Qeveria në sulm për të mbrojtur marrëveshjen me CEZ: "Shpëtuam nga Vaterloja financiare në Arbitrazh"

Postuar në 16 Tetor, 2015 15:30

Çështja CEZ po rezulton patatja e nxehtë e qeverisë. Në hapjen e saj perceptimi kryesor, madje edhe akuza publike, u adresua ndaj Ilir Metës. U diskutua një manovër për mbledhje borxhesh, kurse sot, në rrugë zyrtare flitet për qindra milionë euro dëm të shkaktuara me një firmë te vetme. Marrëveshja e Mirëkuptimit mes qeverisë aktuale dhe CEZ është vënë nën akuzë zyrtare nga institucione të shtetit shqiptar, duke kaluar praktikisht në hetim penal nga organet e akuzës në Shqipëri. Sot është bërë depozitimi zyrtar i kallëzimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe deri këtu situata është në përputhje me deklaratën e kryeministrit sipas të cilit “nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar”. Madje po sot, Edi Rama, i është përgjigjur pretendimit të KLSH-së, duke mbrojtur marrëveshjen:  “Falë komunitetit të energjisë, mbështetjes teknike dhe morale, arritëm një marrëveshje me kompaninë me të cilën rrezikonim të përballeshim në arbitrazh që do të ishte Vaterloja e financave shqiptare dhe Shqipëria siç kishin nënvizuar konsulentët ligjorë të angazhuar nga qeveria nuk kishte asnjë shans të fitonte”, tha Rama. Ja edhe disa shifra të tij: “Kompania e shpërndarjes në vitin 2007 e nisi rrugëtimin me libra të pastër për të përfunduar në 2013-n me 1 miliardë dollar borxhe, 52 % humbje për shkak të vjedhjeve dhe rrjetit të amortizuar që në 85 % të tij ishte mbi 40-vjeçar”. Në çdo rast një pyetjet qëndron dhe nuk merr përgjigje: në këto kushte, çdo kompani do të kishte preferuar një dalje nga skena me sa më pak humbje. Pse atëherë qeveria ra dakord të riblinte një kufomë duke dhënë edhe 95 milionë euro “që ishte shuma e dakortësuar që pala shqiptare derdhi për llogari të CEZ sh.a. si pjesë e ujdisë për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve”? Së dyti, nëse pranohet edhe nga KLSH se CEZ ka patur keqmenaxhim, pse duhet të pranohej një zhvlerësim vetëm i aksioneve të shtetit? Janë pyetje që aktualisht do të duhet të marrin përgjigje nga hetimi, por çështja në planin politik është se marrëveshja e arritur nuk është aspak e mirë. Ky mbetet ende në kushtet e perceptimit që ushqehet nga akuzat e opozitës, sikurse përdorimi i arritjeve në sektorin e energjisë, nuk ka sesi të jenë argumente për të përligjur mbylljen e një marrëdhënieje që duket se ka kushtuar shumë shtrenjtë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.