Italishtja, përtej një kulture

Postuar në 17 Tetor, 2015 16:37
Ornela Islami

Zv/ambasadori i Punëve të Jashtme të Italisë, Mario Giro, vjen më poshtë në një intervistë në kuadër të javës së gjuhës italiane, e cila po festohet dhe në vendin tonë.

Jemi në kuadër të javës së gjuhës italiane në botë, e cila po zhvillohet edhe në Shqipëri. Mund të flasim për këtë iniciativë?

Italia e ka kthyer në traditë organizimin e kësaj iniciative në të gjithë botën. Për shumë arsye. Është interesante të dihet se italishtja është gjuha e katërt më e studiuar në botë. Jo e folur, pasi e folur është në vendin e njëzetë, por e studiuar është në vendin e katërt. U surprizova edhe unë kur mora vesh të dhënat, sepse është e paimagjinueshme të mendosh që italishtja është një gjuhë që studiohet kaq shumë. Por të dhënat na konfirmojnë, se ka shumë kërkesa për studimin e italishtes në botë. Më shumë kërkesat vijnë nga grupime të veçanta, si njerëz që merren me art, opera apo të tjerë që interesohen për makinat, por edhe futboll. Me këtë rast i bëj urimet edhe kombëtares shqiptare që u kualifikua në Kampionatin Europian. Po kërkohet si gjuhë e dytë edhe në vende që nuk të shkon mendja. Ka shumë dëshirë për kulturë në botë. Ka një shtresë të re të mesme botërore që kërkon kulturë, pra edhe gjuhë të huaj. Ka edhe kërkesa për shkolla italiane. Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, për shembull siç po bëhet në Shqipëri me prezantimin e autorëve italianë, si Dante, “Komedia hyjnore” e tij po përkthehet për herë të katërt në shqip, javët e gjuhës italiane shërbejnë për t’u njohur me mundësitë e ndryshme për të studiuar italishten.

Ju jeni i angazhuar në përhapjen e gjuhës italiane në botë. Pse do t’ua këshillonit të rinjve shqiptarë italishten?

Di që ka pasur polemika në disa shkolla ku mësohet italishtja, pasi prindërit kërkonin gjuhën angleze në vend të asaj italiane. Mendoj se italishtja është gjuhë e rëndësishme, sepse është gjuhë kulturore dhe jo etnike. Pra, ka Itali edhe jashtë kufijve të Italisë. Kjo ka të bëjë si me mbi pesë milionë italianët që jetojnë jashtë, një pjesë prej tyre edhe në Shqipëri, por edhe 60-80 milionë me prejardhje italiane nëpër botë, pasi jemi diaspora e dytë më e madhe pas kinezëve. Një tjetër arsye është edhe sepse në shumë sektorë, tregtie, merceologjie, dizajni, kulture dhe arti bashkëkohor, inxhinierie, makina etj, po flitet gjithmonë e më shumë italisht. Pra ka punë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për çështje kulturore. Kemi kuptuar se gjuha ka nevojë të përhapet më mirë. Po mendojmë edhe nëpërmjet mënyrave më të mira që kanë të bëjnë me shkollimin.

Shqipëria, është kaq afër dhe e lidhur me Italinë, na bashkon prej shekujsh një histori e përbashkët. Kemi shumë studentë shqiptarë. Mund të vihet te në për të studiuar jo vetëm italishten, por shumë lëndë në italisht, përshirë këtu edhe inovacionet teknologjike: sektorët e nanoteknologjisë, biomjekësisë, të cilat janë pika të forta në Itali. Nëse dikush kërkon të dijë me çfarë jetohet në Itali, nuk jemi vetëm: ushqim, mode dhe mobilim, por edhe shumë gjëra më tepër, të cilat renditen edhe më lart se këto që përmenda.

Mund të ndalojmë pak te sistemi universitar?



Ne kemi me mijëra studentë shqiptarë që studiojnë në Itali. Ka lehtësira, si bursa studimit, të cilat i ofron edhe Ministria e Jashtme, por edhe ministri të tjera, si ajo e universitetit dhe kërkimit. Ka edhe lehtësira që vijnë nga rajonet.

Që do të thotë?



Që do të thotë se shumë rajone për studentët e huaj ulin kostot e regjistrimit në universitete dhe japin bursa rajonale. Ky është një sektor në rritje. Duhet të gjejmë edhe mënyra të reja, që të ketë universitete, shkolla të mesme e studime italiane pasuniversitare jashtë Italisë. Mendoj se të mësosh italisht dhe të mësosh në italisht, mund të jetë një biznes në botë. Shqipëria, një ndër vendet më të afërta si gjeografikisht, por dhe nga pikëpamja kulturore, do të jetë ndër vendet e para ku do të veprojmë.

Kultura arbëreshe është një tjetër pikë e përbashkët mes dy vendeve…



Unë kam qenë në Lungro … Pra e njoh komunitetin arbëresh, i cili është një komunitet historik në Shqipëri, që ka krijuar një bashkëjetesë me komunitetet e tjera në Itali. Një shenjë dalluese e Shqipërisë në Ballkan, është aftësia për të bashkëjetuar. Pra kultura dhe fe të ndryshme se bashku, gjë që është një problem i madh në globalizimin aktual. Në këtë kuptim, Shqipëria është përpara të gjithëve. Mund të jetë një shembull shumë domethënës në një botë ku kufijtë përcaktohen me thika. Në këtë kuptim, komuniteti arbëresh është një shembull se çfarë do të thotë të mbetesh vetvetja në një ambient të madh të ndryshëm, njëkohësisht duke gjetur mënyrën për të jetuar së bashku, duke marrë e dhënë pozitivisht nga njëri-tjetri.

Vizita juaj e parafundit në Shqipëri u bë në takimin botëror të feve për paqen 

Po. Pse Tirana, pasi dikush mund të thotë që nuk është një nga kryeqytetet e mëdha botërore. Në fakt, Tirana është e rëndësishme dhe kjo u tregua edhe gjatë takimit të madh, ku morën pjesë rreth 500 liderë fetarë në këtë vend ku fetë bashkëjetojnë. Sot kjo është një sfidë e madhe botërore. Shikojmë çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut. Pamë çfarë ndodhi aty ku përzihen kombi dhe feja, në Ballkan në vitet ’90, edhe në Kosovë. Pra kemi këto probleme dhe Shqipëria mund të na ndihmojë që të tregojmë se është e mundur të bashkëjetojmë. Kjo është arsyeja që Sant Egidio vendosi të vijë këtu, por ky komunitet ka edhe një miqësi të gjatë me Shqipërinë, që nga kohët e vështira të viteve ’90. I ka ndihmuar shumë shqiptarët dhe siç e tha edhe vetë Kryeministri Edi Rama në fjalën e hapjes me rastin e takimit të madh: të punojmë për paqen dhe dialogun deri në rraskapitje! Do ta kujtoj gjithmonë këtë fjalë.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.