PD angazhohet për çështjen rome

Postuar në 16 Tetor, 2015 21:01

Deputetja e PD-së Albana Vokshi, përmes një letre të hapur drejtuar Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj kërkon anullimin e vendimit për shpërnguljen me dhunë të 44 familjeve të komunitetin rom e egjiptian nga zona e Parkut Kombëtar në Tiranë. Deputetja Vokshi, e cila është dhe kryetarje e Komisionit Parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, e konsideron shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut, faktin që sipas saj, “dhjetra familje rome po dëbohen me forcë nga Liqeni Artificial, pas një urdhëri të Kryetarit të Bashkisë Tiranë”. Sipas saj dhjetra familje rome dhe egjiptiane përjetuan këtë javë shpënguljen barbare në presion psikologjik dhe policor, ku u përfshinë edhe inspektorët e IKMT-së. “Në aksionin racist me polici e fadroma u përndoqën edhe këshilltarët e djathtë, të cilët ngritën zërin në mbrojtje të të Drejtave të Komunitetit rom dhe egjiptian, të shpërngulur me forcë. Në një foto mesazh, që bëri xhiron mediatike pak ditë pas betimit si ministër i Mirëqënies, ju shfaqeni me një fëmijë rom, të cilin e mbani në krahë. Ndërsa sot, ky fëmijë dhe familja e tij me urdhërin tuaj janë dëbuar kushedi se ku, për një të ashtuquajtur “Masterplan gjelbërimi”, në kundërshtim edhe me vendimin e lobuar nga ju në qeveri për ndalimin e projekteve të zhvillimit të qyteteve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, vijon letra publike drejtuar Kryetarit të Bashkisë. Në mbështetje të reagimit të Avokatit të Popullit dhe Amnesty International, lëvizjes globale në mbrojtje të Drejtave të Njeriut, Vokshi kërkoi që të sqarohen rrethanat e këtij aksioni, sipas saj, racist të ndërmarrë nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.