Kjo është “transparenca.al”?!

Postuar në 19 Tetor, 2015 17:29

Para dy ditësh deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, doli në një deklaratë për shtyp ku akuzonte qeverinë për korrupsion në tendera në Ministrinë e Arsimit. Siç u kuptua, halli i Boçit ishte që të përsëriste akuzën për tenderin e rikonstruksionit të godinës së OSHEE-së, me një vlerë 5.4 miliardë lekë, që i është dhënë Eurocol, kompania që sipas PD-së po ndërton vilën e Edi Ramës në Surrel. Tha Boçi ndër të tjera: “OSHEE ka vënë në shërbim të mikut të Edi Ramës, ndërtuesin e sarajeve të tij në Surrel, gati dyfishin e shumës që nevojitet për punën. Këtë e vërteton ofertuesi i dytë, i skualifikuar, i cili merr përsipër të kryejë rikonstruksionin me shumën 3 miliardë e 800 milionë lekë, por kryehajduti i OSHEE ka ndarë që në fillim 5 miliardë lekë për këtë aferë”. Tani kjo është një akuzë e cila bart gjysmën e së vërtetës dhe na provon sesi të dyja partitë janë prodhuese artizanale të patentuara të baltosjes reciproke. Gjithsesi, opozita ka bërë të qartë se këtu ka një tender me probleme. Më shumë madje, një aferë me paratë publike. Për të parë edhe anën tjetër të çështjes, pra për të ndjekur këshillën e Endri Fugës, i cili siç duket e njeh mirë median, hedhim një sy te faqja “transaprenca.al”. Ja se çfarë thotë e vërteta qeveritare: “Në sqarim të opinionit publik theksojmë se i gjithë procesi i tenderit në fjalë është zhvilluar online, sipas të gjitha rregullave dhe procedurave që parashikon ligji. Kompanitë të cilat garuan në prokurim kanë qenë vetëm dy. Kompania e cila nuk arriti të shpallej fituese kishte këto mangësi në dokumentacionin bashkangjitur ofertës së saj:

a) mungesa e licensave që kërkohen për realizimin e objektit;

b) mungesa e autorizimeve nga prodhuesit për produkte specifike të domosdoshme për realizimin e objektit;

c) mosrealizimi i punëve të ngjashme mëparë”, thuhet në “transaparenca.al”.

Pra në një tender për rikonstruksion godine kanë marrë pjesë vetëm...dy kompani. Njëra prej tyre është fituesja e cila ka paraqitur një ofertë maksimale. Nënvizojmë këtu se PD-ja ka nën tekstin e akuzës edhe faktin se "Eurocol" është kompania që po ndërton vilën e Edi Ramës në Surrel. Ky është pretendimi i PD-së për të cilën “Transaprency National” nuk thotë asnjë fjalë. Ndoshta gabojmë dhe biem në kurthin e baltës së PD-së, por fakti që ky moment nuk sqarohet na jep të drejtën të pyesim: a mos vallë pikërisht kjo është arsyeja pse në tender ndërtimi(në Shqipëri ka shumë kompani që bëjnë ndërtime) morën pjesë vetëm dy kompani? Si është e mundur që kompania tjetër paraqitet me mangësi në një tender miliardash? “TAL”, apo “transparenca.al” shton më tej se “kompania paguan për hapësirat me qera 33,411 euro në muaj ose 400,932 euro në vit, vlerë e cila do t’i kursehet buxhetit vjetor të OSHEE-së me ndërtimin e objektit të ri”. Mirëpo këtë nuk e ka vënë njeri në diskutim. Në diskutim është vënë ajo që "TAL" nuk thotë dhe nuk sqaron për tenderin, i cili padyshim që është në kushte ligjore. Vetëm se ligji këtu është gjethe fiku. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.