Debat (edhe) për librin mes Kim Mehmetit dhe Edi Ramës

Postuar në 18 Tetor, 2015 11:00

“Gazeta Shqiptare” ka zbardhur sot një debat mes kryeministrit Edi Rama dhe shkrimtarit Kim Mehmeti. Debati është zhvilluar në promovimin e librit të Rudina Xhungës, “Edhe një Shqip”.  Më poshtë një pjesë e debatit:

Edi Rama: Erdha si i ftuar se promovohet libri, por po shoh që nuk po promovohet asnjë libër, por shoh Rudinën që po na promovon ne të tjerët. Kimi po bën atë që bën gjithmonë, po promovon veten, Pirro Misha po mundohet të rrijë sa më larg çdo lloj promovimi dhe provokimi, ndërsa Moza është në mes e po mendon për gjëra që nuk i thotë… Nuk e urreva Kimin që foli gjatë, sepse nuk e di pse jam në këtë panel. Ose mund ta pranoj nëse më keni vënë siç viheshin shishet e Koka-Kolës mbi televizor. Nëse jam si orendi.

Kim Mehmeti: Jo, je këtu për promovimin.

Edi Rama: Jam i lumtur atëherë. Nuk doja të isha në qendër.

(Ndërhyn Kimi)

Edi Rama: Unë nuk e kuptoj pse po flet. Ankohesh këtu pse nuk botohet Anton Pashku. Këtu nuk ka ndonjë censurë. Ti, pse nuk e ke botuar Anton Pashkun, meqë paska kaq rëndësi, dhe këtu jam me ty, ke 25 vjet që qahesh, pse nuk e ke botuar? I thoshe Pirro Mishës. Kush do ta bëjë, qeveria? Do ngrihet vetë Antoni dhe të botohet?

Kim Mehmeti: Maqedonia ka botuar dhjetëra libra të autorëve të saj. Qeveria shqiptare nuk ka botuar asgjë.

Edi Rama: Shumë mirë ka bërë qeveria shqiptare që nuk ka botuar. Ti e di sa i dua unë qeveritë shqiptare, po ka bërë shumë mirë që nuk i ka botuar. Sepse nuk mund të përcaktojnë qeveritë se cilët janë shkrimtarët që duhen botuar e kush jo. Kjo nuk është punë e qeverisë. Nëse qahesh për të ardhmen, gjysma e së keqes. Nëse qahesh për shqiptarët sot, po të them se nuk kanë qenë asnjëherë më mirë se sot shqiptarët.

Kim Mehmeti: Nëse e krahason me kohën e Turqisë…

Edi Rama: Jo, e krahasoj me kohën tënde. Nuk kanë qenë më mirë shqiptarët. Nuk është e këndshme të hidhet gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës, por Kosova ka parlament, që nuk e kishte më parë. Ata që artikulonin se Kosova do jetë shtet, dukeshin të çmendur. Edhe nëse nuk e njohim njëri-tjetrin, normale, se nuk kemi qenë bashkë. Pyet gjermanët e lindjes çfarë thonë për të perëndimit, dhe anasjelltas. Edhe ata thonë s’janë si ne. Ne kemi shumë të meta, por nuk jemi origjinale në të meta, të meta kanë të gjithë.

Kim Mehmeti: Unë e di se për ju është kot çdo gjë që thonë të tjerët.

Edi Rama: Ah, e the edhe këtë.

Kim Mehmeti: Ne kemi 25 vite në një gjendje. Që të jesh politikan i mirë, duhet të bindësh popullin që të jetë i kënaqur me atë që ka. Unë nuk bëj krahasime me të keqen që kemi pasur, por me të mirën që mund të kemi.

Edi Rama: Bëj krahasime, por mos thuaj gjëra që nuk kanë kuptim. Duke qenë shkrimtar, që nuk ke gjëra të tjera në dorë, veçse të shkruash, e meqe e kë në dorë të shkruash, ke shansin të shohësh e të mendosh gjëra që një njeri si unë nuk ka mundësi t’i mendojë. Na thuaj çfarë duhet bërë ndryshe.

Kim Mehmeti: Ne duhet të kemi politikë kulturore mbarëshqiptare.

Edi Rama: Unë nuk kam ardhur si kryeministër këtu, mos më ndërprit se nuk më komplekson dot. Për herë të parë kemi një sistem arsimor të unifikuar me Kosovën, e kupton? E ke imagjinuar ndonjëherë? Kemi kalendar të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë. Çfarë do më shumë?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.