeçarë!
Me fjalë të tjera, krahasuar sidomos me situatën aktuale, nga simbolet e basorelievit të analizuar nga Thanasi kemi trashëguar plisin (për ta ekspozuar në ndeshje futbolli e ndonjë klip muzikor), zhvatjen dhe “fiji de troia” (e anasjelltas) për eksport (si individë e si virtyt). Janë këto dy elemente, më shumë se sa kostumet, që konfirmojnë titujt e gazetave mbi zbulimin e Thanasit.

Marrë symbyllur nga "Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.