“Jaguarët”, kryeministria: Do merren me qira. Kursehen 1,519,062 euro për katër vjet

Postuar në 23 Tetor, 2015 15:25

Qeveria ka reaguar sot përmes “transparenca.al” për të sqaruar të vërtetën e tenderit për “Jaguarët” e rinj që do të vihen në dispozicion të saj. Pas deklaratës së deputetit Edmond Spaho, në faen online është pëcjellë ky sqarim:

“Së pari, Garda e Republikës së Shqipërisë nuk ka shpallur asnjë tender për të blerë makina të cilat do të vihen në përdorim të Kabinetit Qeveritar. Tenderi për të cilin media të ndryshme kanë ngritur pretendime ka të bëjë me marrjen me qira (leasing) të automjeteve që Kabineti Qeveritar do të përdorë, duke pasur parasysh amortizimin e flotës aktuale të automjeteve, mungesën e sigurisë në transport, koston shumë të lartë në mirëmbajtje, si edhe koston e lartë në konsum të karburantit.

Së dyti, duke qenë se tenderi në fjalë ka të bëjë me shërbimin e transportit të personaliteteve të larta shtetërore dhe sigurinë e tyre fizike, bazuar në VKM nr. 246, datë 19.03.2015, mbështetur në nenin 6 të ligjit nr. 9643, Garda e Republikës është e detyruar të rezervohet në dhënien e informacionit të klasifikuar.

Sot, në shërbim të Këshillit të Ministrave janë në dispozicion 22 autovetura, kostoja e mirëmbajtjes së të cilave është 636,392 Euro në vit, ose 2,545,571 Euro për një periudhë katër vjeçare, duke përllogaritur këtu edhe vlerën e amortizimit të automjeteve. Marrja me qira (leasing) e një numri të njëjtë makinash, kushton 494,520 Euro në vit, ose 1,978,080 Euro për një periudhe katër vjeçare. Shteti shqiptar kursen 141,872 Euro në vit, ose 567,491 Euro për një periudhë katër vjeçare dhe në të njëjtën kohë automjetet në dispozicion janë të reja, më të sigurta, ndotin më pak mjedisin dhe duke pasur një efiçencë më të lartë në konsum, kursejnë rreth 30% më shumë edhe në kostot e karburantit. Për më tepër, në raste defektesh, automjeti zëvendësohet menjëherë dhe kostot e riparimit apo zëvendësimit për shtetin shqiptar është zero.

Kosto e marrjes me qira (leasing) të 22 automjeteve është akoma më e ulët nëse krahasohet me koston e blerjes së 22 automjeteve të reja. Shtetit shqiptar do t’i kushtonte plot 3,497,142 Euro blerja dhe mirëmbajtja për një periudhë katër vjeçare e 22 automjeteve të nevojshme për Kabinetin Qeveritar. Dukshëm, përmes marrjes me qira (leasing), kursehen plotë 379,765 Euro në vit, ose 1,519,062 Euro për një periudhë katër vjeçare”. Ndërkohë PD-ja pretendoi që kontrata do të nënshkruhet me një kompani që i përket një miku të kryeministrit. Nga ana tjetër flitet për amortizimin e makinave aktuale, çka është disi e çuditshme po të mbahet parasysh se qeveria e kaluar u akuzua disa herë për blerje makinash të shtrenjta. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.