Graziano: Islamizmi nuk është kërcënim, por një mundësi

Postuar në 21 Tetor, 2015 18:25

“Fetë si një instrument politik, janë ato me të cilat unë merrem, edhe pse jo të gjitha fetë ndodhen në të njëjtin nivel”. Kështu shprehet Manlio Graziano, një analist dhe historiani i njohur italian, i cili erdhi në Tiranë për të folur mbi veprën e tij të fundit: “Lufta e shenjtë, e shenjta aleancë”. Vepra e analistit italian ka ardhur në shqip nga Ardian Beshajt, si një botim i shtëpisë botuese “Saras”. Organizatorët kishin zgjedhur një nga kinematë e hotelit Sheraton për të bërë prezantimin e këtij librit, e për të thënë të vërtetën në këtë event, special për nga lloji, u bënë pyetje më shumë se numri i pjesmarrësve në cermoni.

Botimi në fjalë ka ngritur një debat të gjerë mbi të ardhmen e qytetërimeve. Të paktën këto janë njoftimet që vijnë nga mediat italkiane, dhe jo vetëm. Dhe po ta marrësh për nga tema që trajton, kjo është fort e kuptueshme.

Që në fillim të fjalës së tij Graziano tha: “Nëse sot doni të kuptoni se ç’po ndodh në Lindjen e Mesme, atëherë fillimisht duhet të studioni një herë gjeopolitikën, e cila do t’ju orientojë si një instrument”. Ndërsa shkrimtari Besnik Mustafaj, i cili ishte pjesë e panelit, në fjalës së tij u shpreh: “E them me plot gojë se argumentat e këtij libri më kanë turbulluar dhe gjithashtu eseja e profesor Gracianos të lë gojëhapur”.

Libri në fjalë përshkruhet nga një analizë e mprehtë, ku gërshetohet historia me teologjinë dhe ku, për herë të parë, fetë shihen në kontekstin gjeopolitik të tyre, për të shpjeguar raportet që i çuan ato në një dominancë të jetës publike. Autori e ka përqëndruar fokusin e tij tek kisha katolike, që sipas tij, është e vetmja fe apo besim i organizuar, institucionalizuar dhe shtrirë në rang botëror.

Duke folur për ndryshimin themelor mes Lindjes së Mesme dhe Europës së ditëve të sotme, Graziano thotë: “Në Lindjen e Mesme janë mbizotëruese fetë e paorganizuara, pa një strukturë klerikale në gjendje t’u tregojë besimtarëve se çfarë është “e drejtë” dhe çfarë është “e gabuar”: ato fe janë politikisht pasive, domethënë janë dhe do të jenë gjithnjë objekt i përdorimit instrumental të interesave të tjera. Kurse në Europë mbizotërojnë fe të organizuara, në të cilat kleri u ofron udhëzime të sakta besimtarëve. Kjo gjë i bën politikisht aktive. Dhe kjo është e vërtetë sidomos për kishën katolike, më të organizuarën dhe më të centralizuarën nga të gjitha”.

“Parimi i sovranitetit, guri i tij themeltar, sot po thërrmohet, shumë prej institucioneve që shoqëruan fatin e mirë, nga leva masive e centralizimit fiskal, nga monedha kombëtare tek welfare-i, nga monopoli i tregtisë te demokracia parlamentare, po shoqërojnë edhe rënien. Mes tyre dhe shekullarizimi”, thotë Graziano. Sipas tij, kriza e këtyre institucioneve shkakton pasiguri dhe çorientim.

Por si e sheh Graziano, në këndvështrimin e tij islamizmin, si një mundësi apo si kërcënim? Ai thotë: “Islamizmi nuk është një kërcënim, por një mundësi. Është mënyra e vetme për ta “organizuar” politikisht islamin, që përndryshe është i shpërndarë në mijëra rrëkeza të ndryshme, alternative dhe armiqësore me njëra-tjetrën. Problemi është se atje ku partitë islamike kanë mundur ta arrijnë pushtetin demokratikisht, është bërë çmos për t’i delegjitimuar, për t’i larguar nga funksionet e tyre dhe për t’i shtyrë në krahët e ekstremizmit; dhe në këtë mënyrë është thyer diafragma e vetme midis besimtarëve dhe prirjeve që e shohin identitetin islamik vetëm si një hakmarrje për shekuj të tërë poshtërimesh të pësuara nga fuqitë e “krishtera”.

Gjatë promovimit u tha se ky libër që mund të lexohet lehtë, mbart përgjigje për shumë mëdyshje, me të cilat përballemi sa herë konfliktet fetare dalin në horizont. Ajo çka Graziano e sheh si “lufta e shenjtë” është dhe bërthama për të kuptuar kontekstin politik, social apo ekonomik, në të cilin sot lëvizin shtetet. Gjithashtu u theksua se tezat e Grazianos thërrasin në një debat publik, që përfshin hapësira shumë më të gjera se ato specialistike.

Lucio Caracciolo, i cili ka bërë dhe parathënien e këtij botimi, thotë se merita kryesore e këtij libri është se na hap ndaj dyshimit dhe: “në veçanti rileximi i parabolës katolike në drejtim ekspansiv, për ta konfiguruar Selinë e Shenjtë si pivot të mundshëm gjeopolitik, nuk do të mund të mos ngjallë reagime”.

Autori, thotë se “tanimë është fakt që sot fetë luajnë një rol në jetën publike shumë më të rëndësishëm nga ç’ishte 10 apo 20 vite më parë. Është e mundur, madje e besueshme, që ky rol të shtrihet në të ardhmen.”

 

L.Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.