Avokati i Popullit: Kemi probleme me politikën. Rekomandimet konsiderohen sulme

Postuar në 18 Tetor, 2015 11:31

Avokati i Popullit adreson kritika të hapura për sjelljen institucionale të drejtuesve shqiptarë që sipas tij, nuk ofrojnë bashkëpunim me zyrën e Avokati. Gjatë fjalës së tij në Kongresin e 9-të të Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Ndërmjetësuesve Frankofonë (AOMF), që u mbajt në datat 13-15 tetor 2015 në Quebec të Kanadasë, Igli Totozani,  deklaroi se në vende si Shqipëria ka vërtet një rend kushtetues demokratik, por kultura e njerëzve dhe politikës është larg tij. "Puna e Ombudsmanit në vendet me demokraci ende të pakonsoliduar është një sfidë e madhe. Këto vende karakterizohen nga një "paradoks" i madh, ai midis një rendi kushtetues demokratik nga njëra anë dhe mungesës së kulturës demokratike nga ana tjeter. Ky paradoks është burimi i një tensioni të madh, pasi në mungesë të kësaj kulture administrata publike shpesh shkel ligjet, ose së paku realizon një përdorim abuziv të normës juridike. Vështirësia e Ombudsmanit është e dyfishtë në këtë rast; ai duhet nga njëra anë të korrigjojë dhe përmirësojë administratën publike dhe nga ana tjetër të përhapë një kulturë të tillë demokratike. Mungesa e kësaj kulture sjell moskuptim të rolit të Ombudsmanit. Shpesh kritikat e tij apo dhe rekomandimet konsiderohen sulme nga aktorët politikë dhe qeverisës. Shpesh rekomandimeve të tij nuk i kthehet as përgjigje. Por udhëheqësit tanë duhet të kuptojnë se qëndrimi ndaj Ombudsmanit është një nga indikatorët më elokuentë dhe më të saktë të nivelit të demokracisë në një vend. Kjo e fundit duhet të jetë e qartë për këdo. Mosbashkëpunimi me Ombudsmanin shkon drejtpërdrejtë në dëm të qytetarëve", tha Totozani. Së fundmi Avokati i Popullit ka reaguar për disa çështje, si ajo e romëve në zonën e Liqenit, por mesa duket qëndrimi i tij, është pritur jo mirë nga mazhoranca.  Igli Totozani ishte zgjedhje e PS-së në momentin e rotacionit në institucion. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.